Kulturë

“Carmina Burana” madhështore në Tiranë i thërret fatit e dashurisë

Nuk bëhet fjalë veç për një vepër të njohur botërisht për historinë që shtjellon, temat që ndërlidh e porositë që dërgon. “Carmina Burana” është edhe spektakël. Me madhështinë skenike që ofron, shkon përtej një interpretimi të muzikës klasike. E tillë ka ardhur të martën mbrëma në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Ka bërë bashkë Korin e Filharmonisë së Kosovës, Orkestrën Simfonike e Korin e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit, Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, konservatorin shtetëror të Salernos “Giuseppe Martucci” nga Italia dhe Korin e Zërave të Bardhë të TKOB-së

Rendi i njerëzve që ia kanë mësyrë shkallëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Tiranës nja gjysmë ore para performancës, qe tregues real se bëhet fjalë për një koncert që zgjon interesim të madh. Realisht, 780 vendet – sa është kapaciteti i institucionit për publik – kanë qenë të rezervuara ditë më parë, në mënyrë që të ndiqet interpretimi i së martës mbrëma.

Nuk bëhet fjalë veç për një vepër të njohur botërisht për historinë që shtjellon, temat që ndërlidh e porositë që dërgon. “Carmina Burana” është edhe spektakël. Me madhështinë skenike që ofron, shkon përtej një interpretimi të muzikës klasike. Bën bashkë klasiken që prek nuanca moderne, horizonte sentimentale, brishtësinë, e momentet shpërthyese i ka unike.

Për krejt këtë janë bërë bashkë Kori i Filharmonisë së Kosovës, Orkestra Simfonike e Kori i Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, konservatori shtetëror i Salernos “Giuseppe Martucci” nga Italia dhe Kori i Zërave të Bardhë i TKOB-se. Me mbi 200 veta në skenë, publiku ka nisur rrugëtimin nëpër magjinë e “Carmina Burana” të Carl Orffit.

Image
Dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli ka thënë se “Carmina Burana” është vepra më spektakolare muzikore që mund të performohet. Ashtu ka ardhur edhe në TKOB (Foto: Arben Llapashtica)
Shpërthimi me “O Fortuna”

Kur dirigjenti italian Jacopo Sipari di Pescasseroli ka dalë në skenë pas solistëve Ripalta Bufo, Matias Xheli e Armando Likaj, publiku është bërë gati që të futet në udhëtimin shumëngjyrësh muzikor.

Vepra nis me shpërthim, ku loja e krejt të pranishmëve bashkë me madhështinë e skenës dhe dritave kanë bërë që ambienti të transformohet krejtësisht. Dirigjenti, që pos punës profesionale ka anë të fortë edhe një lloj qasjeje prej aktori që ofron spektakël, duke bërë që ndërlidhja midis interpretuesve dhe publikut të shkojë në tjetër nivel.

Vepra e kompozuar nga gjermani Carl Orff, e bazuar në një koleksion këngësh e poemash mesjetare të zbuluara në Beuren të Bavarisë, flet për jetën, fatin, stinët e çka jo tjetër. Poemave në latinisht e gjermanisht kuptim të plotë u ka dhënë kompozitori Carl Orff (1895-1982). Ishin vitet 1935 dhe 1936 kur Orff punoi për t’i dhënë botës së muzikës klasike një prej veprave më të rëndësishme. Kantata është luajtur në qendra të rëndësishme botërore. E në Tiranë ka pasur paraqitje madhështore, e tillë që sipas muzikantëve i duhet kësaj vepre. Shkaku i përmasave të veprës, atyre estetike e madhështisë së një spektakli, publiku ka duartrokitur shpesh gjatë interpretimit të kantatës. Poemat janë shfaqur në formë titrash edhe në shqip.

“Carmina Burana” ka një veti që “fsheh” të metat e pakta sa i përket lojës me drita e edhe mungesës së provave intensive.

Popullaritetin më të madh botërisht e gëzon një prej poemave të veprës. “O Fortuna” njihet gjithandej, pasi është përdorur në shumë filma e projekte të tjera. Po ashtu, është një prej poemave që shoqërohet edhe me muzikë ritmike që flet për fatin nga perspektiva të ndryshme. Vjen si ankesë për fatin e paepur që sundon perënditë dhe të vdekshmit në mitologjinë romake dhe greke. U vu në skenë për herë të parë nga Opera e Frankfurtit më 8 qershor 1937, dy vjet para se fati i gjithë globit të merrte një tatëpjetë të madhe shkaku i Luftës së dytë Botërore. “O Fortuna” hapet me një ritëm me daulle dhe kor, por që bie shpejt në një pëshpëritje, duke nisur që ngadalë të inkuadrohen edhe instrumente të tjera duke krijuar melodi rrëmbyese nëpërmjet notave të shkurtra. Por krejt në fund krijohet ndjesia sikur fati triumfon në të mirë, pasi gjatë veprës gjatë gjithë kohës krejt “drama” është e mjegullt. Krejt kjo ka bërë që publiku të rrëmbehet nga duartrokitjet.

Image
Me mbi 200 veta në skenë, publiku ka nisur rrugëtimin nëpër magjinë e “Carmina Burana” të Carl Orffit

Lidhja e trefishtë magjike

Dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli ka thënë se “Carmina Burana” është vepra më spektakolare muzikore që mund të performohet. Sipas tij, nuk është spektakolare veç për ata që luajnë, por po ashtu edhe për publikun.

“Mendoj që misioni i muzikantëve është ky: Që të japim emocione te njerëzit dhe me këtë lloj muzike kjo është shumë e lehtë. Sonte ndjeva diçka speciale. Nuk ishte veç energji, por një lidhje midis publikut, Orkestrës e Korit. Ishte diçka magjike. Kjo nuk ndodh shpesh. Jam shumë i lidhur me Shqipërinë. Pastaj bashkëpunimi me Korin e Kosovës, që është i mirënjohur në botë, na ka dhënë këtë rezultat të madh”, ka thënë ai. Ka shtuar se veçanërisht në vitin 2023 njerëzve u duhet diçka e bukur si koncerti i së martës në Tiranë.

“Nëse njerëzit mund të vazhdojnë të besojnë në të bukurën, në artin e në muzikën. Muzika është shoqëri e dashuri. Muzikantët mund t’i japin botës mesazhe të rëndësishme si dashuri për të gjithë. Unë vij nga Italia e sot po punoja me shqiptarë, italianë e të tjerë. Por ne kuptoheshim nëpërmjet muzikës”, ka thënë Jacopo Sipari di Pescasseroli.

{gallery}

Dhjetëshja për Korin dhe Orkestra në nivel

Filharmonia e Kosovës dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit kanë shpeshtuar bashkëpunimin kohëve të fundit. Sidomos për veprat si “Carmina Burana”, bashkimi i forcave është bazë për sukses.

“Bashkëpunimi sidomos nga viti i kaluar është intensifikuar shumë. Për dallim prej fillimeve të vitit të kaluar, sivjet do të kemi edhe ardhjen e TKOB-it në Prishtinë për bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës. Ky bashkëpunim është shumë i rëndësishme për këmbimin e përvojave dhe hapjen e shtigjeve të reja për mundësinë e paraqitjeve tona, aq më tepër në këtë sallë madhështore që i mungon Prishtinës”, ka thënë Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës.

Dirigjenti i Korit të Filharmonisë së Kosovës, Hajrullah Syla, i cili është marrë me përgatitjen e këtij ansambli, ka thënë se performanca ishte një finale shumë e mirë, megjithëse ka pasur shumë pak prova të përbashkëta.

“Megjithatë, u arrit një rezultat i mirë dhe mendoj se jemi të kënaqur me atë që pamë sonte. Bashkëpunimet e tilla janë mjaft të rëndësishme. Të them të drejtën këto bashkëpunime i kemi filluar vonë, por po vazhdojnë. Tash në mes të këtij bashkëpunimi na ka mbetur që ta kemi TKOB-in në Prishtinë”, ka thënë Syla.

Drejtoresha e TKOB-it, Abigeila Voshtina, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq bashkë me Filharmoninë e Kosovës janë bërë si një trupë e vetme në raste kur veprat kërkojnë profesionistë e masivitet.

“Sidomos për këto programe që janë vokale-simfonike dhe janë të dedikuara në një shkallë vështirësie nga 1 te 10, në numrin 10 për sa i përket Korit. Nuk po them që Orkestra nuk ka peshën e saj. Siç e patë ishte një Orkestër madhështore në të gjitha elementet”, ka thënë ajo. Sipas Voshtinas, bashkëpunimi është një sukses i përbashkët që arrin të japë një forcë të jashtëzakonshme .

“Këtë e kanë treguar edhe historia, edhe kultura jonë. E mira është që ne këtë po e vëmë në jetë dhe po bëjmë vërtet një kalendar të përbashkët, ku pothuajse një herë në dy muaj trupa e njërit vend shkon te tjetri”, ka thënë ajo. Ka paralajmëruar se në maj TKOB do të jetë në Kosovë me operën “Skënderbeu” të Vaso Toles.

Baritonit Armando Likaj koncerti i ka dhënë ndjesi të mrekullueshme. Dinamikën e muzikës së jashtëzakonshme e ka përshkruar si diçka që nuk ndodh shpesh.

“Brenda pak minutash vepra vjen sa sentimentale, e brishtë e po ashtu e fortë e shpërthyese herë pas here. Treguesi më i fortë ishte publiku që na mirëpriti sonte. Ishte jashtëzakonisht i zjarrtë e shumë i dashur. Na ngrohi dhe na dha emocionet që kjo vepër meriton, por edhe na tregoi punën që kemi bërë”, ka thënë ai. Sipas tij, institucionet e muzikës në Kosovë e Shqipëri shpesh duhet bërë një.

“Sonte Kori ka kumbuar ashtu sikurse e kërkon kjo vepër madhështore. Kjo ishte fantastike”, ka thënë ai.

Në fund të qershorit të vitit të kaluar Filharmonia e Kosovës e kishte përmbyllur sezonin me “Carmina Burana”. Qe një interpretim që bashkoi mbi 2 mijë veta në koncert në ambient të hapur, duke bërë që Prishtina të marrë pamjen e ndjesinë e një qendre evropiane. E në Tiranë ky përjetim u arrit në ambientet e TKOB-it në kohën kur bota po përballet me konflikte të egra. Mesazhet e veprës janë sa të qarta, ashtu edhe unike, ku nëpërmjet artit njerëzimit i bëhet thirrje të kthejë sytë nga humania.