Qytetarët e zonës së vjetër në Prishtinë, sidomos ata më në moshë, janë kthyer në kujtimet nostalgjike të matjes së kohës. Të hënën mbrëma objekti i Sahat Kullës në zonën e Prishtinës së Vjetër është rifunksionalizuar. Me një ceremoni modeste është kthyer në punë ora, dritat janë ndezur dhe kambana e parë është dëgjuar shumë vjet pasi monumenti dukej si i braktisur
Për shumë kohë Sahat Kulla në Prishtinë ka shërbyer veç si objekt kulturor, pa kryer funksionin që do të duhej ta kishte. Shkëlqimin që merrte si për nga pamja, ashtu edhe rëndësia, i është rikthyer të hënën mbrëma. Fiks në orën 19:00 është dëgjuar kambana e parë pas shumë vjetësh. Ajo ka qenë jehonë për kryeqytetin, ora është kthyer në funksionin e saj, e objektit i është kthyer pamja edhe gjatë natës nëpërmjet ndriçimit. Projekti është financuar nga Komuna e Prishtinës dhe nga UNDP-ja.
Qytetarët e zonës së vjetër në Prishtinë, sidomos ata më në moshë, janë kthyer në kujtimet nostalgjike të matjes tradicionale të kohës. Katër drita rreth objektit të Kullës së Sahatit, disa të tjera që ndriçojnë orën gjigande në katër anët dhe një e kaltër në krye, kanë qenë si alarm për banorët e zonës. Objektit ia kanë kthyer esencën që kishte, e hapësirës frymën me të cilën jetonte dikur. Tashmë kryeqyteti do të ishte nga ata, qytetarët e të cilit kanë orientimin kohor edhe nëse pajisjet personale mungojnë.
Projekti është bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës me 70 mijë euro dhe nga UNDP-ja me 50 mijë euro. Kryetari Përparim Rama e ka vlerësuar me rëndësi të madhe projektin dhe se ky institucion ka në fokus të promovojë pjesën e vjetër të kryeqytetit.
“Tash kemi fillimin e një transformimi të mirëfilltë të Prishtinës, ku shihet se e çmojmë trashëgiminë kulturore e historinë tonë. Kjo është për qytetarët e Prishtinës, por jo vetëm. Është për gjithë qytetarët e Kosovës, për vizitorët që vijnë dhe kuptojnë më shumë për kulturën, traditën dhe historinë tonë”, ka thënë ai. Rama ka deklaruar, gjithashtu, se punime të tilla do të vazhdojnë edhe më tej dhe se janë duke punuar në këtë drejtim. “Veçse jemi duke punuar tërë kohën me ‘UN Habitat’ dhe me Ministrinë e Kulturës në një projekt të analizës dhe të restaurimit të gjithë kësaj zone të vjetër të Prishtinës. Jemi duke analizuar se cilat janë pikat që duhet të restaurohen dhe cilat të ndryshohen. Jemi duke punuar edhe me kufijtë e zonës, e cila duhet të jetë e mbrojtur, dhe parametrat në bazë të të cilëve do të duhej të mbrohej”, ka deklaruar kryetari Rama.
Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Niels Knudsen, është shprehur të jetë i lumtur që kanë qenë mbështetës të këtij projekti. “Është kënaqësi të jem me ju këtu në këtë mbrëmje. Jemi shumë të lumtur të jemi mbështetës të këtij projekti. UNDP-ja është shumë krenare për ndriçimin e këtij objekti të veçantë dhe ne shpresojmë se do të sjellim prapë bashkëpunime të tjera. Jam shumë i lumtur të jem këtu”, ka thënë Knudsen. Ndërkohë, përfaqësuesit nga Bashkimi Evropian e kanë vlerësuar projektin si të jashtëzakonshëm dhe se kanë plane të tjera të mëdha në restaurimin e tyre.
Sipas Databazës së Trashëgimisë Kulturore, kambana e Sahat Kullës është e dekoruar me ornamente të ngjashme me gjethet e ahut. Ajo është ndërtesë me bazë gjashtëkëndëshe dhe lartësia e saj është 26 metra. E murosur me gurë deri në gjysmë të saj, konstruksioni i kulmit të saj është prej druri të mbuluar me plumb. Në të gjitha fasadat e saj ka hapje të vogla harkore. “Këndet e ndërtesës janë të ndërtuara me gurë të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror, kurse sipërfaqet në mes janë të ndërtuara me gurë të parregullt të lidhur dhe të suvatuar gjithashtu me llaç gëlqeror. Në brendi janë shkallët rrethore, në të cilat janë të vendosura pllaka të gurëve (rrasa) me trashësi prej 3 cm. Në pjesën e Sahat Kullës të ndërtuar prej tullave shkallët janë prej druri, çka tregon se kjo pjesë është ndërtuar më vonë”, shkruhet në Databazë.
Më të emocionuarit janë parë të jenë kalimtarët në zonën pranë saj, e sidomos ata që kanë qenë fëmijë kur kanë dëgjuar tingëllimat e Sahat Kullës. “Shumë mirë është bërë. Unë jam qytetar i vjetër këtu. E mbaj mend edhe kur ka punuar para luftës, pastaj nuk e di pse u ndal, nuk e di çfarë ngeci. Është përfolur se do të ndizet prapë dhe mbrëmë më thanë se në orën 19:00 do të ndizet, u gëzova shumë”, është shprehur Qazim Kozmaqi, 69 vjeç. Armend Bardhevci që ka qenë për të parë rifunksionalizimin e objektit, ka marrë edhe të bijën 5 vjeçe me vete. Ka thënë se i ka treguar për historinë e saj dhe se çdo ditë e pyeste se kur do të ndizen dritat e zilja do të dëgjohet prapë. Ai vlerëson se monumentet historike kanë qenë gjithmonë pa mbikëqyrje. “Tash kanë filluar t’i mbajnë dhe është një shenjë e mirë. Ky është simboli i qytetit të Prishtinës, shpresojmë të vazhdojnë edhe me monumentet e tjera. E mbaj mend që kur kam qenë fëmijë, ngase banoj në këtë lagje. Nuk ka qenë asnjëherë në gjendje të mirë sidomos, në kohën e okupatorit. Ka qenë terr gjithmonë, ka qenë e vrazhdë, jo e mbajtur mirë”, është shprehur ai.
Objekti i Sahat Kullës gjendet në zemër të asaj që njohësit e quajnë si Prishtina e Vjetër, dhe pos si monument i veçantë është edhe pjesë e Qendrës Historike të kryeqytetit. Është ndërtuar në shekullin e 19-të dhe në vete ngërthen vlerat kulturore, historike dhe arkitekturore. Mekanizmi i orës kishte qenë funksional deri në vitet ‘70, ndërsa deri në vitin 2001 nuk kishte funksionuar, po në këtë vit janë vjedhur mekanizmi i orës dhe kambana. Nga viti 2002, mekanizmi i orës është zëvendësuar me orë digjitale.