Kulturë

Parku Kombëtar i Butrintit me 60 për qind më shumë vizitorë sesa vitin e kaluar

Parku Kombetar Butrint

Parku Kombëtar i Butrintit këtë vit është vizituar nga një numër i madh turistësh vendas e të huaj, kanë njoftuar të martën autoritetet e Shqipërisë. Sipas statistikave, krahasuar me një vit më parë, është regjistruar rritje me 61 për qind ose 33 mijë e 225 vizitorë më shumë sesa gjatë vitit të kaluar, për periudhën nga muaji janar deri në fund të nëntorit 2022. “Kjo ka bërë që rrjedhimisht të rriten edhe të ardhurat, me 51,8 për qind”, shkruhet në njoftim.

Parku Kombëtar i Butrintit, i cili ndodhet 18 kilometra në jug të Sarandës, zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 9,424 hektarësh, një sipërfaqe e përbërë nga kodra, liqene, ligatina, këneta të kripura, fusha të gjera, moçalishte dhe ishuj. Brenda tij është konfirmuar ekzistenca e 1,200 specieve të ndryshme kafshësh dhe bimësh.

Ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë Rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar Konventës së vitit 1972, "Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore”.

Në aspektin e trashëgimisë kulturore Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon.

“Sot është një amalgamë e monumenteve që prezantojnë një hapësirë me mbi 2000 vjet nga tempujt helenikë të shekullit IV para Kr. deri në kalatë osmane të fillimit të shekullit XIX. Në bazë të mitologjisë klasike, Buthrotum u ndërtua nga mërgimtarët që ikën pasi ra Troja. Me të arritur, djali i Priamit, Helenusi, sakrifikoi një dem, i cili përpëlitej i plagosur dhe ngordhi në breg. Duke e marrë këtë si një shenjë të mbarë, vendi u quajt Buthrotum që do të thotë ‘dem i plagosur’. Poema epike e Virgjilit, Eneida, rrëfen për Eneun që vizitoi Butrintin gjatë rrugës së tij për në Itali”, shkruhet në shënimet historiografike.