Arti i blerë për herë të parë nga shteti është ekspozuar për herë të parë para publikut. Aty janë 87 vepra që tash janë pronë shtetërore dhe i janë bashkuar fondusit prej mbi një mijë veprash, ku bëjnë pjesë edhe 121 sosh që u bartën nga janari i vjetëm prej hotelit “Grand”. Por ajo që shpërfaqin veprat e reja të blera për 300 mijë euro është një mozaik goxha kompleks i disa gjeneratave të artistëve. Ka edhe kontraste të theksuara, ku krah për krah qëndrojnë portrete piktorësh akademikë, me foto si instalacion
Është një mostër jo e vogël se nga është duke ecur arti pamor i Kosovës. Në 87 veprat e prezantuara në Galerinë Kombëtare të Kosovës paraqitet një mozaik goxha kompleks i disa gjeneratave të artistëve. Aty shihen trendet. S’ka pasur ndonjëherë paraqitje tjetër, ku për shembull bëhen bashkë, një instalacion të “Haveit” dhe “Dritarja e Gjergjit” që portreton Skënderbeu në veprën e Rexhep Ferrit. Në njërën anë katër vajza shkëmbejnë puthje franceze në qendër të qytetit si reagim në “Ditën e Shën Valentinit”, e në tjetrën është heroi kombëtar. Te e para – më e paguara nga shteti me 10 mijë euro – është paguar koncepti i një performance publike që mbetet veç në imazh. Kurse te e dyta – e paguar me 5500 euro – Qeveria ka blerë një paraqitje të kryezotit të Arbërve.
Kontrastet janë ato që e bëjnë më domethënëse atë që nuk mund të quhet ekspozitë. Galeria e ka kualifikuar si prezantim të koleksionit të veprave të artit të blera nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Bëhet fjalë për veprat e artit të blera për herë të parë nga shteti me 300 mijë euro, në gusht të këtij viti. Ishin blerë nëpërmjet një konkursi, ku juria veprat i ka parë veç si imazhe. Janë ekspozuar të martën mbrëma për të qëndruar në dispozicion të publikut deri më 15 janar.
Për shumë artistë është dashur që të ishte krejt ndryshe: të ekspozohen krejt veprat e paraqitura në konkurs e më pas të përzgjidhen për blerje. Por qasja është një muhabet që nuk përfundon kurrë.

Të dyja katet e GKK-së janë përplot me vepra.
“Është prezantimi më i mirë i këtij viti nga GKK-ja, por është i heshtur. Ndoshta po fillojmë të respektojmë të kaluarën”, ka thënë skulptori Skender Boshtrakaj.
Të pranishëm kanë qenë një pjesë e artistëve vendorë, përfshirë disa të cilëve u janë blerë veprat. Nuk kishte ceremoni hapëse e as prani të menaxhmentit të lartë të MKRS-së. Katalogu pritet të jetë gati gjatë javës, përderisa aty nuk do të ketë tekst kuratorial apo ndonjë tjetër, ta zëmë ese kritike, ku do të flitej për tendencat artistike bazuar në veprat e paraqitura. Por, për shumëkënd ky prezantim është një hap jo i vogël.
Në GKK aktualisht “përplasen” gjeneratat nëpërmjet veprave të tyre. Aty mund të “lexohet” shumë për artin vendor. Bashkëkohorja i bashkon të gjitha qasjet, qoftë te veprat që janë punuar dekada më herët edhe tek ato të viteve të fundit. Një unitet i tillë nuk mund të gjendet në Shqipëri. Prerja para se dhe pas viteve ’90 atje është si me thikë.
Zëvendësuesja e drejtorit të GKK-së, Alisa Gojani, ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për ekspozitë, por për një prezantim.
“Ideja është që njerëzit të vijnë dhe të shohin se çfarë përmban koleksioni i blerë nga Qeveria me iniciativë të MKRS-së. Krejt çfarë është blerë është prezantuar”, ka thënë ajo.

Sipas Gojanit, këto punime po mbahen në Galeri dhe ideja është që ato të udhëtojnë nëpër ambasadat e Kosovës nëpër botë.
“Besojmë do të përzgjidhen shpejt dhe të nisë udhëtimi i tyre”, ka thënë Gojani. MKRS-ja nuk e ka sqaruar asnjëherë se si do të bëhet ky prezantim i artit të Kosovës në botë.
Secila vepër ka nga një “copë” rrëfimi prapa. Katalogu që po bëhet gati do të ketë edhe “QR kode” për secilën vepër. Aty do të mund të lexohet edhe koncepti i tyre.
“Rruga e qumështit” e Driton Hajredinit vjen me një valixhe. Një korb i zi është aty sikurse te disa punime të tjera të këtij cikli. Mungojnë rrobat e aty është qumështi. Hajredini i cili jeton midis Gjermanisë dhe Kosovës, menjëherë pas luftës së fundit do t’ia mësynte vendlindjes. I interesonte momenti specifik i dëbimit nga shtëpia që policia serbe ua bënte shqiptarëve.
“Një të afërm e pyeta se çfarë i ka shkuar mendja të marrë me vete në atë moment. Ai më tha: ‘Tre litra qumësht për vajzën’. Do të thotë nga krejt pasuria që kishte i ka shkuar mendja te tre litra qumësht dhe pastaj e kam punuar veprën ‘Rruga e qumështit’”, ka rrëfyer Hajredini për historinë para veprës që tash është në pronësi të shtetit. Sikurse kjo vepër, secila prej tyre ka nga një rrëfim prapa.
Shtetit i ngelet që t’i bëjë mirë llogaritë e veprimeve të mëtutjeshme. Synohet që edhe në dy vjetët e ardhshëm të blihen prapë vepra të artit. GKK-ja në fondusin e saj nuk ka kushte e as hapësirë që të sistemojë më shumë vepra. Tashmë ka më shumë se një mijë. Në anën tjetër po vazhdon një proces për projektin e një muzeu të artit bashkëkohor. Hajredini ka thënë se konkursi për blerje të veprave të artit bashkë me atë për përfaqësim në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie janë ndërmarrjet më të mira.
“Muzeu i artit bashkëkohor duhet të bëhet dhe do të ishte mirë që fillimisht ta udhëheqë një drejtor i huaj”, ka thënë ai në katin e sipërm të GKK-së, ku edhe po qëndron vepra e tij. Aty gjenden edhe shumë të tjera, përfshirë “Refugjatin” e Hazir Rekës, i cili nëpërmjet një shkrepje të aparatit fotografik ka përjetësuar imazhin e një të moshuari refugjat lufte me plis në kokë. Është aso imazhi që çehrja i flet fort.

Skulptori Skender Boshtrakaj ka thënë se vetë fakti që njeriu nxjerr diçka nga bodrumi i shtëpisë dhe i trajton është gjë e bukur.
“Është konsideratë e respekt. Je duke rehatuar institucionin e shtëpinë tënde. Për këto vepra një gjeneratë mund të mos ia ketë idenë”, ka thënë ai. Ka shtuar se jo çdo gjë e vjetër është trashëgimi dhe jo çdo gjë e vjetër nuk është trashëgimi.
“Sa herë rikthehet e kaluara, njerëzve u jep arsye të besojnë se çdo gjë nuk fillon nga ata. Nëpërmjet këtyre gjërave fëmijëve tonë u themi se këtu bëhet, mund të jetohet, ka respekt dhe mund të qëndrojnë afër vajzat duke u puthur me Skënderbeun e Rexhep Ferrit dhe nuk janë në konflikt me njëra-tjetrën”, ka thënë Boshtrakaj.
Njëfarë instalacioni më vete ishte edhe vetë procesi i blerjes së veprave të artit.
Ministria e Kulturës hapin e parë për blerje të veprave të artit e kishte bërë në fund të vitit të kaluar. Por, i kishte shkuar ters. Në ditën e 9-të të dhjetorit, procesin e blerjes së veprave të artit pamor – të paralajmëruar me pompozitet e të përuruar si nismë në ndihmë të artistëve edhe nëpërmjet konferencave – Ministria e Kulturës e kishte zhvlerësuar. Për këtë nuk ishte menduar fort. S’i ishin dashur më shumë se 48 orë, pasi e kishte marrë vendimin dhe ka publikuar listën e veprave që ka blerë për çerek milioni euro, që ta anulojë krejt procedurën. E kishte anuluar pas një proteste të vogël të nja 20 artistëve para MKRS-së, përderisa debati midis komunitetit artistik kishte marrë hov. Në atë kohë KOHA kishte raportuar se në nëntor të po atij viti në një ankand televiziv në Shqipëri është shitur një vepër e maestro Ibrahim Kodrës (1918 – 2006), i konsideruar si njëri prej piktorëve më të njohur shqiptarë i të gjitha kohëve, që ka ekspozuar edhe përkrah Picassos, Henri Matisse, Amedeo Modiglianit, Georges Rouaultit e deri te Salvador Dali. “Instrumentisti rozë”, vaj dhe media mikse në kanavacë, 70 me 60 centimetra e vitit 1974, u shit për 7 mijë euro.
E konkursi i sivjetmë me jurinë në përbërje të Sislej Xhafës, Edi Mukës, Dita Starova-Qerimit, Sezgin Boynik dhe Dhurata Ramosajt doli të jetë i suksesshëm. Prezantimi i së martës mbrëma i ka shtuar edhe një faqe të re historisë së artit pamor në Kosovë. Se kur do të shkruhet ajo, mbetet të shihet.