Kulturë

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” i flet Hagës për tmerret e luftës në Kosovë

Kryevepër letrare, dhuratë botës, vepër që lexohet me një frymë dhe që e bën lexuesin të ndiejë deri në palcë dhimbjen e nënave kosovare për humbjen e fëmijëve, është vlerësuar nga kritikët holandezë vepra “Një fije shprese, një fije shkrepëse” e shkrimtarit Ag Apolloni. Vepra e cila në holandisht mori titullin ‘’Een sprankje hoop, een lont’’ është përkthyer nga Jan Jansen.

Pas rrugëtimit dyvjeçar nëpër duart e lexuesit shqipfolës, që nga tetori i vitit të kaluar libri i Ag Apollonit - “Një fije shprese, një fije shkrepëse” ka nisur shtegtimin edhe drejt lexuesit holandez. Doku-romani i cili është shkruar me një stil të veçantë, ku bashkëjetojnë fakti e fiksioni, rrëfen për pasojat e luftës së fundit në Kosovë. Teksa ndërlidhet me një sërë faktesh e statistikash reale të luftës së fundit në Kosovë, romani rrëfen edhe vuajtjet e dy nënave të cilave ua kishin vrarë djemtë në luftë; atë të Ferdonije Qerkezit dhe Pashkë Markut. Në holandisht vepra është përkthyer nga Jan Jansen, ndërsa është botuar nga “Het Hereldvenster”

Ceremonia e promovimit të veprës në gjuhë holandeze u bë më 17 shkurt, ditën kur Kosova festoi pesëmbëdhjetëvjetorit e Pavarësisë. Ngjarja u zhvillua në Hagë, vend i cili shqiptarëve më shumë se artin e kulturën ua kujton seancat e gjykimit dhe ku, për krimet e luftës së fundit në Kosovë ishte gjykuar edhe Slobodan Milosheviqi.

Me ftesë të Ambasadës së Kosovës në Holandë, në promovimin e librit i pranishëm qe edhe vetë autorit, Ag Apolloni. Libri në gjuhën holandeze i kishte rënë në dorë edhe kritikes së njohur holandeze, Mieke Bal, e cila, në një koment dhënë për KOHËN, e cilësoi atë si kryevepër.

“Një doku-roman që me anë të një stili të përmbajtur e rrëfimi të shkurtër rrëfen tmerret e luftës, duke qëndruar pranë përvojave të viktimave dhe njëkohësisht duke shmangur patetikën e tepërt: kjo është dhurata e Ag Apollonit për botën. Është një kryevepër letrare që ia vlen të shndërrohet në film”, ka thënë Bal, e cila ligjëron teorinë e letërsisë në Universitetin e Amsterdamit.

promovimin e librit kishte marrë pjesë edhe shkrimtarja holandeze Gerda Mulder, e cila, teksa ka folur për romanin, ka treguar edhe për njohjen me historinë e njërës prej personazheve kryesore të romanit, Ferdonije Qerkezi.

“Kohët e fundit romanin e Apollonit e kam lexuar në holandisht. Më prekën shumë historitë pikëlluese të Pashkës dhe Ferdonijes. Unë e kam vizituar Kosovën shumë herë, sepse jam edhe autore e guidës së parë në gjuhën holandeze për Kosovën. Në vitin 2017 kam qenë në Gjakovë, ku pata blerë librin ‘Monografi e krimeve të luftës në Gjakovë 1998-1999’, të cilin edhe e kam lexuar. Nuk i kam harruar kurrë tragjeditë e shumta të atij libri. Aty tregohet edhe historia e Ferdonisë”, ka bërë të ditur Mulder, e cila është autore e një sërë guidash për Shqipërinë dhe Kosovën, përfshirë: “Tirana”, “Shqipëria Veriore”, “Kosova”, “Shqipëria Jugore” e të tjera.

Ndjeshmërinë e rrëfimit dhe mënyrën e veçantë të shkrimit të romanit i ka vlerësuar edhe përkthyesi në holandisht i veprës, Jan Jansen.

“Janë tregime reale, pa ndërhyrje, dhe kjo shkakton te lexuesi një ndjesi të lidhjes direkte me ato dy nëna. Kjo krijon një lidhje emocionale me ngjarjet. Para se të më binte në dorë libri, kisha dëgjuar që është rrëfim prekës dhe që lexohet me një frymë”, ka thënë ai për KOHËN.

Jansen, i cili gjatë viteve 1979-2004 ka punuar edhe si zëdhënës i Amnesty International për Jugosllavi dhe Shqipëri, ka treguar arsyet që e kishin shtyrë t’i përvishej punës së përkthimit të veprës.

“Botuesit holandezë të romanit më kanë pyetur nëse do mund ta përktheja atë. Ata e dinin se kisha qenë disa herë në vendet shqipfolëse të Ballkanit, me mision për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut. Libri i Agut përshkruan ngjarje që kanë ndodhur në rrethin e Gjakovës gjatë luftës dhe përjetimet e dy grave. Meqenëse në Kosovë pata ardhur menjëherë pas luftës, dhe kam qenë edhe në Gjakovë, ngjarjen që zhvillohet në roman e kam shumë për zemër. Për këtë arsye kam pranuar menjëherë kërkesën për përkthimin e tij dhe tani jam krenar që libri është botuar në holandisht, i cili është edhe përkthimi i parë i tij në një gjuhë tjetër”, ka bërë të ditur ai.

Duke qenë se Jansen ishte edhe udhëheqës i panelit të diskutimit midis shkrimtarit Apolloni dhe publikut të pranishëm në promovimin në Hagë, ai ka ndarë diçka edhe nga ajo ditë.

“Të pranishmit në promovimin e librit në Hagë kanë treguar shumë interes për librin dhe mënyrën e shkrimit. Aty u organizua edhe një diskutim me autorin, i cili në një rast u pyet se pse udhëtimi i tre burrave nga Prishtina për në Gjakovë fillon e mbaron në të njëjtin vend, para katedrales ‘Nëna Terezë’. Sipas autorit, kjo gjë ka karakter simbolik, meqenëse të dy gratë janë nëna dhe libri e përshkruan reagimin e këtyre dy nënave karshi humbjes së djemve të tyre”, ka thënë ai.

Për librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” u fol edhe në ndejën zyrtare të ambasadorit të Kosovës në Holandë, Dren Doli. Siç ka bërë të ditur Mulder, Doli kishte bërë një krahasim midis rastit të familjes së Ferdonijes dhe familjes së tij, e cila në atë kohë jetonte jo fort larg saj.

“Fjalimin para diku 300 të ftuarve, Doli e nisi me një parathënie të Ag Apollonit dhe librit të tij. Dren Doli është nga Gjakova dhe në atë kohë ishte djalë i ri dhe jetonte në të njëjtën rrugë me Ferdonijen. Duke lexuar librin ai kuptoi se ajo që ndodhi me këtë familje - Ferdonija humbi burrin dhe katër djemtë e saj në mars të vitit 1999 - mund t'i kishte ndodhur edhe familjes së tij. Kjo histori personale e bëri fjalimin e tij shumë të fortë dhe emocionues”, ka treguar për KOHËN, Mulder. Ajo gjithashtu ka folur edhe për filmin dokumentarë të Ferdonijes, i cili përmendet në libër, por që ajo vetë e kishte zbuluar tek pas takimit me Apollonin.

“Më vonë Ag Apolloni më ka treguar se dy regjisorë: Shkurte Dauti dhe Gazmend Bajri bënë një dokumentar kushtuar jetës dhe 'shtëpisë-muze' të Ferdonijes. Nuk e kisha ditur më herët. Shkova dhe e shikova menjëherë filmin, i cili mund të gjendej shumë lehtë në internet e që ishte prodhuar në vitin 2016. Të gjithë ata që e lexojnë librin duhet ta shohin edhe filmin! Do të ndiesh diçka nga dhimbja e nënave të qindra djemve, vëllezërve dhe burrave që ende figurojnë të zhdukur në Kosovë”, ka vlerësuar Mulder

Pas “Ulurimës së ujkut” dhe “Zazen”, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është romani i tretë i Apollonit, botuar në vitin 2020. Dy vjet pas, më 2022, Apolloni botoi romanin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”. Ky është përkthimi i parë i “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, ndërsa romani tjetër i tij, “Ulurima e ujkut”, përveç në shqip, mund të gjendet edhe në maqedonisht, çekisht dhe në gjuhën malazeze.