Kulturë

“Dasmat dhe Pampersat” peshon progresin e ngecjet në çështje gjinore

I realizuar më 2007, dokumentari “Dasmat dhe Pamersat” është rikthyer kësaj radhe në Ferizaj dhe ka shërbyer si pikënisje për diskutimin mbi rolet gjinore brenda familjes. Katër çifte hapin shpalosin përditshmërinë e tyre. Nëpërmjet tij hapet mundësia për të tërhequr paralele e për ta krahasuar gjendjen e tanishme me atë të para 15 vjetëve
 

Filmi dokumentar “Dasmat dhe Pampersat”, nën regji të Antoneta Kastratit dhe Cassey Cooper Johnson, është rikthyer më shumë se 15 vjet pas realizimit, duke shërbyer si pikënisje e diskutimit për çështje gjinore. Teatri “Adriana” në Ferizaj ka qenë nikoqir i shfaqjes së filmit para audiencës së përbërë kryesisht nga të rinjtë. Katër çifte nga rajone të ndryshme dhe marrëdhënie të veçanta bashkëshortore hapën dyert e shtëpisë së tyre, duke paraqitur partishmërinë e tyre në rrëfim dokumentar. Ka qenë viti 2007 dhe mënyra e ndarjes së punëve në shtëpi, në të shumtën e rasteve nis nga aspekti gjinor. Vetëm njëri prej çifteve, burri e gruaja bashkëveprojnë në rritjen e fëmijëve dhe në përkujdesjen ndaj tyre. “Dasmat...” ec nëpër një varg normash tradicionale që e kushtëzojnë gruan të jetë protagonistja e shumë punëve në shtëpi.

Pikërisht kjo mënyrë e paraqitjes së realitetit shoqëror qe ajo që ngjalli diskutimin midis publikut dhe panelisteve që “truAktiv” solli në skenë.