Kulturë

“Këmbëkryq”- simboli i rezistencës paqësore ndaj represionit serb

Fotoreporteri Hazir Reka do ta përjetësonte imazhin e një shqiptari që krejt paqësisht kërkonte të ishte i lirë, në gusht të vitit 1990. Faik Rexhepi i ulur në atë që sot është sheshi qendror i Prishtinës po qëndronte midis policëve me kokën e mbështetur në dorë. Ajo pamje e tij është kthyer në skulpturë nga artistja Eliza Shala. Vepra “Këmbëkryq” është përuruar të hënën në kuadër të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.
 

Kur qytetarët e Kosovës kishin marrë vesh se ish-senatori Bob Dole bashkë me kolegë do të hynin në hotelin “Grand”, korzoja e atëhershme - bulevardi i sotëm “Nëna Terezë” në Prishtinë - ishte mbushur me njerëz. Më 30 gusht të vitit 1990, “Liri” dhe “USA” ishin midis të brohoriturave që vinin si kor. Policia serbe kishte marrë për detyrë që ta shpërndante turmën. Përleshja do të ishte një histori më vete.

“Policët për kontrollimin e turmave dhe trazirave përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra shqiptarë etnikë në pritje të një delegacioni të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, për t’u ankuar për shkeljet e të drejtave të njeriut”, raportonte prestigjiozja “The Neë Times”. Sipas artikullit, bëhej fjalë për rreth 10 mijë veta, në mesin e të cilëve kishte të plagosur e të lënduar. Në raport shkruhet, po ashtu, se shqiptarët etnikë që përbëjnë 90 për qind të popullsisë së Kosovës protestonin kundër tkurrjes së autonomisë.