Treshja e artistëve nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë bërë bashkë në “Substrate” në Qendrën Kulturore të Serbisë në Paris, e aty janë bashkuar edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, dhe homologet e saj, Maja Gojkoviq e Serbisë dhe Bisera Kostadinovska-Stojchevska e Maqedonisë së Veriut. Për ministren e Kulturës të Shqipërisë “arti nuk njeh kufij”, e qendra ku është hapur ekspozita ka një histori fushatash kundër Kosovës, të cilave jo rrallë u ka prirë edhe ministrja e Kulturës e Serbisë
Iniciativa “Open Balkan” nuk ka të ndalur edhe në bashkimin e artistëve dhe jo vetëm. Kësaj radhe ka çuar në Paris edhe ministret e Kulturës të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Arti i ka bërë tok në Qendrën Kulturore të Serbisë në kryeqytetin francez. Aty është hapur ekspozita “Substrate” e tre artistëve nga tri vendet të “Ballkanit të Hapur”. Driant Zeneli, Nina Zhelkoviq dhe Kristina Pulejkova komunikojnë me art në ekspozitën me kuratore Claudia Paetzold. Në hapje kanë qenë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, dhe homologet e saj, Maja Gojkoviq e Serbisë dhe Bisera Kostadinovska-Stojchevska e Maqedonisë së Veriut. Ka qenë ministrja shqiptare që ka veçuar takimin me dy ministret.
“Bashkë me homologen serbe dhe atë të Maqedonisë së Veriut u ndalëm në rëndësinë e artit si faktor paqeje dhe zhvillimi ekonomik, por edhe nevojën për më shumë bashkëpunim dhe lëvizje të lirë për komunitetin krijues”, citohet të ketë thënë ministrja Margariti, teksa ka shpalosur një album fotografish nga vernisazhi i ekspozitës në Qendrën Kulturore të Serbisë në Paris, jo larg selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë e Kulturë – UNESCO. Qendra jo rrallë përdoret për propagandë edhe kundër Kosovës. Veçmas më 2015, kur lobonte që Kosova të mos pranohej në UNESCO. Në nëntorin e atij viti vendi dështoi anëtarësimin në mungesë votash. Ministrja Maja Gojkoviq ka qenë njëra prej prijësve edhe të fushatës, siç u prin edhe atyre për mosnjohjen e Kosovës. Në kulturë, Ministria nën udhëheqjen e saj ka episode të tilla, si ai i financimit të “dokumentarit” që “demanton” Masakrën e Reçakut.

Për ministren e Kulturës të Shqipërisë “arti nuk njeh kufij”. Ekspozitën citohet ta ketë vlerësuar “si një dëshmi që arti dhe kultura janë ura komunikimi mes popujve”.
“Substrate”, siç përshkruhet, “studion aspekte të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të tri vendeve dhe tregon segmente (substrate) të përbashkëta që përfaqësojnë rajonin e Ballkanit të hapur”.
Ekspozita është e radhës në kuadër të bashkëpunimeve në emër të “Open Balkanit”. Më 22 qershor në emër të kësaj nisme, në Tiranë aterroi Filarmonia e Beogradit bashkë me ikonën botërore të dirigjimit, Zubin Mehta. Festoi 100-vjetorin e themelimit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit për të vazhduar më pas edhe në Shkup. Nga komuniteti kulturor në Kosovë nuk u duartrokit ky lloj bashkëpunimi.

Në fushën e kulturës Shqipëria e Serbia kanë lidhur disa marrëveshje bashkëpunimi. Në tetorin e vjetshëm “La bohème” e Puccinit në Teatrin Kombëtar të Serbisë do të kishte mysafir special tenorin shqiptar nga Teatri i Operës dhe Baletit të Shqipërisë, Denis Skura, në rolin e Rudolfit, tok me baritonin Marjan Jovanoski nga Maqedonia e Veriut, edhe ky mysafir në kryeqytetin e Serbisë. “La bohème” ishte rezultat i protokollit të bashkëpunimit midis Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut në kuadër të platformës “Teatri Open Balkan”.