Kulturë

Irena Sawicka, shkencëtarja bartëse e studimit të shqipes në Poloni

Kontributi kryesor i Irena Sawickas në albanistikë është në fushën e fonologjisë, sidomos në diskutimet për strukturën e rrokjes shqipe. Ajo është ndër gjuhëtaret më autoritative botërore që është marrë edhe me shqipen dhe që ka kontribuuar shumë në përhapjen, kultivimin dhe studimin e shqipes në Poloni, por edhe për promovimin e albanologjisë në botë
 

Kontributi i Irena Sawickas në albanologji është çmuar me peshë, sikurse edhe në organizimin e studimeve për gjuhën shqipe në Poloni. Të martën asaj i është dorëzuar fletëdëshmia e pranimit anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku ajo mbajti ligjëratën në temën “Izokronia në gjuhën shqipe”. Para se të niste ligjëratën e saj inauguruese, Sawicka ka thënë se Kosova ka një vend të veçantë në zemrën dhe në mendjen e saj

Albanologia polake, Irena Sawicka, edhe zyrtarisht është bërë pjesë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në ceremoninë, kryetari i Akademisë, akademik Mehmet Kraja, ia dorëzoi Sawickas fletëdëshminë e pranimit si anëtare e jashtme e AShAK-ut. Pos kësaj Sawicka mbajti ligjëratën inauguruese me temën “Izokronia në gjuhën shqipe”.

Për kontributin e saj në fushën e studimeve albanologjike ka folur akademik Rexhep Ismajli.