Kulturë

Gjysmë milion euro të radhës për “Manifesta 14”

Në ditën kur “Manifesta 14” ka shënuar ditën e 99-të në Prishtinë, nga buxheti i shtetit i ka shkuar “kësti” i radhës prej gjysmë milioni eurosh. Të premten, Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 103-të dhe vendim kryesor ka qenë miratimi i Projektbuxhetit për vitin 2023, në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë eurosh.

Ndarja e 500 mijë eurove ka ardhur si kërkesë e Ministrisë së Kulturës.

Ka qenë ministri i Financave, Hekuran Murati, ai i cili e ka arsyetuar dhe ka folur për peshën e “Manifestas 14”. Zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, e ka përshëndetur.

“Bëhet fjalë për kërkesë të pranuar nga MKRS-ja për mbështetje të bienales ‘Manifesta’. Meqenëse po i afrohemi përfundimit të ‘Manifestas’ dhe mund të konstatojmë se ishte organizim që ka pasuruar skenën kulturore. Duke konsideruar që kemi pasur program mjaft të pasur kulturor gjatë sezonit të verës, përfshirë festivalet e tjera si ‘DokuFesti’, ‘Sunny Hill’ e të tjera, kemi pasur një rritje të turizmit kulturor në vendin tonë”, ka thënë ministri Murati. Ndonëse as vetë “Manifesta” nuk ka dalë me matje të tilla, ministri Murati ka thënë se organizime të tilla dhe festivale të tilla “edhe në aspektin ekonomik janë mjaft të dobishme për vendin tonë”.

“Prandaj edhe e mbështesim kërkesën e MKRS-së për t’i ndarë mjetet në shumën prej 500 mijë eurosh për ta mbështetur organizimin e këtij festivali. Mjetet e ndara, sipas këtij vendimi, merren nga programi i “Ringjalljes ekonomike” në kuadër të masës 4.3 ‘mbështetja e kulturës dhe sportit’ dhe bëhet për ekzekutimin e pagesave të realizuara të aktiviteteve të edicionit të 14-të të ‘Manifestas’. Duke marrë parasysh rëndësinë e organizimeve të tilla, ju ftoj ta mbështesni këtë propozim”, ka thënë ai.

Kostoja që do të paguajë shteti për ardhjen e “Manifestas” në Prishtinë shkon deri në 5 milionë euro. Tre vjet para se të niste ngjarja, Qeveria u desh të jepte garanci prej 4,6 milionë eurosh.

E një ditë para se të hapej zyrtarisht, ministri i Kulturës, Hajrrulla Çeku, në konferencë për media bashkë me organizatorët do të bënte me dije se deri atë ditë, nga buxheti i MKRS-së në llogarinë “Manifestas” kishin shkuar 2.1 milionë euro.