Kulturë

Kadare edhe në Fushë-Kosovë gjen fuqinë e fisnikërinë e shqiptarisë

Me një program e ceremoni me tone jo pak patetike, në shkollën e mesme “Hivzi Sylejmani” të pranishmit mbi të gjitha kanë treguar për respektin dhe adhurimin që kanë për shkrimtarin
 

“Ju falënderoj të gjithë pjesëmarrësve në këtë mbledhje të bukur që tregon jo vetëm fuqinë e shqiptarisë, por fisnikërinë e këtij kombi, i cili është një nga kombet kryesore të Evropës. Jam shumë i lumtur për këtë festim prekës që tregon se me sa këmbëngulje njeriu shqiptar e ka ngritur në qiell dashurinë e tij, fisnikërinë e tij, qytetërimin evropian”, ka thënë të enjten shkrimtari Ismail Kadare, i shpallur “Qytetar nderi” edhe në Fushë-Kosovë, një ditë pas Prishtinës. Ka ngritur në këmbë këtë qytezë e, sipas botuesit të tij Bujar Hudhri, Kosova ka lexuesin më fisnik të mjeshtrit Kadare

Nxënës, mësimdhënës, zyrtarë komunalë e qytetarë të Fushë-Kosovës janë bërë bashkë në ambientet e shkollës së mesme “Hivzi Sylejmani”. Me mbishkrimet “Mirë se vini Ismail Kadare”, institucioni i edukimit ka pritur shkrimtarin e madh.

Ceremonia e shpalljes së tij “Qytetar Nderi” nuk u ka ngjarë të tjerave në Prishtinë, Pejë apo Ferizaj.