Testamenti i shkrimtarit Hivzi Sulejmani përfundimisht po gjen zbatim, dhe thirrja për pjesëmarrës në atë që është kthyer në “Rezidenca 17” është shembulli konkret. “Infrared” si vazhdimësi e projektit të nisur në vitin 2019 do të zbatohet aty në formatin rezidencial. Nëpërmjet tij synon identifikimin e çështjeve emergjente të ambientit duke praktikuar studion e hapur.
“Shtatëmbëdhjetë” mëton t’i japë frymë shtëpisë së Hivzi Sulejmanit në lagjen “Taslixhe” në Prishtinë me aktivitetet e saj. Hulumtues, teoricienë, shkencëtarë, shkrimtarë e artistë të mediumeve të ndryshme janë ftuar për qëndrim në rezidencë në periudhën midis një dhe tre muajsh. Pjesëmarrësit do të japin ide hulumtuese dhe eksperimentuese gjatë kësaj kohe, mirëpo edhe do të organizohen biseda e prezantime ku publiku do të ketë qasje të përcjellë nga afër procesin e punës të secilit brenda rezidencës.
Sipas Sihana Klisuricës, zyrtare për komunikim në “Fondacionin 17”, aktivitetet konkrete varen nga aplikimet dhe projektet fituese për qëndrim në rezidencë. Sipas saj, “Infrared” është zhvilluar duke u bazuar në natyrën e rrezes infra të kuqe, e padukshme për njeriun, por që ndihet si nxehtësi dhe shihet vetëm me pajisje të veçanta. “Në të njëjtën vijë të mendimit, rezidenca e artit ‘Infared’ aspiron përmes artit të identifikojë çështje emergjente të ambientit. Prandaj përfshin të gjitha llojet e qasjeve për qëllim të rezidencës përtej zhvillimit artistik. Në këtë mënyrë ‘Infared’ përmes rezidencave mëton të krijojë dialog publik mbi çështjet e ambientit”, ka treguar ajo në një përgjigje me shkrim.
“Fondacioni 17” kishte nënshkruar dy vjet më parë marrëveshje me Komunën e Prishtinës për ta marrë në shfrytëzim për pesë vjet një pjesë të shtëpisë së shkrimtarit Hivzi Sulejmani. Në maj të vitit të kaluar kishte filluar kampi për restaurim dhe ripërdorim të mobilieve të vjetra. “Restore & Reuse old furniture” ishte zbatuar nga fondacioni “CHwB Kosova” në kuadër të programit “Heritage Lab”. Hapësira e restauruar u përurua në gushtin e kaluar. Në ceremoni, nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatqiu, kishte konfirmuar mbështetjen për nevoja të tjera dhe për idetë në projekte të ngjashme.
Kjo nuk është ngjarja e parë që mbahet në këtë rezidencë, pasi në fund të shtatorit të kaluar artisti austriak Georg Klüver-Pfandtner kishte prezantuar projektet e tij të mëhershme duke dhënë detaje rreth koncepteve dhe idesë së krijimit. Një muaj më pas, për publikun kosovar ishte prezantuar edhe veprimtaria e artistes tjetër austriake Veronike Eberhart, veçanërisht projekti i saj “Hit like a girl” që fokusohet në bateritë dhe sinkronizimin në luajtjen e tyre.
Koncepti i saj është të ftohen njerëzit përmes thirrjeve të hapura për t’iu bashkuar rezidencave tematike lokale dhe rezidencave e shkëmbimeve ndërkombëtare. Të tillat synojnë të kontribuojnë në rritjen e rrjeteve mes artistëve, por edhe përmes praktikave të artit bashkëkohor. Parashihet që disa herë brenda vitit do të zbatohet ky program rezidencial. Sipas Sihana Klisuricës nga “Fondacioni 17”, janë organizuar një seri takimesh për të diskutuar se cilat janë nevojat që kjo hapësirë duhet të adresojë dhe se cilët do të ishin përdoruesit potencialë të hapësirës së “Rezidenca 17”. “Përkundër këtyre aktiviteteve të vogla dhe shkëmbimeve, hapësirat e rezidencës nuk kanë qenë të gjitha të gatshme për shfrytëzim gjatë vitit të kaluar. Kështu që mund të themi se me rezidencën INFRARED në njëfarë forme po i hapim zyrtarisht të gjitha hapësirat për shfrytëzim. Sigurisht se kjo është vetëm thirrja dhe programi i parë, shumë shpejt do të publikojmë edhe thirrje të tjera për shfrytëzimin e studiove dhe për programe të tjera”, ka thënë ajo.
Aktivitete të tilla nuk janë të reja për “Fondacionin 17” me strukturat brenda tij. Rezidenca e artit “Infrared” kishte nisur zbatimin si projekt në vitin 2019, duke u shënuar me dy ekspozita të ndryshme. Në këtë vit ishte hapur ekspozita “Additions”, ku piktura, fotografi e instalime me video kishin qenë rezidenca artistike e “Infrared”, që pos në “Galerinë 17” ishte prezantuar edhe në qytetin e Mitrovicës. Foleja e shpezëve kishe qenë koncepti i ekspozitës, në të cilën shpalosej ndërhyrja në habitatet e shpendëve. Rezidenca konsistonte në identifikimin e atyre hapësirave duke u dhënë mundësi artistëve të rezidencës të eksplorojnë ato pjesë të qytetit.
Ishte hapur, po ashtu, ekspozita “Given” në kuadër të “Infrared”, po ashtu e kuruar nga Blerta Hoçia. Në të përfshihej një “oazë” e vogël prej shkurresh e barishtes mes degradimit me beton në një pjesë qyteti të kthyer në natyrë. Edicioni i dytë i saj, mbajtur në mars 2021, gjithashtu trajtonte tema që lidhen me çështjet urgjente mjedisore; si ndotja e ajrit, plastika, mbipopullimi, shpyllëzimi, dhe ndotja e ujërave nga hidrocentralet. Pjesëmarrës ishin artistët: Abi Shehu, Berat Bajrami, Laureta Hajrullahu, Bib Frrokaj, Lumturie Krasniqi, Yll Xhaferi, Lori Lako dhe Bobb Attard.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.