Kulturë

Monumenti midis Prishtinës pret vendimin gjyqësor, rrezikon qytetarët

 Shtëpia e Musli Hoxhës në rrugën “Luan Haradinaj” është në shtylla. Plasaritjet sa vijnë e zgjerohen çdo ditë e më shumë

Tash shtatë vjet, Shtëpia e Musli Hoxhës në rrugën “Luan Haradinaj” një herë u rrethua me llamarinë, më pas me shirita dhe andej nuk lejoheshin kalimtarët. Më pas u bënë disa ndërhyrje emergjente. Qysh atëherë u fut në listë edhe si “objekt me rrezikshmëri të lartë”, por rreziku ende është evident, e për ta shmangur atë institucionet presin vendimin e gjykatës pasi është në kontest

Janë bërë më shumë se shtatë vjet që kur monumenti që gjendet në pjesën qendrore të kryeqytetit rrezikon qytetarët. Shtëpia e Musli Hoxhës në rrugën “Luan Haradinaj” është në shtylla. Plasaritjet sa vijnë e zgjerohen çdo ditë e më shumë. Institucionet e trashëgimisë kulturore dhe Komuna e Prishtinës e kanë klasifikuar atë si ndërtesë që paraqet rrezik për qytetarët. Por veprimet mungojnë.

Çështja e këtij monumenti është në gjykatë. E rreziku mbetet po aty, në njërën nga rrugët më të frekuentuara si nga këmbësorët po ashtu edhe nga makinat.

Ministria e Kulturës ka përsëritur se objekti ndodhet në një kontest gjyqësor.

“Institucionet kompetente të trashëgimisë, si Inspektorati i Trashëgimisë dhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar gjendjen e objektit dhe kanë ndërmarrë hapat e paraparë sipas ligjit dhe kanë kërkuar bashkëveprim edhe me Komunën e Prishtinës, në lidhje me objektin në fjalë”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së. Sipas këtij institucioni, nga Komuna është kërkuar që të ndërhyhet shpejt në zgjidhjen e këtij problemi. Sipas MKRS-së, shkresa e fundit i është drejtuar Komunës më datë 2 dhjetor 2022.

“Sipas konstatimeve, shtëpia paraqet rrezik për kalimtarët e rastit, dhe përkundër që objekti është në kontest gjyqësor dhe pa vendimin final të gjykatës nuk mund të ndërhyhet në objekt, profesionistët tanë të trashëgimisë kanë propozuar masa mbrojtëse për objektin që kalimtarët të ndihen të sigurt kur kalojnë pranë objektit në fjalë”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së. Aty sqarohet se Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Prishtinës është duke bërë gati dokumentacionin dhe në fazën e ardhshme do të dërgojë propozimin për mbrojtje të përhershme. Monumenti gjendet në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme.

Komuna e Prishtinës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

Image
Çështja e këtij monumenti është në gjykatë. E rreziku mbetet po aty

Qysh në qershor të vitit 2016, bashkë me 12 asete të tjera të trashëgimisë kulturore në kryeqytet ishin futur në Listën e “objekteve me rrezikshmëri të lartë”. E në ditën e parë të shkurtit të vitit 2017, Komuna e Prishtinës e rrethoi me shirit duke bllokuar ecjen në afërsi të saj. Më pas ishte rrethuar edhe me llamarinë. Tash ndërtesa ka veç shtylla që e mbajnë në këmbë. Shiritat i janë hequr.

Tentimi i institucioneve të trashëgimisë kulturore për të hartuar një projekt restaurimi e konservimi kishte bërë që të dalin në pah mosmarrëveshjet midis shtetit e pronarëve.

Krejt çfarë ka mundur të bëjë Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulture në Prishtinë ishte rrethimi me skele e vendosja e disa shtyllave si ndërhyrje emergjente që monumenti të mos shembet.

Familja Hoxha vazhdimisht ka insistuar që shteti të bëjë një zgjidhje sa i përket çështjes së banimit të tyre. Shtëpia e ndërtuar më 1927 nuk ofron kushte e siguri për ta, pasi muret e saj janë çarë dhe pjesa ballore ka anuar në drejtim të rrugës. KOHA ka marrë vesh se ekziston edhe një telash sa i përket pronësisë së ndërtesës. Njëra prej trashëgimtarëve të shtëpisë, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, më 2019 i kishte thënë gazetës se nuk dëshiron t’i përmendet emri dhe nuk do të flasë për gjendjen pa u zgjidhur çështja në gjykatë. Sipas saj, Ministria e Kulturës nuk mund ta mbajë shtëpinë nën mbrojtje të përkohshme pakufi. Kishte thënë se nëse shteti ka interes për atë shtëpi duhet të bëhet një zgjidhje për familjarët.

“Tash presim që gjykata të na e bëjë një zgjidhje”, kishte thënë ajo. Për këtë bazohej në Ligjin për trashëgimi kulturore.

“Objektet e përfshira në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme duhet të jenë nën mbrojtje të përkohshme për një vit. E drejta për kompensim për ndonjë humbje financiare bartet në gjykatë nëse objekti nuk është nën mbrojtje të përhershme pas një viti. Kompensimi i tillë vlerësohet nga një komision i pavarur që themelohet nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, shkruhet në pikën 6 të nenit 3 të Ligjit për trashëgimi kulturore.

Pikërisht bazuar në këtë nen, familja e ka dërguar çështjen në gjykatë. Një rivlerësim të shtëpisë familja e kishte kërkuar nga MKRS-ja në vitin 2017.

“Familja ka bërë kërkesë në Ministrinë e Kulturës në majin e këtij viti që të bëhet një rivlerësim i shtëpisë. Në momentin që bëhet rivlerësimi, familjes duhet t’i dorëzohen raporti dhe vendimi. Ajo është duke mbetur e listuar çdo vit dhe ne po mbesim peng. Duhet të dihet statusi i shtëpisë dhe të tregohet se çfarë do të mbërrijë Ministria e Kulturës”, kishte thënë përfaqësuesja e familjes Hoxha. Sipas saj, nëse MKRS-ja do që shtëpia të jetë monument duhet të negociohet me familjen për një zgjidhje.

“Ne jemi jashtë shtëpisë dhe nuk mund të paguajmë qira e shtëpia të jetë e listuar çdo vit. Le të na e tregojnë çmimin dhe ne e shohim mundësinë për ta shitur, pasi ne jemi duke paguar qira”, kishte thënë ajo.

Sipas disa studiuesve dhe njohësve të trashëgimisë kulturore, ajo shtëpi nuk posedon kurrfarë vlere të trashëgimisë kulturore me gjithë vjetërsinë që ka.