Kulturë

Muzeu Britanik në bisedime me Greqinë për kthimin e mermerëve të Partenonit

Muzeu Britanik ka konfirmuar për herë të parë se është përfshirë në “diskutime konstruktive” me Greqinë për kthimin e disa prej mermerëve të Partenonit. Gjatë muajve të fundit janë shtuar spekulimet se mund të arrihet një marrëveshje për të kthyer disa nga skulpturat e mermerit. Ato janë ekspozuar në Muzeun Britanik që prej vitit 1832, kur ishin marrë në mënyrë të diskutueshme nga Partenoni. Heqja e tyre ishte bërë nga Lord Elgin, një diplomat britanik.

Muajin e kaluar ministrat e lartë grekë konfirmuan se bisedimet sekrete midis udhëheqësit të Muzeut, George Osborne, dhe qeverisë greke kanë vazhduar për më shumë se një vit. Të mërkurën Telegrafi raportoi se mes dy palëve ishte arritur një marrëveshje, e cila mund të çojë në kthimin me huazim të disa artefakteve, në fillim të këtij viti.

Megjithatë, burime greke kanë bërë me dije se të dyja palët janë ende disi larg njëra-tjetrës. Një zyrtar i lartë grek ka thënë të mërkurën për “The Guardian” se kjo nuk është e vërtetë”. “Nuk ka një marrëveshje të tillë”, ka thënë ai.

Në një deklaratë Muzeu ka shkruar: “Ne kemi thënë publikisht se në mënyrë aktive po kërkojmë një partneritet të ri me miqtë tanë në Greqi dhe teksa hyjmë në një vit të ri diskutimet konstruktive janë duke vazhduar”.

Ndërsa Osborne ka qenë i hapur për disa kohë në lidhje me gatishmërinë e tij për të arritur një marrëveshje për të thyer ngërçin mbi skulpturat shumë të kontestuara, Muzeu nuk ka konfirmuar më parë se diskutimet ishin duke u zhvilluar në mënyrë aktive.

Greqia ka këmbëngulur prej kohësh se dëshiron që mermerët të kthehen përgjithmonë. Megjithatë, qëndrimi i vendosur i Muzeut Britanik është se çdo marrëveshje e mundshme do të shihte vetëm sende të kthyera me hua. Qeveria britanike muajin e kaluar kishte dalë me qëndrim se nuk kishte ndërmend të ndryshonte Aktin e Muzeut Britanik, ligji që e pengon muzeun të kthejë përgjithmonë ndonjë nga koleksionet e tij, përveç në rrethana shumë të kufizuara.

“Ne nuk do të çmontojmë koleksionin tonë të madh pasi ai tregon një histori unike të njerëzimit tonë të përbashkët”, shkruhej në deklaratën e Muzeut.

Muzeu do të bëjë të ditur së shpejti detajet e një plani modernizimi prej mbi 1 miliard eurosh të planifikuar prej kohësh e të quajtur “Projekti Rosetta”, në të cilin do të ketë një "riimagjinim të plotë" të Muzeut dhe një rinovim të madh të shumë prej galerive të tij.

Galeritë e Partenonit, të cilat kanë qenë në një gjendje të keqe prej disa kohësh, pritet të kenë prioritet për rinovim, gjë që, nëse arrihet marrëveshja, mund të ofrojë një moment të përshtatshëm për t'ia huazuar Greqisë disa prej tyre.

Megjithatë, thirrjet ndërkombëtare dhe greke për kthimin e përhershëm të skulpturave nuk ka gjasa të kënaqen me një huazim. Muajin e kaluar nga koleksioni i tij Vatikani ia ktheu Greqisë tri skulptura të Partenonit, duke thënë se donacioni ishte “një shenjë konkrete e dëshirës së sinqertë të (Papa Françeskut) për të ndjekur rrugën ekumenike të së vërtetës”.

Një zëdhënës i Projektit Partenon, i cili bën fushatë për kthimin e skulpturave në Athinë, tha se mirëpriti shenjat se “një zgjidhje e kësaj çështjeje të gjatë është më në fund e arritshme”.

“Ne kemi diskutuar për një marrëveshje që është e dobishme si për Greqinë ashtu edhe për Britaninë, të përqendruar në një partneritet kulturor midis dy vendeve. Kjo do ta bënte Muzeun Britanik të vazhdojë në rolin e tij si një ‘muze i botës’ duke shfaqur artefakte madhështore greke si pjesë e ekspozitave të radhës, me skulpturat e Partenonit të ribashkuara në shtëpinë e tyre të ligjshme, në Athinë”.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Mirjetë Sadiku