Kulturë

“Anibari” në rrugëtim të ri me “Dashni” që s’njeh kufij

“Në një botë të konsumuar shpesh nga kaosi dhe përçarja, ne tentojmë t’ia rikujtojmë vetes dhe çdokujt që dashuria nuk njeh kufij dhe si e tillë nuk mund të definohet...”, ka paralajmëruar “Anibari”
 

“Këtë edicion të festivalit e kemi vendosur që ta kemi temën e dashurisë për arsye se i kemi pasur edhe disa vjet të cilat kanë qenë të rënda për neve si shoqëri prej pandemisë dhe të gjitha ato që i ka sjellë pandemia dhe zhvillimet e fundit që kanë ndodhur”, ka thënë për KOHËN drejtoresha e festivalit “Anibar”, Arba Hatashi

Dashuri e pozitivitet ka paralajmëruar tashmë “Anibari” për edicionin e 14-të. Festivali më i madh dhe i vetmi i filmave të animuar në Kosovë do të nisë më 17 korrik për të vazhduar deri më 23 . “Love | Dashni” është tema e sivjetme dhe janë 134 filma që do të ndezin projektorët në Pejë, i cili çdo vit në verë bëhet kryeqytet i animacionit jo vetëm në vend.

“Përgatituni për të nisur një udhëtim magjepsës, ndërsa festivali i animacionit ‘Anibar’ me krenari e shpalos temën e edicionit të 14-të: “Love | Dashni”. Nga data 17 korrik deri më 23 korrik 2023 ju ftojmë të na bashkoheni në Pejë, Kosovë, ku dashuria është në qendër të vëmendjes dhe mbush ajrin me ngjyrat e saj të gjalla dhe emocionet e përzemërta”, ka qenë përshkrimi i organizatorëve kur e kanë lansuar temën.