Kulturë

Tërmeti në Turqi shkatërron Kalanë antike të Gaziantepit

Kalaja antike e Gaziantepit u shemb gjatë tërmetit me magnitudë 7.8, që goditi Turqinë në orët e para të 6 shkurtit. “Disa nga kullat në pjesën lindore, jugore dhe juglindore të Kalasë historike të Gaziantepit u shkatërruan nga tërmeti. Mbetjet u shpërndanë nëpër rrugë”, njoftuan mediat lokale

Tërmeti, i cili goditi Turqinë dhe Sirinë në mëngjesin e së hënës, ka dëmtuar Kalanë e Gaziantepit, një vend historik dhe një atraksion turistik në juglindje të Turqisë.

Kalaja u shemb gjatë tërmetit me magnitudë 7.8, që goditi Turqinë në orët e para të 6 shkurtit.

“Disa nga kullat në pjesën lindore, jugore dhe juglindore të Kalasë historike të Gaziantepit u shkatërruan nga tërmeti. Mbetjet u shpërndanë nëpër rrugë”, njoftuan mediat lokale.

“Rrethojat prej hekuri rreth Kalasë ishin të shpërndara në trotuaret përreth. Është shembur edhe muri mbajtës i Kalasë. Në disa kulla janë vërejtur çarje të mëdha”, shkruhej në raportime.

Edhe kupola dhe muri lindor i xhamisë historike “Sirvani”, e cila ndodhet shumë afër Kalasë dhe thuhet se është ndërtuar në shekullin e 17-të, u shembën pjesërisht.

Në bazë të gërmimeve arkeologjike, Kalaja u ndërtua për herë të parë si kullë vrojtimi në periudhën romake në shekullin e dytë dhe të tretë dhe u zgjerua me kalimin e kohës. Ajo mori formën e saj aktuale gjatë kohës së perandorit bizantin, Justinianit. Së fundmi, shërbeu si muze panoramik i mbrojtjes dhe heroizmit të qytetit të Gaziantepit.

Deri tani në mbrëmjen e së hënës ka pasur më shumë se 18 dridhje të regjistruara me përmasa 4 shkallë e sipër të Rihterit, që nga lëkundjet fillestare. Një nga më të fortat që ka goditur Turqinë tash e një shekull.

Deri të hënën është raportuar për më shumë se 3000 njerëz të vdekur në të gjithë zonat e prekura nga tërmeti në Turqi dhe Siri.

Sipas zëvendëspresidentit të Turqisë, Fuat Oktay, rreth 1700 ndërtesa janë dëmtuan në 10 qytete turke.

Përktheu: A. Berisha

VIDEO: