Kulturë

Ministri i Kulturës te monumenti i djegur: Qyteti, më shumë sesa qendra tregtare

Një ditë pas përfshirjes nga flakët, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është rikthyer te monumentit gati njëshekullor, objekti i shkollës së parë shqipe në Ferizaj. Prej aty ka thënë se qytetet pa kujtesë s’kanë identitet. “Qyteti është më shumë sesa qendra tregtare, ndërtesa të reja, hapësira e rrugë që vijnë si investime të reja”, ka thënë ministri Çeku të mërkurën, përderisa prej monumentit ende del tym

Tymi ka vazhduar të dalë edhe në mesditën e së mërkurës prej objektit të shkollës së parë shqipe në Ferizaj, “Ismail Qemali”, pavarësisht shiut të dendur të mëngjesit. Së paku tre policë të uniformuar kanë kujdestaruar vazhdimisht rreth e përqark ndërtesës së djegur një ditë më parë. Herë pas here numri i tyre rritej derisa policët civilë inspektonin e fotografonin brenda e jashtë monumentit të ndërtuar më 1928-30. Nëpërmjet shkallëve të gjata metalike, zjarrfikësit kanë hequr tjegullat e djegura të tetë klasave të shkrumbuara vetëm një ditë pasi nisën punimet për restaurimin e objektit të mbrojtur të trashëgimisë kulturore, por që ende nuk dihet saktë se cili do të jetë destinimi i tij. Dhe derisa policët, zjarrfikësit e hetuesit bënin punën e tyre brenda shiritit të verdhë me mbishkrimin “Do not cross”, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka qëndruar bashkë me deputetët ferizajas të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti e Dimal Basha.

Të hënën ndërtesa kishte nisur të restaurohej me projektin që peshon gjysmë milioni euro. E mëngjesi i së martës e gjeti me zjarr duke bërë që t’i bjerë çatia e të mbeten vetëm muret. Institucionet e sigurisë kanë konfirmuar shpejt se bëhet fjalë për dyshime se ndërtesës i është vënë flaka qëllimshëm.

Në anën tjetër, institucionet e trashëgimisë kulturore nuk do të heqin dorë nga restaurimi i monumentit. Pos të martën, edhe të mërkurën i pari i kulturës, Hajrulla Çeku, ka vëzhguar nga afër monumentin.

Në një prononcim për KOHËN, ai, duke marrë shkas rastin në Ferizaj, ka thënë se gjërat duhet të ndryshojnë.

“Qyteti është më shumë sesa qendra tregtare, ndërtesa të reja, hapësira e rrugë që vijnë si investime të reja. Pa kujtesën, qytetet mbesin pa identitet”, ka thënë ai.

Sipas Çekut, Kosova ka shumë komuna dhe ka vetëm një ministri që merret me trashëgiminë kulturore. Ka thënë se shpesh kujdesi nuk lidhet vetëm me mungesën e buxhetit.

“Buxheti është një faktor, por mund të tejkalohet, sepse në fund të fundit mund të ketë një prioritizim ndryshe. Duhet ta kultivojmë një lloj kujdesi pak më të madh të komunave ndaj këtyre ndërtesave të cilat në nivel të komunave dhe në nivel të grupeve të interesit që operojnë në këto komuna shihen vetëm si pengesa të projekteve të tyre”, ka thënë ai. Sipas perspektives së ministrit Çeku, monumentet duhet të mirëmbahen krahas zhvillimit urbanistik.

“Projektet e tyre janë ndërtime nga e para, të cilat nuk them se nuk janë të nevojshme, por nuk mund të realizohen në dëm të së kaluarës e në dëm të monumenteve dhe në vend të asaj që qytetarët i japin vlerë si e kaluar e tyre”, ka thënë ministri Çeku.

KOHA gjatë ditës së mërkurë ka marrë vesh se institucionet e trashëgimisë kulturore nuk mund të kenë qasje në monument derisa të kalojnë tri ditë pas zjarrit në mënyrë që të kalojë rreziku. Më pas autoritet komunale, bashkë me institucionet e trashëgimisë kulturore do të bëjnë vlerësimin e dëmeve në mënyrë që të revidohet projekti restaurues. E Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore do të hartojë po ashtu një raport, i cili do të merret edhe me anën e sigurisë.

Punimet të hënën kanë nisur pa u bërë rrethimi i vendpunishtes. Kompania që ka fituar tenderin, sipas përfaqësuesve të saj, kishte planifikuar që të martën të bëhej rrethimi.

Përfaqësues politikë e qytetarë të tjerë të Ferizjat kanë reaguar duke thënë se tentimet për zjarrvënie në ndërtesë ishin të vjetra.

E demolomi i qëllimshëm i monumenteve është vepër që sanksionohet me Kodin Penal të shtetit. Të martën pasdite në vendngjarje kishte dalë vetë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari. Sipas tij, ka pasur një mobilizim të plotë dhe të gjitha njësitet policore janë duke u marrë me rastin.

“Ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kemi autorizuar që të merren edhe kamerat e sigurisë në të gjitha objektet përreth këtij objekti me qëllim që të identifikohen personat e dyshuar, të cilët kanë kryer këtë vepër të rëndë penale. Ju siguroj se në momentin që identifikohet personi, ai do të arrestohet dhe do të sillet para drejtësisë”, kishte thënë Jashari. Hetimet për zjarrvënie të qëllimshme i kishte konfirmuar edhe drejtori i Policisë Rajonale në Ferizaj, Basri Shabani. Ai kishte treguar se menjëherë është formuar një task-forcë për t’u marrë me rastin.

Autoritetet komunale kishin kritikuar për pasiguri të objektit e neglizhencë paralajmërimesh.

Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt, kishte thënë se Ministria dhe kompania që ka marrë përsipër restaurimin është dashur të krijonin siguri për objektin para se të niste projekti.

Ndërtesa, një prej më të rëndësishmëve si monument në krejt Komunën e Ferizajt, ishte neglizhuar ndër vite. KOHA ndër vite ka raportuar për këtë monument.

Në vitin 2017, në “E diela me KOHËN Ditore”, qe botuar reportazhi i veçantë për këtë monument.

“Vitet 1928-‘30 janë shkruar mbi portën kryesore të objektit, sa për të dëshmuar kohën kur u ndërtua. Vitet nuk do të tregonin ‘moshën’ sikur objekti të mos ishte i lënë pas dore. Por, në pamjen që ka marrë lë përshtypjen e një objekti katrahurë. Është godinë e madhe e me shumë kthina. Dyert e saj qëndrojnë të mbyllura, por me aq sa shihet nga ndonjë vrimë e krijuar apo nga ndonjë xham i thyer, gjendja brenda objektit është si mos më keq. Dyert e drurit janë megjithatë të hijshme, por moskujdesi për to ua ka humbur shkëlqimin”, shkruante Artan Krasniqi në reportazhin “Shkolla me dyer të mbyllura ku ruhet historia”. Midis shenjave të tjera në një pllakë të zezë me shkronja të bardha ishin të gjithë emrat e, siç shkruante aty, “arsimtarëve që kanë punuar në Gjimnazin Shqiptar të Shtetit në Ferizaj në vitet 1946-1955”. Ndër të tjera, qysh para pesë-gjashtë vjetësh, në këtë artikull shkruhej se “rrënimi i këtij objekti është edhe çështje diskutimi në Ferizaj”.

Ndërtesa ishte nxjerrë pak në pah në tetor të vitit të kaluar. Festivali i Teatrove në Ferizaj, më i vjetri në Kosovë, në edicionin e 52-të nëpërmjet konceptit të “Retroteatri”, kishte realizuar shfaqjen “Udha e shkronjave - 1965” në këtë ndërtesë. Festivali ka reaguar pas djegies së monumentit.

“Synimi kryesor ishte thirrja për institucionet gjegjëse si alarm për gjendjen e mjerueshme dhe sigurinë e këtij objekti të rëndësishëm. Zjarri në këtë objekt, që është arkiv i mijëra kujtimeve të shumë gjeneratave, është një humbje e pakompensueshme, andaj kryerësit e këtij veprimi dhe përgjegjësit e të gjitha institucioneve gjegjëse duhet të japin llogari”, shkruhet në reagim. Aty po ashtu bëhet e ditur se Festivali i Teatrove do të vazhdojë punën dhe vëmendjen e veçantë në afirmimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të rajonit të Ferizajt.

Image

Objekti i shkollës së parë shqipe në Ferizaj, të mërkurën, një ditë pasi u përfshi nga flakët