Kulturë

Epilogu i mospajtimeve – Dita e Flamurit zbulon shtatoren e Anton Çettës

Shtatorja e Anton Cettes te kampusi i Universitetit te Prishtines

“Profesori ka qenë dhe mbetet figurë e bashkimit të njerëzve, jo i përçarjes së tyre”, kishte përsëritur ndër vite Riza Krasniqi, anëtar i Këshillit Organizativ për vendosjen e shtatores së mbledhësit të folklorit. Sot (e hënë), kur edhe shënohet Dita e Flamurit, do të përurohet shtatorja e Anton Çettës. Vendosja e saj është bërë të shtunën mbrëma. Janë dashur katër vjet që të marrë epilog zyrtar vendimi për hapësirën ku do të vendosej shtatorja. Kuvendi Komunal i Prishtinës në nëntor të vitit 2020 kishte vendosur që shtatorja e Çettës të vihej në oborrin e Fakultetit të Filologjisë, mbi parkingun nëntokësor

“E gëzoftë këtë vend, qysh i ka gëzu shqiptarët me pajtime”, është një prej urimeve që i bëhet vajzës së Anton Çettës, Donika Çetta. Ajo bashkë me një prej njerëzve të afërm të Çettës, gjatë veprimtarisë së pajtimit të gjaqeve, Riza Krasniqin, kanë pritur prej paradites deri në mbrëmje për të parë nga afër vendosjen e shtatores në ambientet para Fakultetit të Filologjisë. Donin të ishin dëshmitarë të përfundimit të një procesi të gjatë e fort të koklavitur. Shtatorja e prijësit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve – njeriut që si rrallëkush ka bashkuar shqiptarët në fund të shekullit të kaluar – prej fundit të vitit 2018 ka qëndruar në atelienë e skulptorit Agon Qosa në Ferizaj. Nuk kishte lokacion për të. Historia nis edhe më herët.

“Profesori ka qenë dhe mbetet figurë e bashkimit të njerëzve, jo i përçarjes së tyre”, kishte përsëritur ndër vite Riza Krasniqi, anëtar i Këshillit Organizativ për vendosjen e shtatores së mbledhësit të folklorit. Sot (e hënë), kur edhe shënohet Dita e Flamurit, do të përurohet shtatorja e Anton Çettës. Vendosja e saj është bërë të shtunën mbrëma.

Riza Krasniqi mezi i ka mbajtur lotët gjatë momentit të vendosjes së shtatores. “Profesor Antoni po vjen aty ku e ka vendin, midis studentëve, afër Institutit Albanologjik të Prishtinës...”, ka thënë ai.

Janë dashur katër vjet që të marrë epilog zyrtar vendimi për hapësirën ku do të vendosej shtatorja. Kuvendi Komunal i Prishtinës në nëntor të vitit 2020 kishte vendosur që shtatorja e Çettës të vihej në oborrin e Fakultetit të Filologjisë, mbi parkingun nëntokësor

E financuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, shtatorja ka kushtuar 60 mijë e 800 euro.

Paraprakisht me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte shpallur muajin nëntor si “Muaji i Anton Çettës”, duke miratuar edhe programin e aktiviteteve përkujtimore.

Paraprakisht, në shkurt të 2017-s vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores e kishin penguar mosmarrëveshjet midis Institutit Albanologjik të Prishtinës me Komunën e Prishtinës e Ministrinë e Arsimit. Ministria e Arsimit kishte marrë leje nga Komuna e Prishtinës që shtatorja të ngrihej në oborrin e IAP-it.

Mosarritja e një pajtimi kishte bërë që t’i skadonte afati njëvjeçar pëlqimit për vendosjen e shtatores. Në korrik të vitit 2019, gazeta kishte raportuar se Instituti Albanologjik i Prishtinës zyrtarisht kishte refuzuar kërkesën që shtatorja e Çettës të vendosej në oborrin e këtij institucioni. Për udhëheqësit e IAP-it oborri nuk ishte vend adekuat për shtatoren e Çettës.

Në nëntor të vitit 2020 i ishte dhënë jetë edhe një tjetër projekti. Më në fund qe botuar kompleti i veprave të Çettës. I financuar nga Ministria e Arsimit në vlerë prej 42 mijë eurosh, vepra e plotë e Çettës prej 13 vëllimesh pati dalë nga shtypi në fillim të këtij muaji. Ishte gati për botim qysh në vitin 2015, e përgatitur nga Dega e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. “Krijime poetike për fëmijë në prehër të gjyshes - Vjeti gazmuer”, “Nga folklori ynë I – Përralla e gojëdhëna”, “Nga folklori ynë II – Kallëzime dhe përrallëza”, “Nga folklori ynë III – Pleqni dhe tregime etnografike”, janë disa prej veprave të kompletit.

Sa i përket shtatores, versioni i saj u zgjodh nga konkursi, në të cilin kishin marrë pjesë edhe Agron Blakçori, Idriz Balani, Agron Bytyçi, Maks Mero e Izeir Mustafa.

Për pamjen e shtatores kishin votuar njëzëri skulptori Burim Canolli, kryesues i Komisionit, dhe anëtarët Ilir Balaj, po ashtu skulptor, Jetullah Sylejmani, piktor, arkitektja Donika Çetta, e bija e Anton Çettës, dhe inxhinieri Riza Krasniqi, anëtar i Këshillit Iniciues për ngritjen e shtatores.

Në janar të vitit të kaluar Ipeshkvia e Kosovës kishte vendosur që ta vendoste një tjetër shtatore të mbledhësit të folklorit dhe prijësit të Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve para hyrjes së katedrales “Shën Tereza” në Prishtinë bashkë me një shtatore të presidentit Ibrahim Rugova. Familja Çetta nuk ishte pajtuar. Kishte reaguar publikisht.

“Familja e prof. Anton Çettës deklaron që nuk është në pajtueshmëri me vendimin që është marrë nga Ipeshkvia e Kosovës, që më datën 15 janar 2021, shtatorja e prof. Anton Çettës të vendoset në oborrin e katedrales ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë”, thuhet në reagimin e familjes. Sipas familjes, “ky veprim nuk qëndron në përputhshmëri me misionin e prof. Çettës”, pasi “veprimtaria e tij ka qenë në sferën e shkencës, arsimit dhe politikës kombëtare në një kuptim mbipartiak e mbifetar”. “Kujtesa për këtë veprimtari duhet të ruhet në hapësirat publike që i përgjigjen më mirë misionit të tij të madh kombëtar dhe duhet të ruhet si e tillë edhe për brezat që vijnë pas”, kishin vlerësuar vajzat e tij.

Pas reagimit të vajzave të pajtimtarit Çetta, Ipeshkvia ishte tërhequr nga vendimi edhe për gjoja “padenjësinë sakramentale” të Çettës.

Për shtatoren që do të përurohet në oborr të Fakultetit Filologjik, skulptori Qosa kishte thënë se koncepti i tij bazohej në figurën e Çettës, si një edukator i masave ku zakonisht falja e gjaqeve kishte një popullaritet masiv dhe organizohej në ambiente të jashtme, ku kishin mundësi të merrnin pjesë të gjithë qytetarët.

“Andaj kjo është arsyeja përse unë e kam paraqitur atë me mantel si veshje për ambient të jashtëm, ku valëvitja e mantelit nga era tregon gatishmërinë për të qenë pranë qytetarëve në çdo kohë dhe stinë”, kishte shpjeguar ai konceptin me të cilin edhe qe prezantuar para Komisionit. Sipas Qoses, karakteristikë e veshjes së Çettës ka qenë manteli prej stofi si model i viteve ’90. Ai kishte thënë se ka për synim që ta paraqesë veshjen që realisht e ka bartur Çetta, dhe se si material në aspektin estetik qëndron më bukur në skulpturë.