Në një projekt goxha ambicioz është përfshirë “Autostrada Biennale” e Prizrenit tek bashkon forcat me “Postane” të Stambollit dhe “Studio Rizoma” të Palermos nëpërmjet programit “Residency on the Road” të organizatës “Allianz” me bazë në Berlin, së cilës Bienalja iu bashkëngjit nëntorin e kaluar. Në tri qytetet do të synohet hartimi i planeve të reja që i kontribuojnë artit bashkëkohor dhe mbrojtjes së mjedisit
Skena kulturore e Kosovës është ajo që kryesisht depërton jo veç për art, por edhe krijon lidhje e bashkëpunime ndërkombëtare. I tillë është programi rezidencial “Residency on the Road” ku “Autostrada Biennale” e gjen veten midis Stambollit e Palermos në bashkëpunim për programin unik të hulumtimit dhe prodhimit.
Njerëz që u takojnë profesioneve të ndryshme bëhen bashkë në fokuse të përbashkëta: në artin bashkëkohor dhe në mbrojtjen e mjedisit.
Edicioni i parë i programit vjen si tentativë për rrugëtim të gjatë. Nëntë pjesëmarrës do të përfshihen për të ushtruar praktikat e tyre në secilin qytet nga një javë në temën “Dekolonizimi i Ushqimit: Uji, Toka dhe Trashëgimia”.
“Autostrada Biennale” e Prizrenit ka nisur të zgjerojë horizontin e veprimtarisë së saj në kuadër të qendrave të fondacionit “Allianz” me seli në Berlin, brenda më pak se tre muajve që kur u bë pjesë e tij. Siç përshkruhet, programi rezidencial do të jetë pjesë e programit vjetor, të cilin e nis që në fillim me bashkëpunim ndërkombëtar. Njerëz të profesioneve të ndryshme nga Prizreni a më gjerë do të bëhen bashkë me ata të Palermos e Stambollit këtë pranverë, në shkëmbim përvojash e idesh në secilin qytet pjesëmarrës. “Autostrada Biennale” bashkon kultura e mendësi të ndryshme me “Postane” – pikë qendrore në jetën qytetare dhe kulturore të Stambollit, e cila ofron burime të paçmueshme për aktorë, si mbështetje hapësinore dhe teknike, financim e njohuri; dhe me “Fondazione Studio Rizoma” – qendër ndërkombëtare që avancon program të pavarur kulturor dhe social e cila i shërben zhvillimit më të gjerë të ekosistemit përreth tij, me fokus në qytetin e Palermos.
Vetë misioni i nismëtarit të programit reflekton në “Residency on the Road”. Kushte më të mira jetese për brezat e ardhshëm, duke përfshirë njerëz të fuqizuar, shoqëri të hapura dhe planet të gjallë, janë arsyet që “Autostrada Biennale” ka bërë thirrje për pjesëmarrje të individëve që u takojnë sferave të ndryshme. Artistë, shkrimtarë, kuratorë, aktivistë, arkitektë, hulumtues, kuzhinierë, dizajnerë grafikë të modës dhe të rrjeteve sociale janë ftuar për ta jetësuar aktivitetin e programit.
“Programi fokusohet në praktikat dhe në temat e lidhura me ushqimin, vënien në dyshim të praktikave konvencionale të ushqimit dhe eksplorimin, si dhe shkëmbimin e njohurive të reja bujqësore dhe kulinare”, thuhet në prezantimin për programin nga fondacioni “Allianz”, ku bëhet e ditur se temat do të variojnë nga ruajtja e biodiversitetit, bujqësia urbane, kultivimi i varieteteve në vend e jashtë tij, keqmenaxhimi i rezervave ujore e deri te nxitja e qëndrueshmërisë ekonomike nëpërmjet praktikave alternative.
Zbatimi i programit planifikohet të fillojë së pari në Palermo në fund të muajit mars, më pas në Prizren në fund të prillit, derisa stacioni i fundit i programit do të jetë Stambolli në fund të majit. Megjithatë, kjo do të jetë faza e parë e programit ku organizatat përkatëse zgjedhin nëntë pjesëmarrës – secila nga tre – të cilët planifikohen të mblidhen për punëtori të udhëhequra nga artistë, shfaqje, biseda, ngjarje muzikore, takime me aktivistë, turne tematike e sesione gatimi.
Faza tjetër, që nga “Allianz” është quajtur “faza e prodhimit”, vijon këtë vjeshtë ku pjesëmarrësit ftohen të paraqesin propozimet e tyre për të paktën dy nga qendrat e vizituara. Propozimet vlerësohen nëse do të mbështeten me buxhetin e dedikuar për projektet që vlerësohen si prodhim.
“Në këtë fazë të gjithë pjesëmarrësit janë të ftuar të aplikojnë me projekt-propozime të cilat do të vlerësohen nga komisioni; tri projektet më të mira do të mbështeten financiarisht për t’u realizuar”, ka thënë Vatra Abrashi, një nga themelueset e “Autostrada Biennale”
Sipas saj, programi do të zhvillohet në kontekstin e “Allianz” dhe pjesëmarrja në të do t’i sjellë dobi kësaj qendre.
“Kjo na ka mundësuar të përfitojmë mbështetje financiare strukturore shumëvjeçare për t’u rritur si institucion dhe ta zhvillojmë programin publik të ‘Autostrada Hangar’. Në anën tjetër, me dy partnerët e përzgjedhur, bashkërisht do të kemi programe të ndryshme të shkëmbimit, rezidenca, projekte të financuara bashkërisht dhe programeve të bashkëkuruara”, ka thënë ajo. Derisa ka folur për procedurën e aplikimit ka treguar se “programi do t'i mbulojë të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit për pjesëmarrësit e përzgjedhur”.
“Qendrat e fondacionit ‘Allianz’ janë platforma rajonale nga shoqëria civile, veprimi klimatik dhe arti e kultura. Ato formojnë rrjetin evropian që punon në zgjidhje për çështjet urgjente shoqërore të kohës sonë. Për të përballuar këto sfida nevojiten mënyra të reja shkëmbimi, bashkëpunimi dhe një vizion i përbashkët”, shkruhet në prezantimin e “Allianz-it” për rrjetin e këtyre organizatave pjesëmarrëse.
Ambienti i “Autostrada Biennale”, që mban emrin “Autostrada Hangar”, prej një ish-depoje ushtarake në Prizren u adaptua në hapësirën ku komuniteti artistik e publiku mblidhen për të krijuar e parë artin që ofrohet. Në nëntorin e kaluar ajo hapi dyert për publikun me rastin e hapjes së ekspozitës “Tregimi i Autostradës Hangar” e cila qe pasqyrim për gjithë procesin e transformimit të hapësirës boshe në vendin unik shumëdimensional. Ditë më pas kjo qendër ishte bërë pjesë e rrjetit të organizatave përkrah asaj “Allianz”.
“Autostrada Biennale” po përgatitet edhe për edicionin e katërt të saj që do të mbahet gjatë korrikut të këtij viti. Nga organizatorët është bërë e ditur se do të jetë edicioni më i madh deri më tani.