Kulturë

Skulpturat naziste qëndrojnë ende të ekspozuara në Gjermani

Derisa ishte në pushtet, udhëheqësi nazist, Adolf Hitler, kishte porositur dhe blerë vepra të shumta arti. Disa prej tyre qëndrojnë edhe sot në hapësirat publike në Gjermani dhe në muzetë e atjeshëm. Aty përfshihen dy blerje të reja në Berlin

(DW) – “The Spandau Citadel” në Berlin ka shtuar dy skulptura të epokës naziste në koleksionin e përhershëm të saj të monumenteve. Artisti nazist, Josef Thorak, krijoi dy “Kuajt e shpejtë” (të njohur në gjermanisht si “Schreitende Pferde” për Kancelarinë e Reichut të Ri, Adolf Hitlerit në Berlin.

Të dyja skulpturat kanë nevojë për restaurim. Njëra prej tyre tashmë është vendosur në ekspozitën e përhershme, ku vizitorët mund të shohin statujën dhe procesin e restaurimit.

Të porositura nga Hitleri në kulmin e fuqisë së tij, binjakët kolosal “Kuajt e Shpejtë” kishin qëndruar në kopshtin e selisë së Qeverisë së Hitlerit nga viti 1939 deri në 1943. Ishin pjesë e mijëra veprave prej bronzi të krijuara për regjimin nazist në përpjekjet e tij për të transformuar Berlinin në kryeqytet perandorak botëror të “Gjermanisë”.

Josef Thorak u lind në Vjenë më 7 shkurt 1889. Ndoqi Akademinë e Artit të Vjenës për të kaluar përfundimisht në Akademinë e Artit të Berlinit në vitin 1915. Pas studimeve, ai u përqendrua si skulptor i veprave monumentale si ato 4 metra të larta, figurat për ndërtesën e “Reichsbank” në qytetin perëndimor gjerman të Buer.

Stili i tij, i siguroi atij porosi të shumta qeveritare dhe u bë i njohur ndërkombëtarisht kur punoi, ndër të tjera, në Monumentin e Sigurisë në Ankara, Turqi, në vitin 1934.

Nga viti 1937 e tutje, Thorak u bë një prej skulptorëve të preferuar të nazistëve, i angazhuar për të krijuar skulptura të panumërta propagandistike që theksonin forcën dhe lavdinë e supozuar të regjimit nazist.

Thorak lulëzoi derisa Hitleri dhe regjimi i tij persekutuan artistë hebrenj dhe modernë për të cilët ata pretendonin se prodhonin “art të degjeneruar” dhe plaçkitën koleksionet e koleksionistëve të artit hebre. Ai u divorcua nga gruaja e tij hebreje dhe pranoi një pozicion prestigjioz në Akademinë e Arteve të Bukura të Mynihut. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte vazhduar të krijonte pa u sfiduar deri në vdekjen e tij më 1952.

“Kuajtë e shpejtë” u rizbuluan vetëm në vitin 2015 pas një serie bastisjesh spektakolare në një unazë tregtare nëntokësore të artit që vepron në Gjermani. Policia ka siguruar statujat binjake si dhe skulpturat nga Fritz Klimsch dhe Arno Breker, dy nga artistët e tjerë të preferuar të Hitlerit.

Synohej me siguri që veprat të shiteshin në tregun e zi, sepse arti nazist mbetet tabu në tregun zyrtar, siç kishte thënë historiani i artit Christian Fuhrmeister në vitin 2015. “Janë disa koleksionistë privatë në Gjermani, në SHBA ose në Rusi, janë njerëz entuziastë për këtë”, kishte thënë ai.

Sipas faqes zyrtare të “Spandau Citadel”, ish-kështjellë e Rilindjes e kthyer në hapësirë ekspozimi, qëllimi i ekspozimit të skulpturave është të iluminojë se si “fuqia perspektive e shtetit donte të formësonte peizazhin e qytetit të Berlinit” nëpërmjet monumenteve që ata kishin porositur. Koleksioni përmban monumente të krijuara nga viti 1849 deri në 1986, që mbulojnë Reichun gjerman, Republikën e Weimarit, Gjermaninë naziste dhe Gjermaninë Lindore.

Duke deklaruar në ueb faqen e tyre se skulpturat janë “dëshmi të historisë gjermane”, muzeu i ka konsideruar monumentet e paraqitura si “simbole të mëdha” të historisë gjermane. Mbiemri “i madh” mund të zgjojë reagime, por Muzeu pretendon se po synon të transformohet në qendër për studimin e monumenteve “toksike”. Blerjen e “Striding Horses” e ka mbështetur edhe qeveria federale.

Shfaqja e artit nazist ka çuar në protesta të ashpra më parë. Vitin e kaluar, Pinakothek në Mynih u kritikua nëpërmjet një letre të hapur për ekspozimin e pikturës së Adolf Zieglerit, një tjetër artist nazist. Georg Baselitz, një nga artistët aktualë më me ndikim në botë, ka bërë thirrje që ajo të hiqej.

“Është tronditëse që propaganda naziste është e mundur në këtë mënyrë të turpshme në një muze të Mynihut”, ka shkruar Baselitz gjatë tetorit të kaluar. Ka shtuar se ishte “e padurueshme” që veprat e artistëve të persekutuar nga nazistët të vareshin pranë veprës së një artisti përgjegjës për persekutimin e tyre.

Në fakt, shumë skulptura propagandistike naziste mbeten në hapësira publike, si në Stadiumin Olimpik të Berlinit, të porositura nga regjimi nazist për Lojërat Olimpike të vitit 1936. Përpara Kupës së Botës më 2006, ku ky stadium ishte një nga vendet e ngjarjes, disa aktivistë kishin bërë thirrje për të hequr statujat. Megjithatë, qyteti kishte refuzuar kërkesën me arsyetimin se largimi i saj do të ishte mohim i historisë së Gjermanisë.