Pas dy vjetësh mungesë, skenës së muzikës klasike të Kosovës i janë rikthyer tingujt e muzikës kamertale.
“Gjigantët romantikë” është titulluar koncerti i parë i edicionit të sivjetmë të “Kamer Festit”, ku disa nga artistët më të njohur të muzikës kamertale shqiptare kanë sjellë para publikut dy nga veprat e kompozitorëve më të shquar të periudhës së romantizmit, të gjermanëve Johannes Brahms dhe Robert Schumann.
Kryefjalë e kësaj nate ka qenë Klaidi Sahatçi, koncertmasteri i orkestrës “Tonhalle” të Zyrihut dhe pianistja e shquar nga Tirana, Merita Rexha-Tërshana. Nën tingujt e sonatës për violinë dhe piano në d-mol të kompozitorit, dirigjentit dhe pianistit gjerman Johannes Brahms, dyshja ka hapur natën e parë të edicioni XXI të “Kosova KamerFest”.
shquhet nga tinguj lirikë, linja të gjatë ku loja krijohet mes dy instrumenteve të cilat vazhdimisht ndërrojnë pozicionet duke i mundësuar herë pianos herë violinës të marrin rol udhëheqës në raport me njëra-tjetrën. Në fund të veprës, tingujt bëhen më ritmikë duke krijuar një dramacitet që vjen përherë e në rritje.
Pas interpretimit të kësaj vepre ikonike, dyshes iu bashkuan edhe dy mysafirë, violinisti nga Shkupi, Blerim Grubi, dhe violonçelisti i parë i Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar, Aristidh Prosi.
Katërshja interpretonin “Piano kuartet në Es-dur, opera 17” të kompozitorit dhe pianistit Robert Schumann. Vepra ka një hyrje himnizuese dhe plot figurativitet e më pas nis të marrë ritëm. Koha e tretë shquhet nga dramaciteti dhe njihet edhe si pjesa kryesore e veprës dhe një nga më të bukurat e periudhës romantike.
Muzika kamertale, apo siç njihet ndryshe edhe muzikë e dhomës, kërkon shumë mjeshtri, sepse notat e secilit prej instrumentistëve kanë një identitet të vetin karshi tjetrit. Në këtë performancë katër artistët dhanë një lojë mbresëlënëse. Vepra i jepte mundësi publikut që të ndiente tingujt dhe veçantinë e secilit prej katër instrumenteve, teksa roli i udhëheqësit dhe shoqëruesit ndërrohej vazhdimisht.
Për violinistin Klaidi Sahatçi nuk është çudi të luajë në festivale të tilla, sepse ai ishte pjesë edhe e disa prej orkestrave më të njohura botërore. Megjithatë, bashkëpunimi dhe interpretimi me bashkatdhetarë është gjë shumë e vlefshme për të.
“Bashkëpunimi ynë qe shumë i frytshëm, sepse kemi punuar qe katër-pesë ditë me këtë grup dhe është gjithmonë kënaqësi që muzikën e kompozitorëve të mëdhenj ta ndash me bashkatdhetarët e tu, sepse kemi edhe ndjeshmëri të njëjta”, ka thënë ai.
Nisur nga aspekti profesional, Sahatçi tregoi edhe për vështirësitë e muzikës kamertale dhe rëndësinë që ka përvoja në interpretimin e saktë të tyre.
“Muzika e dhomës, apo siç thuhet në Kosovë kamertale, ka gjithmonë këtë vështirësi që duhet të luash me të tjerët, kështu që duhet të hapësh mirë veshët, sytë dhe të gjitha e edhe instrumenti duhet të jetë pak automatik, nuk mund të fokusohesh shumë te instrumenti, sepse duhet të ikë vetë. Përveç kësaj, duhet të gjesh edhe gjuhën e përbashkët, sepse nganjëherë ke pak kohë për t’u njoftuar, por këto gjëra vijnë nga përvoja, njeriu duhet t’i kuptoj shumë shpejt, sepse nuk ka kohë, koncerti vjen shumë shpejt”, ka thënë Sahatçi.
Duartrokitjet e publikut ishin të gjata dhe të fuqishme, dhe kjo mikpritje ishte ajo që e kishte gëzuar jashtëzakonisht shumë pianisten nga Shqipëria, Merita Rexha- Tërshana.
“Shumë kënaqësi që ishim në natën e parë të këtij festivali të rëndësishëm për muzikën klasike në Kosovë. Veprat ishin shumë interesante, sepse janë nga veprat më interesante të literaturës romantike të muzikës klasike Brahms dhe Schumann. U gjenda shumë mirë me kolegët dhe mendoj që u prit shumë mirë edhe nga publiku, dhe për këtë jam shumë e kënaqur, sepse janë vepra shumë të njohura dhe njerëzit duan të dëgjojnë gjithnjë e më mirë një gjë që e kanë dëgjuar më përpara, kështu që edhe sfida është brenda”, ka thënë plot buzëqeshje Rexha- Tërshana
Këtë mbrëmje, violonçelisti Aristidh Prosi e ka vlerësuar si koncert të niveleve të larta.
“Është gjithmonë kënaqësi kur vijmë te Sihana, në Kamerfest. Ishte një koncert i niveleve të larta. Përveçse erdhëm në Kosovë patëm edhe një bashkëpunim me artistë të niveleve të larta me të cilët e ndiem veten shumë mirë, natyrshëm”, ka thënë Prosi teksa afër vetes mbante violonçelin.
Në anën tjetër, shkupjani Blerim Grubi, i cili është edhe drejtor artistik i “Muza-KamerFest” në Shkup, ka thënë se publiku duhet të ndihet i nderuar nga prezenca e këtyre artistëve.
“Publiku ynë ka rast të shohë solistin Kalidi Sahatçi e edhe ne si artistë kemi nderin të luajmë me të. Veprat ishin të jashtëzakonshme, të shkëlqyera të zgjedhura e edhe Klaidi, edhe Merita, edhe Aristidhi, edhe unë bashkë dhamë një perfomancë të mirë me interpretim të bukur siç i ka hije Robert Schauman me këtë kuartet”, ka thënë ai, teksa ka theksuar mungesën e një salle koncertale në Prishtinë.
Mungesën dhe nevojën e një salle koncertale e ka theksuar edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili në fjalimin hyrës u zotua se Prishtinën do ta bëjë me sallën koncertale.
ka nevojë për një sallë koncertale e këtë zotohem se do ta bëj”, ka thënë Rama.
Ndërkaq organizatorja e “Kamer Fest”, Sihana Badivuku, ka thënë se çdo dalje në skenë i ka emocionet e veta, edhe pauza e ka bërë të veten. “Pas dy vjetëve pauzë natyrisht secili drejtor artistik mendon çka më tutje, për ndonjë ndryshim apo diçka po në pamundësi të mjeteve prapë vijnë në shprehje improvizimet. Këtë vit ‘Kamer Fest’ u mundësua nga përkrahësi kryesor, Komuna e Prishtinës”, është shprehur Badivuku.
Ndërkaq performancën e parë të këtij edicioni Badivuku e ka cilësuar si shkollë më vete.
“Është shkollë e mirë që t’i shihnim këta artistë. I kemi këtu edhe studentët tanë, sepse çdo notë muzikore e këtij mjeshtri është e vlefshme e edhe vepra në kuartet e pianos së Schaumanit ishte shkollë për të gjithë, edhe për profesionistët, edhe për studentët”, përfundoi ajo.
“Kamer Fest” është festivali i parë ndërkombëtar i muzikës së dhomës në Kosovë. Ai është themeluar në vitin 2000 nga violinistja Sihana Badivuku dhe fondacioni “ArsKosova”. Ky edicion do të ketë gjithsej njëmbëdhjetë mbrëmje kamertale deri në ditën e parë të dhjetorit.