Kulturë

Kadare: Popujt s’heqin dorë nga triumfi për qytetërim

“Për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës së shprehur gjithandej veprave të tij, për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për vlerat letrare e intelektuale me të cilat është paraqitur nëpër botë dhe me të cilat e ka lartësuar gjuhën, kulturën, letërsinë shqipe si dhe vetë popullin shqiptar”, është motivacioni me të cilin presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar Ismail Kadarenë me urdhrin “Hasan Prishtina” (Foto: Driton Paçarada)
 

“Vetë mbledhja jonë këtu në këtë sallë nga shqiptarë të të gjitha zonave e tregon këtë triumf të kombit shqiptar. Nga ky triumf asnjë popull nuk heq dorë. Ky është një triumf për gëzimin e të ardhmen e një populli”, ka thënë Ismail Kadare, të mërkurën, në ditën e dytë në Kosovë, kur presidentja Vjosa Osmani e ka nderuar me urdhrin “Hasan Prishtina”. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ia ka dhënë “Çelësin e qytetit” duke e bërë “Qytetar nderi” të Prishtinës, përderisa ka paralajmëruar ndërtimin e një biblioteke me emrin e tij

Veprat e tij kanë ndikuar në qytetërimin e popullit shqiptar e përtej tij. Letërsia e Ismail Kadaresë është vlerësuar gjithandej botës për artin e fjalës. Shkrimtari 87-vjeçar shpesh flet për qytetërimin. Këtë e ka bërë edhe në zyrën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

I ftuar në Presidencë për t’u dekoruar me urdhrin më të lartë shtetëror, “Hasan Prishtina”, Ismail Kadare ka folur për historinë e popullit shqiptar e qytetërimin që këto anë gëzojnë sot.