Kulturë

“Festojmë duke kujtuar” bashkon kulturat në Rugovë

Descriptive Text

Rugova ka qenë vendtakimi i dhjetë grave të fushave të ndryshme për 28 Nëntor. Me poezi të ndryshme e muzikë shqiptare ato e kanë kaluar gjithë ditën e festës. Fshati turistik “N’mal”, që gjendet në Rekën e Allagës, është bërë gati për t’i mirëpritur mysafirët në një ambient të ngrohtë. Në vilat e këtij fshati, për 28 Nëntorin është vendosur flamuri kuqezi. Edhe brenda gjithçka është veshur me ngjyrat e festës. “Festojmë duke kujtuar” është titulluar ngjarja që ka mbledhur zonja të fushave të ndryshme në një vend. Për të dytën herë, nikoqirja e këtij organizimi, Vlora Nikçi, ka dashur të festojë kontributin e grave në shtet ndërtim. Ajo e veshur me veshje të Rugovës e me plis në kokë ka pritur mysafiret në shtëpinë e saj prej druri.

“Kjo festë sikur njihet se është festë e burrave, festë e luftës dhe kam dashur ta bëj në një dimension tjetër, si festë e muzikës së lehtë, e lumturisë sepse jemi shtet në veti”, ka thënë Nikçi për KOHËN. Meqë ky është viti i dytë i këtij organizmi, ajo ka thënë se do të vazhdojë të bëhet festë tradicionale që do të festohet edhe në Rugovë për të vënë në fokus kontributin e gruas.

Ushqimet tradicionale të përgatitura me produkte të bjeshkëve të Rugovës kanë qenë të servuara në tryezë. Mysafiret e veshura me veshje tradicionale të zonave të ndryshme e kanë bërë bashkë Shqipërinë e madhe në veshje.

“Veshjet tona janë të lidhura shumë emocionalisht me ne, janë shumë të veçanta, këtë e di gjithkush, por janë të lidhura emocionalisht, sepse në to nuk ka lule koti, është dafina aty që flet, është gjarpri, janë të gjitha simbolikat që do t’i kishte shkruar më mirë një historiane e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Nikçi për KOHËN.

Ish-deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Mesila Doda, ka bërë rrugën nga Tirana në Prishtinë për të festuar bashkë këtë festë, e cila, sipas saj, më së shumti i bashkon shqiptarët.

“Besoj që është një mënyrë ndryshe për të festuar. Duke ardhur këtu kishim shumë makina që vinin në Tiranë, pra shqiptarë të Kosovës. Dhe kjo sipas meje është mënyra më e bukur se si mund të festohet 28 Nëntori”, ka thënë Doda për KOHËN.

Me poezi, muzikë e diskutime ato e kanë kaluar gjithë ditën e 28 Nëntorit. Pjesë e tyre ka qenë edhe sociologia Sibel Halimi. Ajo ka theksuar se këto organizime ndikojnë për të reflektuar mbi figurën e gruas që ato të dalin nga sfera private në atë publike.

“Ngjarje të tilla duhet veçmas të organizohen për ngjarje të tilla historike që ta përçojnë te shoqëria atë që gratë gjatë gjithë historisë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshme, por kemi pasur probleme te njerëzit që e kanë shkruar historinë. Këtë gabim nuk duam ta bëjmë më”, ka thënë Halimi për KOHËN.

Sipas organizatores, Vlora Nikçi, ideja e festës “Festojmë duke kujtuar” ka lindur nga piktura tradicionale e festës së flamurit, e cila është me burra e pa asnjë grua. Ajo para të pranishmeve ka përmendur edhe rolin e Marigonës në këtë ditë të rëndësishme, por që mungon në portretin e burrave që e shpallën pavarësinë e Shqipërisë para 110 vjetëve.

Për ta plotësuar atë pikturë, ato kanë realizuar bashkërisht edhe një fotografi, e cila, sipas tyre, do të mbetet simbol i së kaluarës së lavdishme dhe një të ardhmeje të ndritur për gruan shqiptare.