Kulturë

DAM-i feston për muzikë me duon e violonçelistëve

Descriptive Text

Festivali i muzikës DAM, sivjet në fundqershor e fillimkorrik solli edhe një edicion të pasur, të 17-tin me radhë. Por, jo çdo gjë ka përfunduar. Në atë që e ka titulluar “Post DAM”, ka rezervuar një datë të veçantë, njashtu sikurse edhe duon e violonçelistëve dhe koncertin. Të shtunën, 1 tetori - Dita Ndërkombëtare e Muzikës, do të festohet me Aurélien Sabouret, violonçelistin e parë të Operës së Parisit dhe Vlorent Xhafajn, violonçelistin e mirënjohur shqiptar. Vendi: Modelariumi i Arkitekturës në Prishtinë.

Në njoftimin për koncert paralajmërohet mbrëmje e veçantë. Do të nisë me interpretimin e “Sonata op 5, nr. 6” të kompozitorit italian, Francesco Geminiani. Më pas dy violonçelistët, Sabouret dhe Xhafaj, do të vazhdojnë me “Sonatën op. 4 në A-dur”, ku do të sjellin tingujt e muzikës klasike të kompozitorit dhe violonçelistit të mirënjohur italian, Luigi Boccherini. Në program është edhe Sonata e famshme për dy violonçela nga opera 308, “The Battle of Agincourt” e kompozitorit francez Olivier Greif, ndërsa pas kësaj do të sjellin një interpretim të një tjetër sonate të Francesco Geminianin. Krejt në fund dyshja do të kthehet në skenë në interpretimin e “Sonatës nr. 10” të francezit Jean - Baptiste Barrière.

Violonçelisti shqiptar, i cili ka qenë pjesë e disa prej orkestrave më të njohura evropiane, Vlorent Xhafaj, është shprehur i gëzuar që do ta ndajë skenën me Sabouretin.

“Kënaqësi të luaj nesër me mikun dhe kolegun Aurelien Sabouret për DAM Festival në Prishtinë të shtunën e datës 1 tetor. Dy violonçela pa shoqërim”, ka shkruar Xhafaj në profilin e tij në Facebook.

Prej vitit 2008 Aurélien Sabouret është violonçelisti kryesor i Orkestrës së Operës Nacionale të Parisit. Ai u diplomua në CNSMDP, ku studioi violonçelin në klasën e Jean-Marie Gamard. Sipas biografisë së tij, ai përsosi aftësitë e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Universitetin e Bostonit dhe në Festivalin Tanglewoodit, nën drejtimin e violonçelistit Andrès Diaz, pianistit Emmanuel Ax dhe anëtarëve të kuartetit Juilliard. Në vitin 1999 fitoi çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar “Heida Hermann"”; në Danbury, Connecticut. I pasionuar pas muzikës së dhomës, Aurélien Sabouret është anëtar i kuartetit “Via Nova”.

Ndërkaq, violonçelisti shqiptar Vlorent Xhafaj studimet për violonçel i ka nisur qysh në moshën 6-vjeçare. Kur ishte 16-vjeç fitoi çmimin e parë në konkursin “Talentët e rinj” ndërsa disa javë më pas shkoi në Francë, duke vazhduar studimet nën drejtimin e V. Marin-Queyras në Konservatorin Rajonal të Parisit ku u diplomua në vitin 2003. Më 2004 u pranua në klasën e Anne Gastinel në Conservatoire National Supérieur de Musique et de Danse de Lyon, ku përfundoi studimet master. Ishte anëtar i orkestrave rinore më të mira në botë, si Orkestra Simfonike e Paqësorit, Orkestra e Festivalit të Schleswig-Holstein, Orkestra Rinore e Festivalit të Lucernit, si violonçelist primar në 2007 dhe 2009, duke luajtur me dirigjentë si Valery Gergiev, Pierre Boulez, Esa-Pekka Salonen e të tjerë. “Bashkëpunëtorët e tij të muzikës së dhomës në skenë përfshijnë emra si: Tedi Papavrami, Boris Brovtsyn dhe Francois-Frederic Guy, ndër shumë të tjerë”, shkruhet në biografinë që e ka përcjellë Festivali DAM.

Koncerti i dyshes në Prishtinë është mbështetur nga Ambasada e Francës në Prishtinë dhe njëherësh vjen si program mysafir në kuadër të “Clarinet Podium”.