Kulturë

“Happening” i “Luanit të Artë” me romanin e nobelistes dhe aktoren nga Kosova

Romani i Ernaux “Happening”, i cili rrëfen për abortin e paligjshëm, në vitin 2021 u adaptua në film, nga regjisorja franceze, Audrey Diwan. Në shtatorin e atij viti filmi mori “Luanin e Artë” në edicionin e 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie.

“Happening” ka për bazë abortin që vetë autorja Ernaux kishte kryer gjatë kohës kur kishte qenë studente dhe kur në Francën e viteve 60-a aborti ishte ende i ndaluar me ligj. Një përvojë pak a shumë të ngjashme e kishte pasur edhe vetë regjisorja e filmit, Audrey Diwan.

“NYT” shkruan se Diwan ishte përpjekur një kohë të gjatë që të gjente një histori të ngjashme, e cila do ta ndihmonte ta kompletonte filmin dhe madje në një moment ajo kishte nisur ta shkruante vetë një libër të tillë.

"Ekziston ky turp i krijuar nga shoqëria, që gratë duhet të ndiejnë dhe ndjenjën se nëse flasim për të, ne rrezikojmë ta vëmë në dyshim këtë të drejtë, e cila në fund nuk sigurohet kurrë", kishte thënë Diwan për NYT.

Filmi kishte ngritur debate të mëdha rreth mënyrë se si shihej abortit. Ai kishte bërë që shumë artistë dhe aktivistët të ngrenë zërin për problemet dhe tabutë me të cilat vazhdojnë të përballen gratë që kryejnë abort.

Në këtë film luan edhe aktorja me prejardhje nga Kosova, Luana Bajrami, e cila karrierën e saj e zhvillon në Francë, përderisa ka hapur kapitull të suksesshëm edhe si regjisore. Në korrikun e 2021-shit, “Luaneshat e kodrës” nën regji të saj – bashkëprodhim francezo-kosovar, i xhiruar tërësisht në Kosovë me kastë aktorësh vendorë – u dha premierë botërore në Festivalin e Filmit në Cannes.

Në filmin “Happening” një studente e re franceze dëshpërohet gjithnjë e më shumë teksa kërkon mënyra ilegale për të abortuar. Kësisoj paraqet përjetimet e grave franceze, të cilat donin të abortonin para se ministrja e atëhershme e Shëndetësisë në Francë, Simone Veil, të propozonte ligjin për legalizimin e abortit në vitin 1975.

“Mbase duke synuar t’i qëndrojë besnik burimit, romanit autobiografik të Annie Ernaux, filmi ‘Happening’ shfaq ndodhitë e dymbëdhjetë javëve para krizës përfundimtare, duke shënuar secilën javë me një titull të veçantë. Mirëpo, përmes kësaj paraqitjeje, regjisorja Diwan dhe skenaristja Marcia Romano e kanë të mundur të vendosin shtatzëninë e Annes në një kontekst më të gjerë shoqëror. Si studente e letërsisë në Universitetin e Angouleme, Anne jeton në një konvikt studentësh bashkë me shoqet e saj të ngushta, Helene (të portretizuar nga aktorja shqiptare Luana Bajrami) dhe Brigitte (Louise Orry-Disquero). Anne është studente e zonja dhe shtatzënia e saj – e vërtetuar nga një mjek simpatik, por i paaftë për ta ndihmuar – vjen sikur dënim me vdekje. ‘Shtatzënia është’, sipas Anne, ‘sëmundja që i shndërron gratë franceze në shtëpiake’”, shkruante mediumi britanik “Screen Daily”.