Kulturë

“Pak dritë” me 35 krijime që zbërthejnë sfida e vullnet për të ecur para

Bëhet fjalë për rrëfime të shkruara qartë e krejt thjesht. Por ana përmbajtjesore e kompleksiteti i jetës së këtij komuniteti zbërthehet midis rreshtave. E kjo anë shpërfaq vështirësitë, bashkë me vullnetin për t’i kaluar ato
 

Libri i radhës nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës sjell 35 krijime nga 13 shkrimtarë, midis tyre të verbër dhe me shikim të dëmtuar. Me poezi e prozë vijnë krijues që për herë të parë shkrimet e tyre u zbuluan për lexuesit. Midis tyre ka edhe të tjerë që në krijimtarinë e tyre kanë disa vepra të botuara

Një faqe e gjysmë i mjafton ta përmbledhë jetën e tij prej kur e mban mend. Uran Syla, i lindur në vitin 2008, pas një komplikimi shëndetësor mbeti i verbër. “Jeta ime” mban titullin tregimi i tij, i publikuar në librin “Pak dritë”. Jetën, ballafaqimin me sfidat për t’u shkolluar e për të qenë pjesë e shoqërisë dhe lojërave me bashkëmoshatarët, Syla i përshkruan në atë mënyrë që gjatë leximit duket sikur ai është përballë duke e rrëfyer vetë historinë e jetës së tij. Theksin e vë te përkushtimi i prindërve dhe dashuria që e ka për jetën.

Si Syla janë edhe 12 të tjerë, autorë të përbashkët të këtij libri. Secili nga ata mes rreshtash përcjell mesazh, ndjeshmëri dhe mendim, me gjuhë të rrjedhshme e fraza të ndërtuara bukur, jo rrallë duke shprehur paradokset e jetës së personave me nevoja të veçanta.