Kulturë

Digjet monumenti në Ferizaj, hetime për zjarrvënie në nisje të restaurimit

Zjarrfikësit kanë arritur që të shpëtojnë një pjesë të vogël të çatisë

Në ditën kur ka nisur konkretizimi i projektit prej gjysmë milioni eurosh për restaurimin e Shkollës së Parë Shqipe në qytetin e Ferizajt, objekti i ndërtuar në fund të dekadës së tretë të shekullit XX, është përfshirë nga flakët. Kulmi është bërë shkrumb, e autoritetet menjëherë kanë nisur hetimet për zjarrvënie të qëllimshme. Ministria e Kulturës është zotuar se nuk do të heqë dorë nga restaurimi, pavarësisht asaj që ka ngjarë në mëngjesin e së martës

Pa u bërë 24 orë prej se nisi implementimi i projektit restaurues që peshon gjysmë milioni euro, monumenti më i rëndësishëm i qytetit të Ferizajt është përfshirë nga flakët. Pjesa më e madhe e çatisë ka rënë dhe asaj që njihet si Shkolla e Parë Shqipe e këtij qyteti, i kanë mbetur vetëm muret.

Autoritet kanë konfirmuar se dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, përderisa policia ka nisur hetimet. E, Ministria e Kulturës është zotuar se nuk do të heqë dorë nga restaurimi, pavarësisht asaj që ka ngjarë në mëngjesin e së martës.

Task-forcë deri në zbulimin e rastit, mobilizohen autoritetet

Rreth orës 04:30 të mëngjesit, Policia ishte njoftuar se monumenti i ndërtuar më 1929 kishte marrë flakë. Zjarrfikësit kanë arritur që të shpëtojnë një pjesë të vogël të çatisë. Ndërtesa, që është një prej dhjetë monumenteve të Ferizajt përtej vlerës arkitekturore, posedon edhe vlera shoqërore, pasi ishte adresa e parë e një shkolle shqipe në këtë qytet. Pas restaurimit parashihet që të shndërrohet në hapësirë kulturore për qytetin rrëzë Jezercit.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka bërë të ditur se dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme në monument.

Image
Ndërtesa, që është një prej dhjetë monumenteve të Ferizajt përtej vlerës arkitekturore, posedon edhe vlera shoqërore, pasi ishte adresa e parë e një shkolle shqipe në këtë qytet

E demolomi i qëllimshëm i monumenteve është vepër që sanksionohet me Kodin Penal të shtetit. Në vendngjarje ka dalë vetë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari. Sipas tij, ka pasur një mobilizim të plotë dhe të gjitha njësitet policore janë duke u marrë me rastin.

“Ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kemi autorizuar që të merren edhe kamerat e sigurisë në të gjitha objektet përreth këtij objekti me qëllim që të identifikohen personat e dyshuar të cilët kanë kryer këtë vepër të rëndë penale. Ju siguroj se në momentin që identifikohet personi, ai do të arrestohet dhe do të sillet para drejtësisë”, ka thënë Jashari.

Pas tij, veprimet e Policisë i ka konfirmuar drejtori i Policisë rajonale në Ferizaj, Basri Shabani. Ka treguar se menjëherë është formuar një task-forcë për t’u marrë me rastin.

“Menjëherë kemi intervenuar dhe njësitë relevante të Policisë së Kosovës janë duke u marrë me rastin dhe me incizimin e vendit të ngjarjes dhe janë duke i marrë të gjitha veprimet për të ardhur te zbulimi i kryerësit të kësaj vepre penale, i cili e ka dëmtuar këtë objekt jashtëzakonisht të rëndësishëm për Ferizajn dhe shoqërinë”, ka thënë Shabani.

Image
Pas restaurimit parashihet që objekti i Shkollës së Parë Shqipe në qytetin e Ferizajt që të shndërrohet në hapësirë kulturore. Në këtë gjendje është llogaritur se nuk do të mjaftojnë 500 mijë euro, sa ishin paraparë për këtë projekt

Ministri Çeku: Krim ndaj trashëgimisë, s’tërhiqemi nga restaurimi

Pasditen e së martës bashkë me zyrtarët e autoriteteve të drejtësisë, monumentin e ka vizituar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Edhe Çeku ka folur për zjarrvënie të qëllimshme. Ka thënë se Qeveria nuk do të heqë dorë nga restaurimi. Sipas tij, veprimi i bërë në raport me monumentin është krim kundër trashëgimisë kulturore.

“Kushdo që ka bërë përpjekje për ta dëmtuar një objekt apo një projekt të shtetit, ai nuk mund t’ia dalë sepse restaurimi do të vazhdojë shumë shpejt, pasi që zjarrfikësit do të na lejojnë të futemi në objekt. Ne e kemi formuar edhe ekipin, i cili do ta bëjë vlerësimin e dëmit të ndërtesës dhe në momentin që ta kemi vlerësimin e dëmit, atëherë do të nisin procedurat për sanimin e dëmit për të krijuar kushte që të vazhdojë projekti”, ka thënë ministri Çeku. Sipas tij, Ministria e Kulturës nuk do të tërhiqet dhe nuk do të dorëzohet para kujtdo “që e ka bërë këtë krim ndaj trashëgimisë dhe ndaj të kaluarës e historisë dhe identitetit e veçanërisht ndaj një monumenti që ka vlera të jashtëzakonshme për qytetarët e Ferizajt dhe gjithë Kosovën”.

“Për fat të keq, ka ndodhur kjo situatë dhe reagimi i institucioneve ka qenë i menjëhershëm. Procedurat e tjera janë duke u ndjekur, ndërkaq jemi në koordinim me Prokurorinë e Policinë dhe të gjitha institucionet e tjera”, ka thënë ai, i shoqëruar nga disa zyrtarë të institucioneve të trashëgimisë kulturore, përfshirë Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore.

Autoritetet komunale kritikojnë për pasiguri të objektit e neglizhencë paralajmërimesh

Autoritet komunale në Ferizaj kanë mbështetur mobilizimin për të gjetur zjarrvënësit e dyshuar. Por kanë pasur edhe kritika ndaj MKRS-së.

Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt, ka thënë se Ministria dhe kompania, që ka marrë përsipër restaurimin, është dashur të krijojnë siguri për objektin para se të nisë projekti.

“Është dashur të bëhet rrethoja me rreth dy metra lartësi para se të nisin punimet dhe me këtë rast ishte krijuar një siguri e punishtes dhe e objektit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë ai. Ka shkuar përtej kësaj.

“Gjithashtu edhe pas disa deklaratave që janë dhënë, është tentuar t’i hedhet faji nivelit lokal, por kjo nuk qëndron sepse ky objekt është në kuadër të Ministrisë të Kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai. Ka shtuar se Komuna e Ferizajt para disa vjetësh kishte aplikuar në fondet e IPA-s për ta restauruar këtë monument, por shkaku i mosbashkëpunimit të duhur nuk ishte arritur qëllimi.

Rasti ka bërë që edhe një pjesë e qytetarëve të Ferizajt të reagojnë ashpër.

Image
Rreth orës 04:30 të mëngjesit të së martës, Policia ishte njoftuar se monumenti i ndërtuar më 1929 kishte marrë flakë

Regjisori Besim Ugzmajli, njëherësh udhëheqës artistik i teatrit “Adriana”, ka thënë se bëhet fjalë për një tragjedi.

“Vazhdimisht kemi paralajmëruar se ky objekt është në rrezik, institucionet e kanë marrë nën mbrojtje, por si duket çdo institucion që merret nën mbrojtje të shtetit bëhet edhe më i rrezikuar prej grupeve të ndryshme të interesit”, ka thënë Ugzmajli. Ka përmendur se ka pasur tendenca të vazhdueshme për djegien e këtij objekti, derisa zjarri i është futur disa herë nga persona të pandërgjegjshëm, por dëmet nuk kishin shkuar deri në këtë masë.

“Thuhet se ekzistojnë edhe plane konkrete se çka është menduar në të kaluarën që të ndërtohet në këtë objekt, qoftë objekte banesore apo diçka tjetër në interes të biznesit, por këto mund të jenë ndoshta vetëm ‘thashetheme’ sepse unë nuk kam parë ndonjë projekt konkret lidhur me këtë objekt. Sidoqoftë individëve nuk u intereson trashëgimia kulturore, por u intereson më shumë biznesi...”, ka thënë ai.

Tendencat për ta shkatërruar ndërtesën edhe në të kaluarën i ka përmendur edhe deputeti që vjen nga ky qytet, Enver Haliti.

Ai në emisionin “60 minuta” në KTV ka thënë se monumenti ka qenë cak i shkatërrimit edhe dy herë të tjera.

“Nuk është hera e parë. Më 2017 po ashtu është synuar që të digjet dhe disa individë të ndërtojnë objekte shumëkatëshe. Më 2019 po ashtu është synuar të bëhet i papërdorshëm që të ndërtohen ndërtesa të larta”, ka thënë ai. Sipas Halitit, kësaj radhe dëmtimet janë shumë më të mëdha. Ka përmendur faktin se djegia do ta rrisë koston e restaurimit.

“Shpresojmë që kompania, që ka qenë duke kryer punimet, të vazhdojë punimet. Normalisht, do të rritet kostoja e projektit. Çatia ka qenë e shëndoshë para djegies, s’ka pasur nevojë për intervenim. Tash do të jetë më vështirë se përpara. Fatmirësisht, muret janë të mbrojtura. Janë nga materiali që nuk ndizet”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit e kompanisë “Limit Project”, që ka nisur restaurimin, kanë konfirmuar se të hënën e kanë nisur punën.

“Në ditën e parë janë marrë me fazë përgatitore të vendpunishtes. Për të martën kemi planifikuar që të bëhet rrethimi i vendpunishtes në mënyrë që të sigurohet ambienti”, ka thënë në emër të kompanisë njëri nga bashkëpronarët. Sipas tij, planet kanë qenë që puna të përfundojë sipas kontratës. Sipas tij, gjatë ditës së parë të punës nuk kanë vërejtur ndonjë gjë të dyshimtë në raport me ndërtesën.

Objekt me peshë i trashëgimisë kulturore i neglizhuar prej kohësh

Në vitin 2017, në “E diela me KOHËN Ditore”, qe botuar reportazhi i veçantë për këtë monument.

“Vitet 1928-30 janë shkruar mbi portën kryesore të objektit, sa për të dëshmuar kohën kur u ndërtua. Vitet nuk do të tregonin ‘moshën’ sikur objekti të mos ishte i lënë pas dore. Por në pamjen që ka marrë lë përshtypjen e një objekti katrahurë. Është godinë e madhe e me shumë kthina. Dyert e saj qëndrojnë të mbyllura, por me aq sa shihet nga ndonjë vrimë e krijuar apo nga ndonjë xham i thyer, gjendja brenda objektit është si mos më keq. Dyert e drurit janë megjithatë të hijshme, por moskujdesi për to ua ka humbur shkëlqimin”, shkruante Artan Krasniqi në reportazhin “Shkolla me dyer të mbyllura ku ruhet historia”. Ndër të tjera, aty përshkruhej se në muret e të dyja anëve të pushimores është vënë nga një pllakë mermeri. Të dyja shpërfaqin histori. Në muret e të dyja anëve të pushimores është vënë nga një pllakë mermeri. Të dyja shpërfaqin histori.

“E para është vënë në vitin 2006. Ishte e bardhë kur u vu dhe me shkronja të zeza ka këtë përmbajtje: ‘Në këtë ndërtesë në vitin 1941 u hap Shkolla e Parë Shqipe, shkolla fillore ‘Ismail Qemali’ në Ferizaj me drejtorin e parë Fadil I. Hoxha nga Shkodra. Kurse në vitin 1946 u themelua Gjimnazi i Ulët Shqiptar me arsimtarin dhe drejtorin e parë Ekrem Kasapolli nga Peja. Ky program punoi deri më 1955”, shkruhet në pllakën që në fund, në të majtë, ka “nënshkrimin” Këshilli Organizativ e në të djathtë datën 30.06.2006, Ferizaj.

Përballë saj, pllaka tjetër, që është e zezë, me shkronja të bardha mbart gjithë emrat e, siç shkruan aty, “arsimtarëve që kanë punuar në Gjimnazin Shqiptar të Shtetit në Ferizaj në vitet 1946-1955”. Ndër të tjera, qysh para pesë-gjashtë vjetësh, në këtë artikull shkruhej se “rrënimi i këtij objekti është edhe çështje diskutimi në Ferizaj”.