Kulturë

Arsimi shqip në Kosovën e viteve ‘90 – rezistencë e ideal

Nëpër tavolina janë renditur libra, lektura e revista shkollore, libra shkencorë të Universitetit të Prishtinës e të Institutit Albanologjik të Prishtinës, artikuj të gazetave që ndërlidhen me çështjet e arsimit atë kohë, libra kujtimesh e albume fotografish. Krejt bashkë shpalosin kujtimet për arsimin shqip në vitet ’90 dhe jo vetëm
 

Është ekspozitë kuptimplote duke kthyer në kohë jo vetëm periudhën e arsimit shqip në Kosovën e tri dekadave më parë, por duke e zbërthyer atë ashtu siç ishte: rezistencë e ideal për liri. “Këto materiale që po i shihni sot janë dëshmi të një kronike të atyre viteve të mundimshme, tronditjeve e plagëve tona të shumta që u duruan për hir të ruajtjes së ndërgjegjes njerëzore”, ka thënë Munish Hysenim, drejtor i bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, bashkautor i ekspozitës “Kujtesa e arsimit shqip në Kosovën e viteve 90-të”

“Kujtesa e arsimit shqip në Kosovën e viteve 90-të”, ka ngjallur emocionet e tri dekadave më parë. Nuk ka qenë thjesht ekspozitë për aq kohë sa secili element në të ka komunikuar me publikun. Që nga abetarja e deri në librat shkencorë, materialet janë dëshmi e një epoke. Procesi ka qenë si kronologji e shkollimit në sistem paralel. Është dëshmuar sa të errëta kanë qenë ato vite për arsimin shqip në Kosovë në kohën kur nxënës e mësues rriheshin, burgoseshin e madje edhe helmoheshin.

Bashkë me ekspozitën e hapur në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani” janë përzierë emocione melankolie e trishtimi. Është ekspozitë kuptimplote duke kthyer në kohë momentet e përvetësimit të njohurive, që prej shkronjave të para. Kujtimet e secilit janë zbërthyer në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë. Nëpër tavolina janë renditur libra, lektura e revista shkollore, libra shkencorë të Universitetit të Prishtinës e të Institutit Albanologjik të Prishtinës, artikuj të gazetave që ndërlidhen me çështjet e arsimit atë kohë, libra kujtimesh e albume fotografish.