Kulturë

“Shijet e Dukagjinit” me recetën e forcimit të identitetit kulturor

Nëpërmjet publikimit “Shijet e Dukagjinit” konstatohet se diversiteti kulturor e gjeografik ka formësuar traditën gastronomike, e cila do ta zhvillonte rajonin me anë të agroturizmit
 

Janë 18 rrëfime të realizuara me banorë dhe ruajtës të traditave ushqimore dhe 12 receta bashkëkohore të bazuara në produkte vendore dhe metoda tradicionale. Jeton Jagxhiu e Fejsal Demiraj, për një vit kanë hulumtuar nëpër gjashtë komuna të Rrafshit të Dukagjinit e prej aty nuk i kanë marrë vetëm shijet, por kanë dokumentuar traditën gastronomike dhe jo vetëm.

“Shijet e Dukagjinit” nuk ka të bëjë vetëm me kulinari a receta gatimesh. Traditën autentike të ushqimit tradicional e zbërthen si recetë të forcimit të identitetit të popullit. Gjeneratë më gjeneratë janë bartur gatesat e veçanta, duke u ruajtur si të çmuara të rajonit perëndimor të Kosovës. Është publikim i organizatës “Trashëgimia kulturore pa kufij” dhe nëpërmjet një hulumtimi si ky, konstatohet se diversiteti kulturor e gjeografik ka formësuar traditën gastronomike, e cila do ta zhvillonte rajonin me anë të agroturizmit.

Pas një viti hulumtim në gjashtë komuna të Rrafshit të Dukagjinit është shpalosur potenciali i kuzhinës vendore. Me “Shijet e Dukagjinit” synohet edhe zhvillimi dhe zgjerimi i mëtejmë i këtyre ushqimeve si trashëgimi e vendit. Gjeografia dhe kultura janë vlerësuar si dy elemente kryesore, që u japin formë traditave ushqimore, andaj edhe fokusi i hulumtimit, siç është bërë e ditur të enjten mbrëma në ngjarjen e organizuar në “Menzën Ramiz Sadiku”, ka qenë identifikimi i veçorive gjeografike dhe kulturore të rajonit. Karakteristika më e shprehur është vlerësuar të jetë kontrasti i madh mes Bjeshkëve të Nemuna dhe toka pjellore së cilës hulumtuesit Fejsal Demiraj dhe Jeton Jagxhiu i janë referuar në libër si “tokë e bukës”.