Vetë titulli i ekspozitës vjen si pikëpyetje dhe kërkon afatin kohor për vendndodhjen e të pagjeturve. Më prerazi: mbylljen e kësaj historie. “Deri kur...” e Bedri Hazirajt, pos si thirrje, teston edhe kujtesën e publikut për viktimat e luftës. Pikërisht në atë që zyrtarisht njihet si Dita e Paqes
Është një tjetër thirrje për fatin e të pagjeturve, që tash e 24 vjet manifestohet në forma të ndryshme. Edhe shprehja nëpërmjet artit po ashtu. E rrallë ka qenë me skulpturën si medium. Si eshtra njerëzish duken në shikim të parë veprat e ekspozitës “Deri kur...” në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Perceptohen si moderne e abstrakte e me to, autori Bedri Haziraj shpesh ka testuar kujtesën e publikut për viktimat e luftës. Pikërisht në atë që zyrtarisht njihet si Dita e Paqes.
Me forma e ngjyra japin përshtypjen e dekoreve tradicionale, por nuk do shumë kohë të kuptohet historia e trishtë prapa rrëfimit të skulpturave. Fibrat dhe traketë e drurit si material i vetëm i përdorur i bëjnë format edhe më reale. Objektet janë retrospektivë e kujtesës edhe për takimin pas shumë vjetësh me të dashurit e vrarë.

Kthejnë memorien edhe në historinë e takimit të Pashkë Krasniqi-Markajt me mbetjet mortore të të dy bijve. Flakën e dhimbjes në shpirt e kishte kthyer në atë me të cilën u vetëflijua tri ditë pasi trupat ishin varrosur më 2003. Rikthehen edhe ngjarjet më të vonshme, si ajo e rivarrimit të civilëve të vrarë në Suharekë e Krushë të Vogël më 2014 e më e freskëta ajo në Rezallë, dy vjet më parë. Nuk pati më shenja të mbi një mijë e 600 të zhdukurve të tjerë.
Vetë titulli i ekspozitës vjen si pikëpyetje dhe kërkon afatin kohor për vendndodhjen e të pagjeturve. Më prerazi: mbylljen e kësaj historie.
Katër prej skulpturave në hollin e Bibliotekës krijojnë kryesisht efekte abstrakte. Estetika vjen e para në shprehje. Tetë të tjerat një kat më lart janë format reale të eshtrave të njeriut që bashkë me kutitë e bardha e kompletojnë instalacionin e veprave. Vijnë në formë varrezash dhe si simbolikë për kërkimin e identitetit të tyre nëpërmjet një blloku A4, në të cilin është shkruar shifra 1617, krahas shenjave të gishtit dhe pikëpyetjes.
Njëra prej veprave është krejt e veçantë. Janë duart e dergjura në tentativat për të zgjeruar grilat. I kushtohet filozofit e aktivistit Ukshin Hoti. Pasi kishte mbaruar dënimin me burg në maj të vitit 1999, do të zhdukej dhe që atëherë nuk dihet gjë për të.
Secila prej veprave është rrëfim më vete dhe pjesë integrale e ekspozitës së parë personale të Bedri Hazirajt.
“Për këtë ekspozitë jam përgatitur thuajse katër vjet. Është një brengë, një plagë e vjetër, e cila edhe sot lëngon te familjet e të pagjeturve. Për këtë kam zgjedhur që sot, pasi që është edhe Dita e Çlirimit të Prishtinës, t’ua jap një mesazh të gjithë atyre që të punojnë më shumë për ta”, ka treguar Haziraj.
Autori ka treguar se ka qenë e vështirë puna në dru dhe se nëpërmjet tyre ka synuar të madhështojë konceptin për të pagjeturit.

“Të gjithat janë në formë të eshtrave. Janë, ashtu siç i kam quajtur, mbi një sfond të bardhë, bazamentet që kanë një simbol monumental që i ngritin në piedestal ata që dhanë gjakun për vendin”, ka thënë Haziraj. Më parë kishte ekspozuar në qytetin e tij në Drenas, por kjo ka qenë e para ekspozitë personale.
Revoltë vizuale për moszbardhjen e fatit të të pagjeturve e ka vlerësuar kuratori i ekspozitës e profesori Ismet Jonuzi.
“Në bazë të temës, si e ka titulluar, ‘Deri kur…’ do të thotë se deri kur do të gjenden të pagjeturit. Është një temë që e rëndon shoqërinë tonë kosovare qe 24 vjet, një temë shumë e rëndë. Autori është munduar që përmes skulpturës të flasë për subjektin, të cilin e ka impresionuar. Është temë që nuk është Bedriu i vetmi që është marrë me të, ka shumë artistë dhe disi është konsumuar kjo temë, por mendoj se është i pari në skulpturë”, ka thënë Jonuzi, profesor në Fakultetin e Arteve.
Si kurator i ekspozitës ka vlerësuar se subjekti që autori ka zgjedhur është koncept tragjik që flet për pasojat e shoqërisë së Kosovës, me të cilat përballet për më shumë se dy dekada.
“Koncepti i ekspozitës me një porosi konkrete, e materializuar në forma skulpturale në variacione të ndryshme, është një përpjekje për të vizualizuar mendimet përmes formës plastike në pozitën e një kronisti, që flet për të kaluarën dhe të sotmen”, ka shkruar Jonuzi për ekspozitën.
Ai ka thënë se artisti Haziraj, që ka qenë edhe student i tij gjatë studimeve, e ka punuar ekspozitën me mund e përkushtim.
“Kjo është punë serioze që nuk punohet për një ditë a një muaj, por një kohë të gjatë dhe nuk është qëllimi vetëm ta ekspozojë, por preokupohet me temën dhe është më shumë si inspirim për një skulpturë me të cilën është duke krijuar një identitet të tij si skulptor, sepse secili duhet ta ketë”, ka thënë Jonuzi.
Ekspozita vjen si porosi konkrete me përpjekjet për të vizualizuar mendimet për të kaluarën dhe të sotmen.
Edisona Deliu, që ka përjetuar pasojat e luftës, e ka konsideruar të veçantë ekspozitën për dokumentimin e krimeve të forcave serbe.
“Pjesa e luftës, invalidët, të pagjeturit çdoherë lihen pas dore e me këtë shihet qartë që ende ka vuajtje të tilla, ende e ndiejmë dhimbjen”, ka thënë Deliu.
Ekspozita qëndron e hapur deri të shtunën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.