Në një vend të ri me infrastrukturë të paktë për arte, bienalja nomade e artit “Manifesta 14” ka ofruar mundësi për të zhvilluar lidhje ndërkombëtare dhe për të ndërtuar një profil
Për një takim ndërkombëtar të botës së artit, vizitorët në “Manifesta 14” ishin më të rinj se sa mund të prisnit. Në “Grand Hotel”, dhjetëra vajza adoleshente bredhin korridoreve, duke pozuar para instalacionave dhe duke bërë selfie të shumta pranë pikturave dhe videove.
Enesa Havoli, 19 vjeçe, thotë se “nuk kishte qenë kurrë më parë në ekspozita" dhe kishte vendosur të provonte “Manifestan”. “Është kaq e bukur”, shtoi ajo, vetëm pak metra larg instalacionit të artistes holandeze, Mette Sterre, që paraqiste një përbindësh grotesk deti prej gome.
Edicioni i 14-të i “Manifestas”, një ngjarje shëtitëse 100-ditore, e cila organizohet çdo dy vjet në një nga qytetet evropiane, u hap më 22 korrik deri më 30 tetor. Edicioni i Prishtinës, i shpërndarë në 25 vende, ishte “bërë një trend” në mesin e nxënësve të shkollave në Kosovë, thotë Eliosa Jerliu, 15 vjeçe, e cila kishte ardhur me tre shokë. Meqenëse në gusht Dua Lipa, ylli britaniko-kosovar i popit, ishte ndalur për ta vizituar “Manifestan” dhe kishte postuar për të në Instagram, “të gjithë duan të vijnë këtu”, shtoi ajo. Jerliu dhe miqtë e saj më pas u drejtuan në një dhomë që artistja kosovare Laureta Hajrullahu e kishte mbuluar me push pambuku në mënyrë që të dukej si një re. Menjëherë, të rejat nisën të pozonin dhe të bënin selfie.

Për një vend të ri si Kosova, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, ardhja e “Manifesta” këtë verë ishte e papritur, duke sjellë qindra kuratorë, artistë dhe kritikë në Prishtinë e duke i dhënë qytetit një moment të rrallë nga vëmendja e botës së artit ndërkombëtar. Hera e fundit që ishte shfaqur një interes i tillë ishte në fund të viteve ‘90, pas një lufte brutale në të cilën kryengritësit shqiptarë etnikë luftuan kundër forcave serbe që kishin kontrolluar Kosovën që nga shpërbërja e Jugosllavisë.
Kur konflikti përfundoi, kuratorë të shumtë ndërkombëtarë erdhën në Kosovë duke shpresuar të gjenin artistë që mund t’i ekspozonin jashtë vendit në mënyrë që të tërhiqnin vëmendjen për gjendjen e vështirë të vendit, thotë Jakup Ferri, artisti që përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias më 2022. Por vëmendja e tyre kaloi shpejt në vendin tjetër të telasheve globale, shtoi ai.
Struktura nomade e “Manifestas” i përshtatet fokusit të shqetësuar dhe në ndryshim të botës së artit i krijuar për të promovuar dialogun artistik midis Evropës së Lindjes dhe Perëndimit, pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Edicioni i parë u organizua në vitin 1996, në Rotterdam, Holandë. Në ekspozitat pasuese, “Manifesta” ka provokuar biseda rreth çështjeve sociale dhe politike në të gjithë kontinentin, si migrimi, një temë kryesore e edicionit të viti 2018 në Palermo, Sicili, dhe ajo e të drejtave civile, e cila ishte në fokus gjatë ekspozitës së vitit 2014, në Shën Petersburg, Rusi. Themeluesja e “Manifestas”, historiania holandeze e artit, Hedwig Fijen, tha në një intervistë se, që nga Palermoja, bienalja ka përfshirë gjithnjë e më shumë arkitektë dhe projektues për të krijuar projekte që mund të ringjallin qytetet nikoqire.
Për këtë edicion, arkitekti Italian, Carlo Ratti, krijoi një “vizion urban” për Prishtinën, duke sugjeruar mënyra se si vendet e braktisura të qytetit mund të rikuperohen për përdorim publik. Disa nga rekomandimet e tij janë miratuar, përfshirë kthimin e një traseje të braktisur hekurudhore në një vendkalim publik.
Catherine Nichols, kuratore australiane me qendër në Berlin, e cila është drejtoresha artistike e “Manifesta 14”, ka thënë se në një intervistë se bienalja po përdorte disa vende të neglizhuara si hapësira ekspozite, përfshirë Hamamin e Madh, një banjë publike historike që u mbyll në vitet ‘90 si pasojë e një zjarri. Artistja japoneze Chiharu Shiota ka varur qindra fije të kuqe në tavanin e Hamamit si në një shfaqje dramatike. Prezantime të tilla tërheqëse tërheqin një publik të madh: Një zëdhënëse e “Manifestas” tha se ambientet e brendshme ishin vizituar mbi 151.000 herë, mbi 30.000 herë më shumë se gjatë edicionit të mëparshëm të bienales.
Si një vend që i mungon infrastruktura e artit – Kosova ka vetëm një galeri të madhe komerciale, me emrin e çuditshëm “LambdaLambdaLambda” – “Manifesta” ishte gjithashtu një mundësi për të nxitur karrierën e artistëve vendas. Rreth 40 për qind e 130 artistëve pjesëmarrës ishin nga Kosova, tha Nichols, duke shtuar se kjo ishte përqindja më e lartë e artistëve vendas në krahasim me shumë bienale të tjera. (Në “Manifesta 13”, në Marsejë, Francë, kishte 13 artistë francezë, ose rreth 20 për qind e totalit.)
Shumica e kosovarëve që morën pjesë ishin piktorë ose video-artistë, tha Nichols, sepse materialet për të bërë skulptura dhe instalacione ishin shumë të shtrenjta në vend. Të gjithë ata artistë ndanë “një cenueshmëri, vrazhdësi dhe kërkim që po fillon të prodhojë art vërtet interesant”, shtoi ajo.
Dardan Zhegrova, një artist kosovar, ekspozita e të cilit përfshin një seri kukullash shumëngjyrëshe, me madhësi njerëzore, mbi të cilat vizitorët mund të shtrihen, tha se bërja e artit në Kosovë ishte e vështirë sepse kishte kaq pak koleksionistë për të blerë veprat. (Ai nuk kishte shitur asgjë për tre vjet, shtoi ai.) Por, falë shfaqjes, ai kishte takuar kuratorë nga institucione si “MoMA PS1” në New York, tha ai, duke shtuar se “qindra e qindra njerëz më etiketuan në foto, duke u shtrirë me kukullat e mia vudu dhe duke kaluar këto momente me to”.
Megjithëse disa artistë kosovarë ishin të etur për ta lavdëruar “Manifestan”, disa thanë se ishin të shqetësuar për atë që do të ndodhte pasi shfaqja të përfundonte më 30 tetor dhe të fillonin përgatitjet për edicionin e ardhshëm, në Barcelonë, në vitin 2024. Zhegrova tha se ai ishte “pak paranojak se artistët në vend do të liheshin edhe një herë duke ngrënë thërrime” me Qeverinë më pak të prirë për të mbështetur artistët kur fokusi ndërkombëtar të ketë ikur.
Fijen, themeluesja e “Manifestas”, ka thënë në një intervistë se bienalja po përpiqej të linte një trashëgimi për artistët në Kosovë, përfshirë një hapësirë të quajtur “Qendra për Praktikë Narrative”. Qendra përfshin një dhomë të errët fotografike dhe një punëtori të mbushur me mjete elektrike për t’i përdorur artistët.

Autoritetet e qytetit të Prishtinës ia kanë dhënë “Manifestas” këtë ndërtesë edhe për katër vjet, tha Fijen, dhe fondacioni që drejton bienalen po mbledh fonde për ta bërë atë një institucion të përhershëm.
Qeveria kombëtare e Kosovës po kërkon gjithashtu ta përdorë “Manifestan” si trampolinë për zhvillim.
Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, ka thënë në një intervistë të bërë në zyrën e tij të mbushur me art se deri në vitin 2026 ai dëshironte ta ndërtonte muzeun e parë të artit bashkëkohor në Kosovë. (Vendi tashmë ka një Galeri Kombëtare, me një koleksion të artit të shekullit të 20-të, megjithatë ai institucion nuk ka pasur një drejtor të përhershëm për disa vjet dhe koleksioni i tij i mirëmbajtur keq është grumbulluar në bodrum). Kosovës “i duhet një institucion që do të na lidhë me skenën botërore të artit”, tha ai, duke shtuar se kjo do të ndihmonte në përmirësimin e pozitën ndërkombëtare të vendit në një kohë kur disa vende ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Këtë verë, Çeku krijoi një komitet që përfshin artistët Petrit Halilaj, Sislej Xhafa dhe Flaka Haliti për të zhvilluar një plan për atë muze.
I ulur jashtë një lokali në Prishtinë, Haliti ka thënë se përpjekjet për të krijuar muzeun vunë në pah artistët kosovarë, të cilët po merrnin vetë iniciativë në vend se të prisnin të binin përsëri në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Si fëmijë që ishte rritur në Kosovë, Haliti ka thënë se ajo kurrë nuk kishte pasur rastin të vizitojë diçka si muzeu i propozuar i artit bashkëkohor.
“Unë shkova në një galeri për herë të parë në jetën time kur isha studente e artit”, tha ajo. “Sa e çuditshme mund të jetë kjo?”
Që nga korriku, “Manifesta” u ka dhënë të rinjve kosovarë mundësi të shumta për të parë art. Gresa Toplana, 21 vjeçe, duke vizituar bienalen me të dashurin e saj, hyri në një dhomë me një instalacion të përbërë nga karroca pazari shumëngjyrëshe dhe filloi të bënte selfie. Vepra ishte “e çuditshme” dhe jo për shijen e saj, tha ajo, por gjithsesi donte disa foto me të.
Aty pranë, Elvira Osmanollaj, 24 vjeçe, studente e modës, tha se ishte hera e parë që Prishtina kishte organizuar një shfaqje me “aq shumë gjëra interesante për t’u parë”. Ishte e dhimbshme që “Manifesta” po përfundonte, tha ajo, por ishte e sigurt që vitin e ardhshëm “do të vijë diçka e re, diçka më interesante”. Ajo thjesht nuk e dinte se çfarë.
Marrë nga “The New York Times”. Përktheu Mirjetë Sadiku