Kulturë

Pasardhësi i Xhafer Devës padit ambasadorin e Gjermanisë, kërkon drejtësi

Valdet Deva, i cili prezantohet si nipi i Xhafer Devës, do t’i kërkojë drejtësisë gjermane që ta shqyrtojë deklaratën e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, sa i përket restaurimit të ish-shtëpisë së Xhafer Devës. Të mërkurën padinë e ka nisur nëpërmjet postës për në Gjykatën e Berlinit. “Padia është për shpifjet e ambasadorit. Kërkojmë drejtësi për të vërtetën, drejtësi për historinë e kombit shqiptar dhe figurave më eminente shqiptare”, ka thënë Deva

Njëri prej pasardhësve të familjes Deva, ia ka mësyrë që nëpërmjet drejtësisë të kërkojë përgjegjësi ndaj ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde. Duke e vlerësuar deklaratën e diplomatit gjerman si shtrembërim të historisë, Valdet Deva i cili prezantohet si nipi i Xhafer Devës, do t’i kërkojë drejtësisë gjermane që të shqyrtojë deklaratën e Rohdes sa i përket restaurimit të ish-shtëpisë së Xhafer Devës. Të mërkurën padinë e ka nisur nëpërmjet postës për në Gjykatën e Berlinit.

Historia e kësaj nisme të Valdet Devës i cili jeton në Suedi, zë fill në shkurt të vitit të kaluar. Asokohe, Ministria e Kulturës së bashku me partnerët ndërkombëtarë, ishte gati për ta nisur restaurimin e ish-shtëpisë së Xhafër Devës në Mitrovicë. Projekti ishte pezulluar kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, kishte deklaruar publikisht duke thënë që të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës”.

Për këtë Valdet Deva ka bërë gati padinë ku shkruan se më 7 shkurt 2022, “i pandehuri ka shkruar një postim për Xhaferin përmes rrjetit social Twitter”.

“Në atë postim, i pandehuri ka shkruar se Xhafer Deva ka qenë aktivisht i përfshirë në Holokaustin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më tej i pandehuri thotë se Xhafer Deva ishte një bashkëpunëtor i njohur i nazistëve që ka kryer krime lufte”, shkruhet në padi. Sipas padisë, Xhafer Deva nuk mori pjesë asnjëherë në Holokaust.

“Përkundrazi, gjatë kohës sa ishte ministër i Brendshëm, Xhafer Deva ndihmoi mbi 2000 hebrenj të largoheshin nga nazistët”, shkruhet në këtë dokument të publikuar nga Valdet Deva.

Aty sqarohet se deklaratat e ambasadorit Rohde e kanë tronditur familjen Deva.

“Pas kësaj dëshmie, njerëzit dhe autoritetet na trajtojnë shumë keq dhe tregojnë përbuzje. Ne u ofenduam rëndë nga një deklaratë e tillë shpifëse, ndaj do të kërkoja që akuza dhe shkelja të konsiderohen të rënda”, shkruhet në padinë ku janë bashkëngjitur deklaratat e ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë. Në padi shkruhet se familja do të paraqesë prova për të kundërtën e asaj që ka thënë ambasadori Rohde. Si dëshmitarë janë shkruar gazetari veteran dhe historiani Jusuf Buxhovi dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi.

“Në një datë të mëvonshme, paditësi do të paraqesë pretendime për dëmshpërblime për shkak të shpifjes së rëndë, dëmit të rëndë dhe vuajtjes psikologjike dhe sociale”, shkruhet në padi.

Valdet Deva i ka thënë KOHË-s se padinë e ka nisur nëpërmjet postës.

“Padia është për shpifjet e ambasadorit. Kërkojmë drejtësi për të vërtetën, drejtësi për historinë e kombit shqiptarë dhe figurave më eminente shqiptare”, ka thënë ai, të mërkurën pasdite, nëpërmjet një komunikimi me shkrim.

Ka treguar se ambasadorit Rohde i ka dërguar tri letra por nuk ka marrë përgjigje. Ka thënë se është takuar edhe me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Sipas tij, me disa letra i është drejtuar Qeverisë së Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

KOHA të mërkurën pasdite i ka dërguar pyetje ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, por ai nuk është përgjigjur. Pasditen e së mërkurës KOHA i ka nisur pyetje edhe Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë. Deri të mërkurën vonë, nuk ka marrë përgjigje.

Deklarata e ambasadorit të Gjermanisë në shkurt kishte bërë që procesi i restaurimit të shtëpisë që prej pas Luftës së Dytë Botërore, është shtetëzuar të pezullohej. Në ditën e 8-të të shkurtit Zyra e BE-së në Kosovë bashkë me atë të UNDP-së kishin dalë me një deklaratë të përbashkët duke bërë të ditur pezullimin e projektit. E MKRS-ja kishte paralajmëruar se do të presë një kohë, por do ta zbatojë projektin vetë nëse partnerët ndërkombëtarë heqin dorë. Para se çështja të shndërrohej në telash të madh, shkaku i veprimtarisë së ish-pronarit të ndërtesës ikonike, MKRS-ja po bashkëpunonte për restaurim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe UNDP-në. Këto dy institucione ndërkombëtare nuk kanë bërë hapa të tjerë pos pezullimit.

E në MKRS gjërat kanë lëvizur. Për vitin e kaluar ky institucion kishte planifikuar 100 mijë euro, e të cilat nuk janë shpenzuar. E për këtë vit, janë 300 mijë në Ligjin për buxhetin e vitit 2023, tashmë të miratuar.

Në marsin e vjetëm, një muaj pas pezullimit të procesit, Ministria e Kulturës kishte thënë se janë duke zhvilluar konsultime me bashkëpunëtorët e projektit për të marrë një vendim se si do të veprohet.

“Ministria e Kulturës është e përkushtuar që të sigurojë të gjitha kushtet e domosdoshme për të vazhduar këtë proces bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, kishte thënë Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Ish-pronari i Shtëpisë, Xhafer Deva, qe ministër i Brendshëm i Shqipërisë prej vitit 1943 deri më 1944, në kuadër të Këshillit të Regjencës. Deva është figurë polarizuese e historiografisë. I takoi Qeverisë, që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe, e për disa të tjerë ishte bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë.

Në shkurt të vitit të kaluar, historiania zvicerane, Franziska Zaugg, që është docente në Universitetin e Freiburgut në Zvicrën franceze dhe drejton një projekt shkencor në Universitetin e Bernit, kishte thënë se Xhafer Deva ishte politikan mes kolaboracionizmit dhe patriotizmit. E intervistuar nga gazetari Enver Robelli ajo kishte thënë se nuk i pëlqejnë shpjegimet bardh e zi, aq më pak kur bëhet fjalë për historinë e Kosovës të shekullit XX.

“Xhafer Deva është një person i larmishëm dhe me dritëhije jashtëzakonisht të ndryshme”, kishte thënë ajo.

Por Shtëpia, ish-pronar i së cilës qe Xhafer Deva, mbrohet me ligj si trashëgimi arkitekturore. E ndërtuar në vitin 1930, ndërtesa solli frymë të arkitekturës evropiane në Mitrovicë. Pas restaurimit llogaritet të jetë qendër kulturore dhe seli e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.

Qeveria më 9 shkurt të vitit të kaluar, qe shprehur e vendosur për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës, kur bëri të ditur se nuk do tërhiqej nga investimi në një prej monumenteve më reprezentative, jo veç në Mitrovicë.

Në një konferencë për media, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte thënë se diskutimi i hapur ka burimin në Serbi.

“Debati i ditëve të fundit ka origjinën në Serbi dhe është shumë e qartë”, kishte thënë Çeku. Me këtë u ishte referuar deklaratave të ministres së Kulturës dhe Informacionit në Serbi, Maja Gojkoviq, e cila kishte bërë thirrje që të ndalej projekti, shkaku i figurës së Xhafer Devës.

“Paradoksalisht, një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve i ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të Holokaustit ose duke e paraqitur projektin e restaurimit të këtij monumenti si përpjekje për rishkrim të historisë. Është narracion i gënjeshtërt që vjen nga Serbia, sepse faktet historike janë kokëforta dhe qartësisht s’janë në anën e Serbisë”, kishte komentuar ministri Çeku thirrjen e homologes së tij në Serbi. Sipas tij, monumenti i mbrojtur, që në Listën e Trashëgimisë Kulturore formalisht figuron me emrin Shtëpia e Xhafer Devës, është monument me pronësi publike. Kishte shpjeguar se gjatë historisë së saj ka pasur funksione të shumta publike, përfshirë Shtëpinë e Shëndetit apo funksione të tjera.

Historia e ndërhyrjeve në këtë monument daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015, Shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018, ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.

MKRS-ja zyrtarisht ka shpenzuar 92 mijë e 996 euro deri më tash sa i përket këtij monumenti.