Kulturë

Vinicio Capossela me festën e lirisë së muzikës, lidh kulturat

Në “Peja Jazz” që nga këngë të kompozuara moti kohë deri te ato të fundit i ka sjellë në frymën e një shfaqjeje. Nga kitara në harmonikë e nga harmonika në piano, Vinicio Capossela për publikun ka dhënë një koncert që nuk dëgjohet shpesh
 

Koncerti i artistit unik, Vinicio Capossela, i ngjan një rrëfimi me shumë kapituj, ku ai gjurmon Italinë e tij, rrënjët e saj dhe nëpërmjet muzikës, i lidh kulturat. Aty gjen vend edhe muzika shqipe. Koncerti në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë i ka bërë vend edhe “Bareshës” së Rexho Mulliqit, e një album kaherë ia ka dedikuar edhe Bekim Fehmiut. Koncerti i Caposselas, të martën mbrëma e ka përmbyllur edicionin e tretë të “Peja Jazz”, ku ai thotë ta ketë gjetur atë që e kërkon përherë – lirinë. Këtë e bën nëpërmjet epikës, e cila sipas tij, është e gjithë përpjekja për të jetuar

Një zë që e përcjell me ritëm kuptimin që mbërthen teksti, dëgjohet në hapje të koncertit. Grupi i veçantë muzikor i artistëve italianë, shpejt kalon në një prej melodive më të njohura për publikun në sallën “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Dhe hiç pa kaluar në interpretimin e dytë, krijohet një afirmitet me ta.

Giovannangelo De Gennaro me vielle, një instrument mesjetar, e luan me ndjeshmëri “Bareshën” e Rexho Mulliqit. Nëpërmjet instrumentit të vjetër ajo i përafrohet interpretimit në lahutë. Skena e kinemasë, ku për katër net radhazi “Peja Jazz” ka zhvilluar edicionin e tretë me emra të njohur të muzikës jazz në vend e në botë, të martën mbrëma ka qenë e mbushur përplot me instrumente.