Kulturë

“Drama kosovare në letër” përballë rrugës së vështirë deri në skenë

Descriptive Text

Se dramat – veçmas të dramaturgëve të rinj – mbesin vetëm në letër, ka qenë njëri prej konstatimeve në panelin e diskutimit “Drama kosovare në letër”, por i cili zbërthen problematikën e kësaj gjinie letrare. Mungesa e perspektivës, që “përkthehet” në inskenim, numri i dramaturgëve gjeneratë pas gjenerate, frika e regjisorëve me tekste të reja e ajo prej temave vendore, kanë qenë disa prej çështjeve të tjera

Numri i të interesuarve për të studiuar dramaturgji në Universitetin e Prishtinës varion prej vitit në vit. Mirëpo kjo shifër viteve të fundit nuk shkon as deri në pesë studentë përgjatë një semestri. Por ky nuk është shqetësimi i vetëm. Ata ndjekin studimet e diplomojnë. Mirëpo pas përfundimit të shkrimit të dramave, tek inskenimi nis një hallkë tjetër, e që rezulton të jetë problemi më i madh i tyre.

Pak hapësirë për dramaturgët e rinj, hezitim të regjisorëve për dramat e tyre dhe sprovë për publikun që të vijë në teatër kanë qenë disa prej temave që janë diskutuar.

Paneli i diskutimit “Drama kosovare në letër”, me Jeton Nezirajn, Albana Mujën e Arben Marevcin, moderuar prej Afrim Demirit, ka qenë veç një segment. Krahas shfaqjeve të ndryshme që po jepen natë për natë, diskutimi i së martës ishte i dyti, i cili vuri pikëpyetje për shumë hallka të dramës shqipe. Pikërisht në edicionin e 52-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj u dha perspektiva nga e kaluara dhe e tashmja.

Dramaturgu Neziraj, i cili edhe është drejtues i qendrës “Multimedia”, ka thënë se sfidat e dramës shqipe në Kosovë s’mund të trajtohen veç nga prizmi i problemeve të teatrove.

“Kur flasim për mungesën e dramave shqipe të shkruara, duhet me fol edhe për mungesën e dramave shqipe që inskenohen, për cilësinë e studimeve të dramaturgjisë, mënyrën se si organizohet jeta teatrore në Kosovë dhe mungesën e platformave që u kishin ndihmuar dramaturgëve në plasimin e dramave”, ka thënë ai.

Ka përmendur numrin e paktë të inskenimeve brenda një sezoni të programit të teatrit, e që shumica e tyre janë drama të huaja.

“Në Kosovë inskenohen rreth 30 drama brenda një sezoni 12 muajsh që është repertori i një teatri jashtë. ‘Riksteatern’ në Suedi i inskenon rreth 36 drama në vit, ndërkohë që këtu krejt produksioni s'e kalon atë numër, prej të cilave gjysma janë amatore”, ka thënë Neziraj, njëri prej dramaturgëve më të inskenuar jashtë vendit. Ai ka përmendur edhe krizën financiare si shtysë për t’u marrë me drama të huaja.

“Shpesh teatrot evitojnë dramën shqipe edhe për një aspekt financiar sepse preferojnë një dramë që e përkthen me pak ose pa para fare dhe inskenojnë, ndërkohë që një dramë shqipe ishte dashur të kompensohet me para”, ka thënë ai, duke shtuar se teatrot ballafaqohen me kriza të publikut. E kanë frikën legjitime që nëse inskenojnë një dramë shqipe nuk do të ketë publik sepse është krijuar njëfarë narracioni që dramat shqipe janë veç drama, kanë temë luftën e problemet që publikut s'u interesojnë”.

E hezitim pranoi se kanë edhe regjisorët, të cilët s’e marrin mbi supe rrezikun e dramave të autorëve të rinj. Se gjendja e dramaturgëve të rinj nuk është në pozitë të lakmueshme e ka nënvizuar edhe Albana Muja.

“Shumë pak hapësirë iu jepet dramaturgëve të rinj, nuk është krejt e lehtë me qenë dramaturg i diplomuar apo magjistër. Kam shumë kolegë të tillë që s’kanë hapësirë nëpër teatro. Tek-tuk qysh kanë mundësi të gjinden në film, dikush gazetar i kulturës”, ka thënë ajo.

Muja ka thënë se duhet të rishqyrtohet çështja e diplomimit të përvitshëm të dramaturgëve të rinj, përderisa proporcioni me inskenime pas diplomimit nuk është në nivel.

“Nuk e di pse dalin dramaturg të rinj, çdo tre vjet ose ngjashëm duhet të dalin. Mirëpo nëse dalin ata e marrin një diplomë edhe ecin në shtëpi, drama s’ka ku të inskenohet”, u shpreh ajo, duke thënë se veç botimi i dramave pa inskenim s’kryen punë.

“Hallka tjetër është Fakulteti i Arteve. Kryesisht drama mësohet nga njerëz që s’kanë lidhje me atë punë, pastaj atë padije e bartin te studentët”, ka thënë Neziraj.

E sipas Mujës, keqmenaxhim ka edhe te konkursi i vetëm dramaturgjik “Katarina Josipi” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Është konkursi i vetëm për dramaturgët e rinj, megjithëse është i vetmi konkurs. Edhe pse i thirrur (të inskenohet) të paktën vendi i parë, nëse jo i dytë dhe i tretë, as ai nuk inskenohen”, ka thënë ajo.

Edhe krijimi edhe kritika dramaturgjike është thënë se kanë qenë më të frytshme para luftës dhe menjëherë në pasluftë. Aktori Arben Marevci ka thënë se gjendja e tanishme mund të shihet duke tërhequr perspektiva të së kaluarës.

“Deri te vitet ’80 mendoj që në secilin qytet kanë funksionuar teatrot amatore, edhe si të tillë me satira, sarkazma janë formuar shfaqje të ndryshme me regjisorë të fortë, janë shpërfaqur realitete të asaj kohe”, ka thënë ai.

Është ndalur edhe te rezistenca, kur pas mbylljes së teatrove, objekte të ndryshme të kultit fetar, bodrume e çdo hapësirë tjetër e shfrytëzueshme ishte improvizuar si skenë teatri.

“Kemi punuar në Kishën Katolike se s’kemi pasur ku t’i bëjmë shfaqjet, kemi punuar shfaqjen ‘Qëndresë’ me tekst dhe regji të Ismajl Ramës. Pak rëndësi ka pasur tema, por që ka qenë një shfaqje kulturore. Por edhe një recital nëse ka qenë diku, nëpër bodrume, tavane, edhe një vjershë nëse e ke thënë për pranverën, është parë si rezistencë”, ka thënë ai.

Në kushte represioni, edhe pritja e publikut ndaj këtyre shfaqjeve ka qenë krejt ndryshe.

“Sa herë që është dhënë repriza e shfaqjes, shumë pak kanë qenë ata që s’kanë qarë”, ka thënë ai.

Ndërkaq situatën e tanishme ku nuk ka kritikë të mirëfilltë dramaturgjike, Neziraj e cilëson si një “çoroditje”.

“Besoj që ka qenë më e avancuar më shumë sesa kritika gati inekzistente. Sot është një çoroditje, e cila është në raport me çoroditjen mediatike, s’ka gazeta të shtypura. Është pak e pabesueshme me prit kritikë letrare teatrore në kohën kur gazetat s’paguajnë honorare”, ka thënë ai.

Ka përmendur se kritika dramaturgjike deri në fund të viteve të ‘80 ka ardhur nga letrarët.

“Kanë pasur autoritet si shkrimtar, edhe ai është përcjellë edhe në teatër. Shumica e këtyre dramave kanë qasje më tepër letrare dhe janë fort të përdorshme në skenë. Mendoj që edhe sot kur shkruajnë shkrimtarët e kanë tendencën me prodhu fjalë që s’janë kompatibile me skenën”, ka thënë ai. “Kritika letrare u është qasur dramave nga perspektiva letrare dhe jo dramaturgjike”.

Një segment tjetër i prekur gjatë panelit ka qenë edhe fakti se drama kosovare nuk e ka trajtuar sa duhet realitetin kosovar. Referencë për këtë pjesë ka qenë lufta si ngjarje.

“Më kujtohet një debat mes Kadaresë dhe një pjese të shkrimtarëve të Kosovës. Argumenti pati qenë që Kadare pati shkruar se krijuesit letrarë të Kosovës nuk e trajtojnë luftën, nuk sjellin dëshmi të asaj çfarë ka ndodhur. Reagimi ka qenë që krijuesve letrarë s’mund t’u japësh detyra shtëpie, ata shkruajnë çkado që mund të thonë rreth një teme. S’besoj që kjo qëndron, ndoshta qëndron duke e marrë parasysh kontekstin e teatrit në Kosovë deri në vitet e ’80 kur për një realitet është folur me një gjuhë më stilistike, metafora, që është supozuar që publiku i kupton e pushteti s’i kupton”, ka thënë ai.

Afrim Demiri ka thënë se nuk ka dramë më të fortë sociale sesa lufta. “Ajo ngërthen gjithë stresin, format më të vrazhda njerëzore, por duke ruajtur format më ekzistenciale. Shpesh e kemi përshtypjen, një vetakuzë, se po duam me kalu, me e kapërcy luftën, por për krijuesin ajo s’mbaron kurrë”, ka thënë Demiri në panelin e mbajtur në teatrin “Adriana” në Ferizaj, kryeqendra e këtyre ditëve e teatrit në Kosovë.