Para më shumë se katër dekadash Kosova do të bëhej me Muze të Energjisë Elektrike. Por, të hënën, pas një vizite që centralit në Prizren ia ka bërë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ai ka paralajmëruar se shtetit po i shtohet një muze.
“Kosovës po i shtohet një muze unik”, e ka titulluar Çeku një njoftim në Facebook. Sipas tij, për pak vjet ndërtesa e centralit në Prizren bën një shekull jetë. Ka shkruar se ajo që dikur shënonte frymë modernizimi në arkitekturë dhe moment elektrifikimi e zhvillimi industrial për qytetin, sot është në fazën e fundit të restaurimit.
“Menjëherë pas ndërhyrjeve konservuese fillojnë veprimet për funksionalizimin e muzeut të centralit”, ka shkruar Çeku.
Sipas të dhënave të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, në grykën Lumbardhit, 2.5 kilometra në lindje të Prizrenit gjendet ndërtesa e centralit. Është ndërtuar në vitet 1926-28 me kontributin e qytetarëve dhe kredive bankare. Ndërtesa, që zyrtarisht mbrohet nga shteti si “Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë” ishte projektuar dhe ndërtuar nga një kompani austriake.
“Objekti ka pasur elementet moderne të asaj kohe: turbinat e ujit, pjesën për pastrimin e ujit nga mbeturinat, kanalin, pajisjet për përcjelljen e ujit gjer në turbinë dhe gjeneratorin me fuqi 160 Kw. Për shkak të kërkesës së madhe të energjisë elektrike më 1936 është lëshuar në qarkullim gjeneratori i dytë me kapacitet të njëjtë”, shkruhet në të dhënat e monumentit, që prej vitit 2016 mbrohet përhershëm nga shteti.
Ndërtesa është formësuar në përdhese dhe kat. Shënimet tregojnë se qasja në ndërtesë bëhet kah ana veriore përmes urës nga betonarmeja, të ndërtuar njëkohësisht me ndërtimin e ndërtesës. Në përdhese, sipas KKTK-së, gjenden dy hapësira: vendi ku gjenden gjeneratorët dhe hapësira e makinerisë.
“Pas shndërrimit në muze dhoma e makinerisë shfrytëzohej si hapësirë e ekspozimit, ku janë të ekspozuara eksponatet që tregojnë zhvillimin e elektroekonomisë në Kosovë. Kyçja në katin e parë bëhet përmes shkallëve të jashtme, të vendosura në murin lindor të objektit”, shkruhet në përshkrim. Në katin e parë, sipas të dhënave, gjenden dhoma e kujdestarit të centralit, e cila pas shndërrimit në muze shfrytëzohej si bufe, hapësira e kulmit dhe depoja.
“Kurse në katin e dytë një pjesë e kulmit është e rrafshët dhe shfrytëzohej si tarracë verore. Në oborr krahas urës dhe bregut të lumit gjenden trafostacioni i vjetër dhe nyjat sanitare të ndërtuara në afërsi të kompleksit. Arkitekti austriak ka zgjedhur vendin më të përshtatshëm për shfrytëzimin e ujit dhe është munduar që objektin industrial ta përshtatë me ambientin duke dhënë formën e një kështjelle si inspirim nga Kështjella e Epërme që gjendet në afërsi. Në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin stil janë ndërtuar edhe tri trafostacione që kanë shpërndarë rrymën nëpër qytetin e Prizrenit”, shkruhet në përshkrim.
Sipas KKTK-së, centrali ka furnizuar qytetin e Prizrenit me rrymë elektrike prej vitit 1929 deri në vitin 1973.
“Në vitin 1979 kjo ndërtesë e rëndësishme për historinë industriale të qytetit është shndërruar në Muze të Energjisë Elektrike të Kosovës. Gjatë adaptimit të ndërtesës në muze janë bërë punët restauruese në ndërtesë dhe oborr. Muzeu i Energjisë Elektrike i vendosur në një ndërtesë historike ‘elektrana’ paraqet një shembull unik për Kosovën, për trajtimin e objekteve industriale si trashëgimi kulturore. Muzeu ka funksionuar deri në mes të viteve ‘80”, shkruhet në përshkrim.