Kulturë

“Kcimi i Tropojës” e Eposi i Kreshnikëve ndjekin xhubletën në UNESCO

Qeveria e Shqipërisë ka njoftuar se për në UNESCO po përgatiten edhe “Kcimi i Tropojës” e Eposi i Kreshnikëve me lahutë, është ambicia tjetër e radhës

Xhubleta në “Listën e mbrojtjes urgjente” të UNESCO-s tashmë mund të llogaritet si rast suksesi, por Qeveria e Shqipërisë ka njoftuar se synimet janë që edhe asete të tjera të trashëgimisë shpirtërore ose jomateriale të bëhen pjesë e trashëgimisë botërore. Është në përgatitje të dosjeve për “Kcimin e Tropojës” dhe Eposin e Kreshnikëve. Në fakt, dosja e Eposit ka një histori më të gjatë shoqëruar edhe me përplasje e mungesë koordinimi e që u riaktualizua kur Serbia e futi në UNESCO “Të kënduarit me gusle”

Shqipëria s’e ka ndërmend të ndalet në përfshirjen e të tjera aseteve të trashëgimisë kulturore në UNESCO. Të paktën deklarativisht, Qeveria e Shqipërisë ka bërë të ditur se është në përgatitje të dosjeve për “Kcimin e Tropojës” dhe Eposin e Kreshnikëve. Pas xhubletës, synimet janë që edhe asete të tjera të trashëgimisë shpirtërore ose jomateriale të bëhen pjesë e trashëgimisë botërore.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, nga Rabati i Marokut, ku po qëndron në kuadër të punimeve të Sesionit të 17-të të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, ka bërë të ditur planet e tjera të shtetit shqiptar sa i përket trashëgimisë kulturore në raport me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturës.

Prej të martës, nën titullin “Xhubleta, shkathtësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit, Albania”, veshja tradicionale e grave të zonave malore shqiptare ka bërë vend në “Listën e mbrojtjes urgjente” të UNESCO-s.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka thënë se puna vazhdon për asetet e tjera. “Ne po përgatisim edhe ‘Kcimin e Tropojës’. Eposi i Kreshnikëve me lahutë është ambicia tjetër e radhës. Është një punë e madhe shumë voluminoze si dokumentim, por edhe nga mënyra e përgatitjes së dosjes”, ka thënë ajo për mediat shqiptare. Deri tash pos xhubletës në emër të Shqipërisë si trashëgimi botërore është edhe Isopolifonia.

Sa i përket Eposit të Kreshnikëve, institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë ishin alarmuar kur më 2018 “Të kënduarit me gusle” kishte hyrë në UNESCO në emër të Serbisë. Asokohe institucionet e të dyja shteteve shqiptare ishin zotuar se do ta kundërshtonin këtë me arsyetimin se lahuta nuk është instrument i përdorur veç nga serbët, por nga të gjithë popujt ballkanikë. Madje, përbërja e atëhershme e Komisionit Parlamentar për Kulturë e Kuvendit të Kosovës kishte bërë gati një letër kundërshtuese, e cila, sipas Komisionit, i ishte përcjellë Ministrisë së Punëve të Jashtme për ta dërguar në UNESCO.

Asokohe ishin konsultuar edhe studiuesit Zymer Neziri e Vasil Tole. Neziri ka kohë që është marrë me dokumentimin e Eposit të Kreshnikëve.

Kosova e kishte gati dosjen për Eposin e Kreshnikëve qysh para afro një dekade. Komisioni qeveritar për kompletimin e dosjes me të cilën do të aplikohej në UNESCO, në ditën e 30 majit të vitit 2013, e kishte dorëzuar atë në Ministrinë e Kulturës. Por kryesuesit të Komisionit, Zymer Neziri, i ishte kërkuar kohë. Ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i kishte thënë atij se Kosova do të presë derisa të anëtarësohet në UNESCO, që së bashku me Shqipërinë të aplikojnë për futjen nën mbrojtje të Eposit të Kreshnikëve. Dy vjet më vonë Kosova dështoi të anëtarësohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë. I munguan tri vota. Gazeta kishte raportuar qysh në shkurt të vitit 2011 jo vetëm për mungesë koordinimi midis Kosovës dhe Shqipërisë sa i përket rrugëtimit me Eposin e Kreshnikëve drejt UNESCO-s, por edhe për përplasje.

E pas pranimit të “Të kënduarit në gusle” në UNESCO, studiuesi i folklorit, Zymer Neziri, i cili ishte pjesë e grupit ndërqeveritar për kompletimin e dosjes së Eposit të Kreshnikëve, kishte reaguar ndaj dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kishte thënë se Komisioni parlamentar i ka kërkuar literaturë për lahutën dhe këtë ua ka përcjellë. Sipas Nezirit, ishte një tjetër problem që ishte më i rëndësishëm sesa reagimi i Komisionit.

“Ka një punë që nuk po e bën Qeveria dhe po fle. Ministrit ia kam bërë me dije. Qeveria e Tiranës ka të drejtë ta dërgojë dosjen në UNESCO dhe duhet ta bëjë këtë”, kishte thënë Neziri.

Gabim të madh e kishte cilësuar faktin që Kosova ka pritur që të anëtarësohet në UNESCO e pastaj ta dorëzojë dosjen për Eposin e Kreshnikëve.

“Ne jemi marrë vesh që kur të përfundojë punimi i dosjes, nëse Kosova nuk është anëtare, ajo të dorëzohet nga Tirana. Është bërë një krim më i madh sesa të vidheshin para, pasi kjo nuk vlerësohet me para”, kishte thënë Neziri. Asokohe Ministria e Punëve të Jashtme kishte reaguar disa ditë pas shpërndarjes së lajmit për lahutën. Kishte zgjedhur një rrjet social për të folur për këtë çështje.

“Politizimi i UNESCO-s duhet të marrë fund. Futja e gusles si trashëgimi jomateriale e Serbisë është në kontradikta me realitetin dhe ofenduese për shtetet e tjera të Ballkanit. Ne do të protestojmë në terme të fuqishme dhe do të ofrojmë argumente, të cilat do të kundërshtojnë këtë vendim politik”, shkruhej në reagimin e MPJ-së në Twitter.

Kurse sa i përket “Kcimit të Tropojës” qysh prej marsit të vitit 2021 ishte bërë e ditur se bashkë me xhubletën zyrtarisht ishin propozime të Shqipërisë për të hyrë në UNESCO.

“Kcimi i Tropojës” është një kërcim që përçon simbolikë në çdo lëvizje. Është një kërcim i koreografuar asisoj ku çdo lëvizje shpreh shpirtin tropojan të Malësisë së Gjakovës.

Sa i përket xhubletës, tashmë mund të llogaritet si rast suksesi. Sipas ueb-faqes së UNESCO-s, xhubleta është një veshje e punuar me dorë e veshur nga gratë dhe vajzat malësore në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj të valëzuara.

“Kryesisht e zezë me motive të qëndisura shumëngjyrëshe, procesi i përpunimit përfshin përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike. Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit, duke treguar statusin social dhe ekonomik të mbajtësit”, shkruhet në sqarimin e UNESCO-s. Aty bëhet e ditur se përdorimi dhe punimi i saj kanë qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike. Sqarohet se veshja ka ruajtur domethënien e saj shoqërore dhe shpirtërore dhe ende konsiderohet pjesë përbërëse e identitetit malësor.

Nëpërmjet një videoje të publikuar nga UNESCO-ja, shpjegohet se Malësia e Madhe ka traditë xhubletën. Po ashtu, sqarohet se ajo përbëhet nga mbi 30 elemente dhe ndahet në xhubletë të vajzërisë, të martesës, xhubleta e para së keqes dhe ajo e së keqes.

Qeveria e Shqipërisë ka njoftuar se për në UNESCO po përgatiten edhe “Kcimi i Tropojës” e Eposi i Kreshnikëve me lahutë, është ambicia tjetër e radhës