Kulturë

“Sorrë” me portrete grash, që dalin prej mureve në thirrjen për barazi

Shumica e portreteve gjenden në muret e rrjepura të objektit që deri më tash ka shërbyer si shkollë fillore. Jo rastësisht vjen me simbolikën se kontributi i gruas qëndron nën hijen e burrave dhe duhet gjurmuar goxha për ta zbuluar
 

Krrokama e sorrës është zanafilla. Nuk vjen si ogurzezë, por personifikon zërin e gruas. Artistja malaziase, Milena Joviqeviq, ka pushtuar muret e “Arkivit” të Pejës, dikur objekt-shkollë, me portrete grash të shquara. Fshihen nëpër fasadat e rrjepura sikur synojnë të dalin prej aty. Portrete ka edhe në dysheme. Kornizat pa portrete kanë një tjetër kuptim dhe e përbashkëta e tyre është thirrja për barazi

Janë përplot figura grash brenda një objekti. Por, jo lehtë eksplorohet nëpër to. Shenjat e tyre janë shpesh një lloj mozaiku që do kohë të zbulohet. Instituti i artit bashkëkohor “Arkiv” në Pejë ka qenë strehë e tyre në kuadër të ekspozitës “Sorrë” të artistes malaziase Milena Joviqeviq, që jo pak rebelohet për dallimet gjinore.

Pak të dukshme janë krejt elementet e ekspozitës, por me mesazh goxha domethënës e të fuqishëm. Shumica gjenden në muret e rrjepura të objektit që deri më tash ka shërbyer si shkollë fillore. Jo rastësisht vjen me simbolikën se kontributi i gruas qëndron nën hijen e burrave dhe duhet gjurmuar goxha për ta zbuluar.