Nuk kanë bërë punë reagimet e studiuesve nga Shqipëria e Kosova bashkë me ata ndërkombëtarë, që Qeveria e Shqipërisë të tërhiqet nga vendimi për “Mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe transferimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të saj tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë”. Ky vendim është parë si ndërhyrje e drejtpërdrejtë e politikës në institucione shkencore
Ndikimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mbi institucionet shkencore të shtetit është i drejtpërdrejtë. Kryeministri Rama e Qeveria që ai e udhëheq përcaktojnë se cili institucion duhet të reformohet, cili të mbyllet e si të funksionojnë ato. Madje, mjaftojnë dy fjali publike të kryeministrit Rama që situata të ecë ashtu siç do ai vetë.
Në shtator të vitit 2017, akademik Gudar Beqiraj, me 28 vota për, e tri kundër qe zgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kishte marrë pozitën që deri në atë kohë e mbante Myzafer Korkuti, i cili po atë ditë qe zgjedhur nënkryetar. Por për kryeministrin Edi Rama, kjo përbërje nuk duhej të drejtonte institucionin më të lartë shkencor.
“Meqë ‘Akademia’ zgjodhi farsën, uroj të gjejnë edhe fondet për vijimin e farsës! Fondet tona do t’i shkojnë universitetit për kërkim shkencor”, do të shkruante ai në rrjete sociale menjëherë pas lajmit për zgjedhjen e Beqirajt në pozitën e kryetarit. Dhe situata shpejt do të ndërronte. Në nëntor të atij viti, Beqiraj – i cili vdiq më 2020 – do të jepte dorëheqje. Reforma tashmë po niste sipas kërkesës së kryeministrit dhe në maj të vitit 2019, kryetar i Akademisë qe zgjedhur matematikani Skënder Gjinushi, politikan me pozita të larta ekzekutive në regjimin komunist, e po ashtu edhe në atë demokratik.
Qeverisë së Shqipërisë, që tash e tri mandate udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama, tash i ka dalë punë me një tjetër institucion shkencor. Jo më me kërcënime buxheti, por kësaj radhe me mbyllje të drejtpërdrejtë. Tashmë i publikuar në gazetën zyrtare, vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 31 maj, përcakton “Mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe transferimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të saj tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë”.
“Njësitë kryesore ekzistuese, Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli akademik i këtyre njësive, aktualisht pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike riorganizohen si njësi të kërkimstudimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, brenda datës 31 dhjetor 2023”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit. Në pikat e tjera përcaktohet se krejt pasuritë e Akademisë së Studimeve Albanologjike do t’i takojnë Akademisë së Shkencave. Vendimi i Qeverisë është parë si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e ASA-s nga studiues të Shqipërisë, Kosovës e edhe ndërkombëtarë. Por Qeveria nuk është tërhequr, përderisa kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ka dalë në mbrojtje të Vendimit të Qeverisë. Deri në “transferimin e plotë të njësive përbërëse pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, sipas vendimit, ASA do të vazhdojë punën kërkimore. Në kuadër të ASA-s funksionojnë pesë institute: Antropologji Kulturore dhe Studim Arti, Arkeologji. Gjuhësi dhe Letërsi, Histori dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare. ASA u riorganizua si institucion kërkimor-shkencor më 10 mars 2008 dhe ka statusin e një qendre ndëruniversitare.
Reagime të forta ka pasur vetë ASA-ja. Senati i këtij institucioni ka lëshuar deklaratë, duke thënë se shkelet Ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar të një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor dhe për më tepër, të së vetmes Akademi Albanologjike. “Konkretisht ASA nuk është njoftuar për këtë projektvendim, dhe së dyti, sipas Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, është Senati i ASA-s, i vetmi institucion që duhet të shprehet për fatin juridik të ASA-s. Deklarojmë se Senati vijimisht si dhe sot, është shprehur dhe shprehet kundër mbylljes së ASA-s”, shkruhet në reagim. Midis të tjerash, tregohet se mbyllja e ASA-s shkakton pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ky institucion është pale.
“Shuhen institutet, duke i shndërruar ato në njësi kërkimore, që sipas nenit 19 të Ligjit për Akademinë e Shkencave, janë ose njësi dyvjeçare ose afatgjata, pra me kohë të kufizuar”, shkruhet në reagim.
Në një tjetër reagim, Senati ka dalë plotësisht kundër këtij vendimi të Këshillit të Ministrave.
“Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri; Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë. Akademia e Studimeve Albanologjike do të vazhdojë misionin e saj për mbrojtjen e lirisë akademike, duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik”, shkruhet në reagimin e dytë. Më pas kanë reaguar edhe institutet e Akademisë.
Por reagimet nuk kanë mbetur vetëm brenda Shqipërisë. I pyetur nga mediat shqiptare, kundër një vendimi të tillë ka dalë edhe akademiku nga Kosova, Rexhep Ismajli.
“Nuk është e pranueshme e as e lejueshme të rrezikohen institucionet shkencore. Përkundrazi, duhet të zhvillohen e të shtohen. Rrethanat konkrete se si do të organizohen ato duhet të gjykohen nga studiuesit që janë drejtpërdrejt në punën albanologjike në Shqipëri. Nuk është mirë të bëhet asgjë pa mirëkuptimin e tyre”, ka thënë akademik Ismajli, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, midis të tjerash, edhe anëtar nderi i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Amerikës.
Reagimet e studiuesve nga Kosova qenë të shumta. Anëtari korrespodent i ASHAK-ut, gjuhëtari Bardh Rugova, bashkë me kolegët profesorë universitarë të gjuhës, Shkumbin Munishi e Rrahman Paçarizi, kanë reaguar, duke thënë se bëhet fjalë për ndërhyrje të politikës në shkencë.
“Ndërhyrja e politikës mbi aktivitetin studimor është tentim për të kontrolluar, ‘disiplinuar’ dhe sunduar mendjet krijuese. E kuptojmë se pushtetet – kudo – nuk e duan mendimtarin e lirë dhe, më me dëshirë, do të kishin dorë mbi ta. Prej këtu kemi edhe termat poshtërues në botën akademike për ‘mendimtarët’ e pushteteve: studiues i oborrit. Studiuesit e oborrit janë tipikë për vendet e diktaturave”, shkruhet në reagimin e tyre.
Midis arsyetimeve se përse nuk duhet mbyllur ASA, janë përmendur edhe bashkëpunimet zyrtare në të cilat ka hise ky institucion.
Së fundmi, në prill të këtij viti, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Akademia e Studimeve Albanologjike nga Shqipëria janë marrë vesh për të bashkëpunuar në fushën e arsimit të lartë, e po ashtu edhe për të bërë kërkime shkencore së bashku. Marrëveshja ishte konkretizuar më 13 prill midis rektorit të UP-së, Qerim Qerimi, dhe rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, Luan Përzhita. “Me anë të kësaj marrëveshjeje, ndër të tjerash, parashihet: Krijimi i grupeve të punës për hartimin e projekteve strategjike të përbashkëta në fushën e albanologjisë – përkatësisht në fushën e arkeologjisë, antropologjisë social-kulturore, historisë dhe gjuhësisë, ndërtimi i programeve të përbashkëta në studimet master dhe doktoratë në fushën e albanologjisë, krijimin e një platforme të përbashkët për shkëmbimin e stafit akademik, si dhe realizimin e projekteve hulumtuese të përbashkëta për trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe Shqipëri”, shkruhej në njoftim. Madje përmbajtja e marrëveshjes ishte publikuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Një hap i madh përpara në bashkëpunimin e studiuesve tanë”, kishte qenë përshkrimi që ia ka bërë ai.
“Albanologjia dhe jo vetëm janë fusha për të cilat universitetet në Kosovë dhe Shqipëri duhet të kenë maksimumin e bashkërendimit dhe bashkëpunimit shkencor e profesional. Krahas marrëveshjeve që qeveritë tona i kanë në fushën e arsimit dhe në fushat e tjera, marrëveshjet dhe projektet e përbashkëta të universiteteve dhe profesionistëve në çdo fushë janë shumë të mirëpritura dhe të nevojshme”, kishte shkruar Kurti, duke renditur katër pikat e marrëveshjes. Ka shkuar edhe pak më tej. “Së shpejti me nisma e projekte që jetësojnë synimet e përbashkëta”, kishte paralajmëruar kryeministri Kurti. Por homologu i tij në Tiranë, kryeministri Edi Rama del të ketë pasur projekt tjetër për ASA-në: atë për ta mbyllur si institucion.