Kulturë

“Përtej territ” gjen guximin, alarmon për dhunën në familje

Janë tri rrëfime që bëhen bashkë në “Përtej territ” të Donjeta Mejtanit dhe ilustrojnë mijëra raste të një fenomeni. Mesazhi është i prerë: kundër dhunës. Çmon guximin e grave që nuk heshtin e kërkojnë drejtësi. Por realiteti është kontrast. Dokumentari u shfaq premierë as 24 orë para rastit që tronditi gjithë vendin: vrasja e gruas bashkë me foshnjën në bark, në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj

“Përtej territ” në esencë është alarm. Në titull duket shpresëdhënës, por realiteti është kontrapunkti. Jep fakte, ilustron realitetin e errët dhe përtej territ mund të jetë vetëm thyerja e heshtjes së grave. Dokumentari i Donjeta Mejtanit, i dhënë premierë në “Kino Armata” të martën mbrëma, vjen si një thirrje për ndërgjegjësim për dhunën në familje, e në të njëjtën kohë synon edhe nxitjen e grave për t’i raportuar rastet e dhunës. U shfaq në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Në njëzet e pesë minutat e filmit shikuesi ka mundësi të dëgjojë tri histori të ndryshme të tri grave të cilat kanë qenë viktima të dhunës fizike e psikologjike të tashmë ish-burrave të tyre. Ato ende kërkojnë e presin drejtësi.

Elvedina Hajdari, Shqipe Qerreti dhe Liridona Xhakalija janë emrat e tri grave që kanë vendosur t’i tregojnë publikisht historitë e tyre të dhunimit. Por, përveç dhunës, ky dokumentar shpalos edhe vështirësitë me të cilat përballen gratë në rrugëtimin për të gjetur drejtësi.

Janë një grumbull i madh i letrave që Liridona Xhakaliaj i mban pranë vetes me të dy duart. Në to mund të shihen edhe ca fotografi të cilat dëshmojnë dhunën fizike që kishte ushtruar burri i saj së bashku me prindërit e tij. Megjithatë, pavarësisht raportimeve të shumta, si dhe një numri të madh të dëshmive të dhunës, ish-bashkëshorti i saj vazhdon të mbetet i lirë, ndërsa ajo është – e pastrehë. Në dokumentar ajo rrëfen se është braktisur edhe nga familja e saj, e cila i kishte kërkuar të mos ndahej nga ish-bashkëshorti, pavarësisht dhunës.

Image
Pas përfundimit të “Përtej territ” duartrokitjet qenë shumë të gjata, megjithatë jo edhe aq sa kur nisi të fliste Elvedina Hajdari (e treta nga e majta) e cila kishte vendosur të vinte edhe fizikisht e të rrëfente historinë e saj

Pas përfundimit të “Përtej territ” duartrokitjet qenë shumë të gjata, megjithatë jo edhe aq sa kur nisi të flasë Elvedina Hajdari, e cila kishte vendosur të vinte edhe fizikisht e të rrëfente historinë e saj. Tërë duartrokitjet dhe brohoritma e publikut ishin një dëshmi e vlerësimit të guximin të saj të jashtëzakonshëm dhe në të njëjtën kohë edhe si përkrahje në rrugëtimin për ta çuar drejtësinë në vend.

“Në rastin tim ka pasur shumë shkelje si nga ana e policisë ashtu edhe prokurorisë, dhe kjo më ka shtyrë të vij këtu dhe ta tregoj të vërtetën. Me këtë kam dashur t’i nxis edhe viktimat e tjera që ta kërkojnë të drejtën e tyre dhe njëkohësisht t’u them të luftojnë mu kështu siç po luftoj edhe unë”, ka thënë Hajdari para publikut.

Ka rrëfyer, po ashtu, se si ish-bashkëshorti i saj e kishte mbyllur në shtëpi për pesë javë, me ç’rast familja e saj nuk e kishte ditur nëse ajo ishte gjallë apo e vdekur. Ndërkaq edhe sot, kur ajo është e ndarë, vazhdon të përballet me kërcënime, shantazhe e denoncime. Nga familja e burrit ajo kishte pasur denoncime edhe për rrëmbimin e fëmijëve të saj, në një kohë kur ata, me vetëdëshirë, kishin shkuar për ta takuar nënën e tyre.

Duke u nisur nga seanca e saj e fundit, ajo ka përmendur edhe qasjen e gabuar dhe kërcënimet që ajo i kishte marrë direkt nga prokurori i rastit.

“Prokurori e ka për detyrë të më mbrojë e jo të më kundërvihet dhe ai po tërhiqet prej lëndës sime dhe po më kërcënon. Në provat që i kam sjellë kur unë kam qenë viktimë, kur kunati im A. H. ndaj të cilit kam urdhërmbrojtje ka dashur të më shkelë me veture dhe unë e kam incizuar dhe i kam bërë edhe fotografi. Kur u kam treguar në gjykatë ai (prokurori) më është kthyer dhe më ka thënë. ‘A e din që ti ke bërë vepër penale që ke sjellë prova’. Unë i thashë: ‘Kjo domethënë që këta po u dashka të më mbysin mua, ndërsa ti si prokuror me më padit mua’”, ka bërë të ditur ajo duke e lënë publikun gojëhapur.

Në panelin e mbajtur pas shfaqjes së dokumentarit, e pranishme ishte edhe Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës. Ajo ka treguar se ngecjet e drejtësisë nisin qysh në momentin e parë të raportimit të dhunës.

“Qysh në momentit kur gratë i drejtohen policisë, edhe neve vetë si RRGK kur na ka rënë të shkojmë t’i asistojmë, kemi parë se intervista ka filluar qysh në hyrje të stacionit policor, që është totalisht e kundërligjshme, që e shkel besueshmërinë dhe ndikon që viktima të zmbrapset dhe të mos e raportojë dhunën. Në këto raste ne ua kemi tërhequr vërejtjen dhe u kemi treguar se ju e keni një dhomë të veçantë për viktimat e dhunës në familje që duhet ta shfrytëzoni për intervistim”, ka treguar Berisha.

Regjisorja e filmit, Donjeta Mejtani, ka potencuar se pavarësisht çështjeve të shpeshta, dhuna ndaj grave nuk duhet të normalizohet.

“Faleminderit që jeni këtu ta mbështesni një kauzë shumë të rëndësishme për një fenomen shumë shqetësues për shoqërinë tonë. Ne po e shohim se viteve të fundit po kemi shumë raste brenda një viti dhe ka filluar të na bëhet normale, dhe unë nuk mendoj se duhet të rrimë duarkryq dhe ta lejojmë një fenomen të tillë të normalizohet, sepse shumë thjeshtë, ai nuk është normal”, është shprehur ajo.

Mejtani ka folur edhe për sfidat në realizimin e këtij projekti filmik.

“Ka qenë sfiduese sigurisht edhe t’i dëgjoj këto intervista edhe të mishërohem me këto histori, por pastaj edhe për t’i tkurrur në një metrazh të një filmi të shkurtër njëzetepesëminutësh. Secila intervistë ka qenë gati njëorëshe. Bërja e këtij filmi ka qenë e vështirë edhe emocionalisht, por në të njëjtën kohë ka qenë shumë frymëzuese dhe më ka bërë të reflektoj ndaj gjërave ndoshta nga këndvështrime të reja dhe me bashkëndie”, ka thënë ajo në rolin e regjisores.

“Përtej territ” synon rrugëtimin nëpër festivale të ndryshme të filmit.