Kulturë

Një vit zvarritje, tre kandidatë për drejtor të Qendrës Kinematografike

Zëvendësuesi aktual i drejtorit, Lum Çitaku, regjisorja Blerta Zeqiri, dramaturgu Visar Krusha janë treshja që synojnë pozitën e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Fillimisht kandidat ishte edhe regjisori Alban Beqiraj, por është tërhequr nga konkursi. Është dashur më shumë se një vit që Ministria e Kulturës të hapë konkurs për drejtor të QKK-së

Pas më shumë se një viti prej se Qendra Kinematografike e Kosovës ka mbetur pa drejtor, tre kandidatë ia kanë mësyrë kësaj pozite. Zëvendësuesi aktual i drejtorit, Lum Çitaku, regjisorja Blerta Zeqiri, dramaturgu Visar Krusha janë treshja që synojnë të udhëheqin për katër vjet institucionin më të lartë kinematografik në vend. Fillimisht kandidat ishte edhe regjisori Alban Beqiraj, por ai nëpërmjet një shkrese elektronike ka njoftuar Ministrinë e Kulturës se është tërhequr nga konkursi. Këtë vendim, siç ia ka konfirmuar KOHËS, ka thënë se e ka marrë për arsye private.

Ministria e Kulturës dhe Këshilli Drejtues ende nuk kanë nisur procedurën e testimit. Pritet që Këshilli Drejtues të mblidhet këtë javë e të vendosë se kur do të nisë procedura.

Lum Çitaku para se të bëhej zëvendësues i drejtorit ka punuar në QKK si zyrtar për marrëdhënie me publikun. Ka studiuar për antropologji mediatike.

Blerta Zeqiri është regjisore e filmave si “Martesa”, Kthimi”, “Exit” e “Darka”. Me “Kthimi” më 2012 ajo, midis të tjerash, kishte fituar Çmimin e Jurisë në Festivalin e Filmit në Sundance. Prej dhjetorit të vitit 2013 deri në gusht të vitit 2014 ishte drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, kur ky institucion udhëhiqej nga Shpend Ahmeti, i cili asokohe kishte garuar në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje.

E dramaturgu Visar Krusha është skenarist i filmit të shkurtër “Tre minuta vetmi”, serisë “Brenda drejtësisë” dhe producent i filmit “Babai” nën regji të Visar Morinës. Prej tetorit të vitit 2018, për katër vjet ishte drejtor i teatrit “Dodona” në Prishtinë.

Kryetarja e Këshillit Drejtues të QKK-së, aktorja Xhejlane Tërbunja, ka thënë se ende nuk kanë nisur procedurat e testimit.

“Në ditët në vazhdim do të merremi me procesin”, ka thënë shkurt ajo.

E anëtari i Këshillit Drejtues, Luan Daka, ka thënë se si punëtor shumëvjeçar i kulturës është shumë i interesuar që drejtori të jetë një njeri me kulturë të gjerë e jo simpatizant i ndonjë partie.

“Është në interesin e përgjithshëm për ne që të kemi një drejtor të përgatitur pasi është punë shumë serioze. Nuk është veç një detyrë, por duhet punë shumë serioze”, ka thënë ai. Sipas tij, pa dyshim se duhet zgjedhur një menaxher i mirë, por duhet të jetë edhe organizator i shumëfishtë.

“Por duhet të ketë edhe njohje të mirë kulturore në kinematografi, në letërsi”, ka thënë ai.

Është dashur më shumë se një vit që Ministria e Kulturës të hapë konkurs për drejtor të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Praktikisht, prej korrikut të vitit 2021, kur qe pezulluar nga detyra Arben Zharku, Qendra Kinematografike e Kosovës është pa drejtor. Në muajin dhjetor të atij viti, Zharku mori vendimin përfundimtar të Ministrisë së Kulturës për shkarkimin e tij. Në janar të këtij viti Ministria e Kulturës kishte publikuar konkursin që ishte i hapur nga dita e 24-t e shkurtit deri më 10 mars.

Ish-drejtori Arben Zharku qe shkarkuar më 10 dhjetor 2021. Në atë vendim nuk jepej tjetër sqarim, por i kishte dhënë fund një sage shkarkimesh, pezullimesh, paralajmërimesh për shkarkim e që në fakt ishte si një “kronikë shkarkimi të paralajmëruar”.

Episodi i parafundit i kësaj serie qe ai i fillimit të nëntorit të vitit 2021, kur Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës sërish do të vendoste se ishin përmbushur kushtet që Zharku të shkarkohej nga pozita që e mbante. Për dallim nga vendimi i gushtit, kur Komisioni kishte nxjerrë vendim për “largim nga shërbimi civil”, tash ky komision kishte vepruar pak më ndryshe, duke nxjerrë vendim se janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore “largim nga shërbimi publik”. Me këtë, Ministria e Kulturës e kishte rikonfirmuar se ia kishte mësyrë që me çdo kusht Zharkun ta shkarkonte nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike. Duke shkelur procedurat e duke dalë jashtë kompetencave, dështoi ta bëjë këtë në fund të verës së kaluar, por Komisioni Disiplinor i MKRS-së tek atëherë do ta kuptonte që ministri është kompetent për shkarkim. Do t’i rekomandonte atij që ta bënte një gjë të tillë, pasi “janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore - largim nga shërbimi publik”. Për gjashtë muaj Zharku ishte pezulluar, shkarkuar, kthyer, për të ardhur deri te shkarkimi përfundimtar, katër muaj para se të përfundonte mandatin e dytë, në marsin e vjetëm.

Sipas konkursit, kandidatët duhet të kenë diplomë universitare nga fusha e artit dhe kulturës, 7 vjet përvojë pune, prej tyre 4 vjet në vende udhëheqëse. Sipas konkursit, kandidatët duhet të prezantojnë projektin për zhvillimin e Qendrës Kinematografike të Kosovë dhe të kenë aftësi negociuese dhe bindëse për të përfaqësuar interesat e institucionit. Midis të tjerash, udhëheqësi i këtij institucioni ka për obligim të përcaktojë politikat operacionale për përmbushjen e detyrave të QKK-së, mbikëqyrë dhe vlerëson punën e personelit, harton projektbuxhetin e përgatit raportet javore.

Në janar të këtij viti është zgjedhur edhe udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo pozitë kishte mbetur bosh gati tre vjet. Galeria Kombëtare e Kosovës është pa drejtor që prej gushtit të vitit 2020.