Me një ceremoni solemne, të mërkurën, në Vuthaj, fshat të Plavës e Gucisë, është bërë hapja e Shtëpisë së re të Kulturës.
Personalitete të shquara të botës së kulturës dhe shkencës të kësaj treve, përfaqësues të subjekteve politike shqiptare, aktivistë të dalluar të çështjes kombëtare nga vendlindja dhe diaspora, si dhe miq të shumtë nga Kosova, Shqipëria e më gjerë, kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni. Në këtë hapje në emër të familjes Ferri të pranishmit i ka përshëndetur arkeologu Naser Ferri, ndërsa shiritin e preu regjisori i shquar Isa Qosja. Akademik Rexhep Qosja, në pamundësi për të qenë fizikisht i pranishëm, të pranishmëve u është drejtuar nëpërmjet një shkrese që u lexua në këtë solemnitet.
Shtëpia e Kulturës në Vuthaj u ndërtua falë kontributeve të diasporës.
Programi festiv u plotësua me pjesëmarrjen e shoqërisë kulturore artistike "Maja e Kranfilit".
Siç është thënë edhe në ceremoni, kjo shtëpi e kulturës do të shërbejë për aktivitete kulturore me qëllim të pengimit të shpërnguljes së të rinjve nga rajoni i Plavës e Gucisë.