Kulturë

“Identiteti” me rrënjët e simbolikat shqiptare

Descriptive Text

Veprat e Dashamir Gurabardhit sillen rreth shqiptarëve, simboleve të tyre, figurave që kanë nam botëror e deri te peizazhet e qyteteve e kalave që kanë histori prej antikës e deri në ditët e sotme. I dhënë kryesisht pas teknikës së përzier, Gurabardhi, i lindur më 1954 në Shijak, afër Durrësit, ka sjellë në Prishtinë dhjetëra printime të veprave të tij

Ka kaluar më shumë se çerekshekulli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por boshti i krijimtarisë së tij artistike mbetet Shqipëria. Veprat e Dashamir Gurabardhit sillen rreth shqiptarëve, simboleve të tyre, figurave që kanë nam botëror e deri te peizazhet e qyteteve e kalave që kanë histori prej antikës e deri në ditët e sotme. I dhënë kryesisht pas teknikës së përzier, Gurabardhi, i lindur më 1954 në Shijak, afër Durrësit, ka sjellë në Prishtinë dhjetëra printime të veprave të tij.

Ekspozita “Identiteti” zbërthen figura të ndryshme nëpërmjet teknikës së përzier. Perspektivat e artistit janë nga më të ndryshmet. Gurabardhi, i cili ka përfunduar Liceun Artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, një kohë kishte paraqitur rrënjë pemësh në veprat e tij.

“Nga rrënjë peme kam kaluar në rrënjë tonat kombëtare”, ka treguar ai pas hapjes së ekspozitës. Bartësi i medaljes “Naim Frashëri”, akorduar nga ai që ishte Kuvendi Popullor, ka luajtur me kohën në punimet e tij. Te ky cikël, midis të tjerash, paraqet edhe një orë që duket krejt e çakorduar. I ati i tij ishte sahatçi, por artisti në këtë vepër ka hallin te sahati i Shqipërisë.

“Kam paraqitur kohën shqiptare me një zero tek ora 12:00”, ka rrëfyer ai. Pos zeros, që si simbolikë e fortë përshkon veprat, edhe disa pjesë të orës së murit janë të zhvendosura. Si një artist që vazhdon me Shqipërinë nga New Jersey i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gurabardhi nuk mund t’i shmanget Shqipërisë. Vendlindja e tij, Shijaku, është shumë afër Durrësit. Qyteti bregdetar viteve të fundit ka ndryshuar shumë. Shumëkatëshet kanë marrë hov si gjithandej Shqipërisë dhe Ballkanit. Bile një pjesë e bregdetit tash është duke u bërë gati për një projekt të madh që krahasohet me portin e Monakos.

“Është Durrësi i Vjetër i viteve ’80 dhe unë e kam paraqitur si një Durrës antik. Por, tash është shpërfytyruar”, ka thënë Gurabardhi, duke folur për qytetin e tij si diçka të shkuar. Ka thënë se leku ka bërë që shumë qytete të shpërfytyrohen.

Figurat si ajo e Shën Terezës vijnë në linoleum, teknikë e njohur te grafistët, por që këtë e ka bërë më të veçantë letra e përdorur.

“Petrela u është dukur njerëzve si vullkan”, ka thënë Gurabardhi derisa ka përshkruar punimin që paraqet një prej kalave të njohura në Shqipëri. Disa prej punimeve që janë vaj në pëlhurë bëjnë pjesë në krijimtarinë e vonshme të artistit. Ato rrumbullakojnë veprat e punuara prej vaji kohëve të fundit.