Kulturë

Ganimet Vendresha – primadona e baletit shqiptar, sinonim i elegancës

Si primadonë e baletit, Ganimet Vendresha është kujtuar edhe të enjten kur është dhënë lajmi për vdekjen e saj. Ajo ishte 88-vjeçe. Kontributi i saj prej balerine e koreografeje nuk do të ndalej vetëm në Shqipëri. Për disa muaj do të punonte edhe në Kosovë duke përgatitur Trupën e Baletit për shfaqjen “Halili dhe Hajria”. Në skenë qe përherë artistja elegante që la vulë në historinë e artit

Kur pas Luftës së Dytë Botërore shteti shqiptar po synonte që të përgatiste kuadro për fusha të ndryshme, nuk ishte aq e lehtë që të gjendeshin vajza që synonin të merreshin me art. E sidomos me balet, një fushë gati e panjohur asokohe. Një e re që kishte përfunduar mësimet për piano, në atë që dikur ishte shkolla artistike “Jordan Misja”, kishte “thyer akullin”.

Ganimet Vendresha kishte pranuar që të shkonte në ish-Bashkimin Sovjetik për t’u bërë balerinë. Do të kthehej për t’u bërë balerina e parë dhe ndër themelueset e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Më pas kulmoi si soliste e pedagoge që do të merrte krejt titujt e mundshëm shtetërorë.

Si primadonë e baletit, Ganimet Vendresha është kujtuar edhe të enjten kur është dhënë lajmi për vdekjen e saj. Ajo ishte 88-vjeçe. Kontributi i saj prej balerine e koreografeje nuk do të ndalej vetëm në Shqipëri. Për disa muaj do të punonte edhe në Kosovë duke përgatitur Trupën e Baletit për shfaqjen “Halili dhe Hajria”.

Pionierja e skenës

Ganimet Vendresha u lind në Tiranë më 19 shtator 1934. Pas përfundimit të shkollës së mesme artistike “Jordan Misja” bashkë me kolegët e gjeneratës së parë që ia mësynë të bëheshin balerina, më 1950 shkuan në Moskë për të studiuar shkollën e baletit në kuadër të Teatrit Bolshoi. Pas studimeve për gjashtë vjet, Vendresha u kthye në Shqipëri për të hapur një kapitull të ri në artin vendor.

Bashkë me kolegët hapën Shkollën e parë të Baletit në Shqipëri. Më pas ishte edhe bashkëthemeluese e Akademisë së Arteve, ku dhe punuan si pedagogë. Po ashtu qe bashkëthemeluese e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku punoi deri në pensionim.

Më 1956 filloi punën si soliste në TKOB, ku realizoi me dhjetëra role skenike dhe një veprimtari të pasur koncertale si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Realizimet e saj më të mira skenike, si roli i Hajries te “Halili dhe Hajria”, Zaremës te “Zarema e humbur”, Luizës te “Kujdesi i kotë”, Delinës në shfaqjen “Delina” dhe Xhuljetës te “Romeo dhe Xhuljeta” janë edhe interpretimet për të cilët është shquar më së shumti. Gjatë karrierës u vlerësua lart nga institucione të ndryshme dhe iu dhanë titujt më të lartë shtetërorë si urdhri “Naim Frashëri”, dekorata “Artiste e Merituar” e “Nderi i Kombit”.

Në maj të këtij viti presidenti i Republikës, asokohe Ilir Meta, ia dha edhe titullin më të lartë për arte, “Mjeshtër i Madh”.

“Në vlerësim dhe me mirënjohje shtetërore balerinës së parë shqiptare, një ndër themelueset e koreografisë sonë dhe pedagoget e para, e cila mësoi, frymëzoi dhe përgatiti me dhjetëra balerinë solistë të talentuar. Për kontributet e saj të spikatura artistike në interpretimin virtuoz të shumë roleve të paharrueshme në Teatrin e Operës dhe Baletit, e më pas në trupën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore”, shkruhet në motivacion.

Model për breza

Teatri i Operës, Baletit dhe Ansambli Popullor të enjten, derisa ka njoftuar për vdekjen e Vendreshës, e ka cilësuar atë si një artiste të veçantë.

“Me hidhërim të thellë mësuam për ndarjen nga jeta të balerinës së parë të Teatrit të Operës dhe Baletit, ‘Mjeshtres së Madhe’ Ganimet Vendreshës. Vallëzimi i saj do të jetë tashmë i pambarimtë në gjurmën që i la Teatrit të Operës, por dhe vendit tonë. Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të botës së baletit e artit”, shkruhet në njoftimin e TKOB.

Gjatë vitit 2018, kur sopranoja me nam botëror, Inva Mula, po realizonte programin televiziv “Virtuozët”, do të përmendte Ganimet Vendreshën si një prej artisteve që vunë bazat e baletit në Shqipëri. Gjatë një vizite në banesën e saj në Tiranë, Mula kishte zhvilluar edhe një bashkëbisedim të shkurtër me të. Primadona, megjithëse në moshë të shtyrë, sipas pamjeve paraqitet si një artiste hijerënde.

“Në kohën tonë ne nuk kemi pasur njerëz që të na mësonin. Ishim vetë me ato dijet që kishim marrë nga jashtë. Erdhëm dhe gjetëm njerëz që ishin të pashkolluar, por me vullnet, temperament e pasion”, do të thoshte ajo. Periudhën kur hapën Shkollën e Baletit e përshkruante si diçka të veçantë.

“Ajo ishte periudhë shumë e bukur pasi mori hov arti në vendin tonë”, do të thoshte Vendresha. Sipas saj, një balerinë në radhë të parë duhet të ketë talentin natyral që është dhuratë.

Image
“Fizikun ta rregullon profesioni. Neve na flasin edhe duart, se është shkolla ajo që ta mëson këtë se si duhet të shprehesh me duar. Po u fute në art, duhet të kesh predispozita të përditshme deri në ditën e fundit”, do të thoshte Vendresha

“Fizikun ta rregullon profesioni. Neve na flasin edhe duart, se është shkolla ajo që ta mëson këtë se si duhet të shprehesh me duar. Po u fute në art, duhet të kesh predispozita të përditshme deri në ditën e fundit. Duhet të mblidhet mendja pasi njeriu ka shumë mangësi dhe duhet t’i përballojë ato”, kishte thënë Vendresha. Shihte shumë talent tek të rinjtë shqiptarë. Por, ngulmonte se edukimi mbetet çelësi i suksesit.

Mula të enjten e ka kujtuar pikërisht këtë intervistë.

“Bekuar qoftë ajo ditë e kësaj interviste me legjendën e skenës Ganimet Vendresha. Jam e lumtur për mesazhet qe ajo na ka lënë për brezat. Modele të cilat gdhenden me germa të arta artin shqiptar. Faleminderit Zonjë e madhe!”, ka shkruar në Facebook Mula.

Kontributi në Kosovë

Në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, kur marrëdhëniet midis ish-Jugosllavisë dhe asaj që ishte Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishin relaksuar një grimë, u intensifikua komunikimi kulturor i Kosovës me Shqipërinë.

Ishte vendosur që Trupa e Baletit të Kosovës të realizonte shfaqjen “Halili dhe Hajria”. Koreograf qe caktuar Panajot Kanaqi. Por, fillimisht për rreth katër muaj në Prishtinë me balerinët do të punonin tre asistentë të Kanaqit: Ganimet Vendresha, Pullumb Agalliu e Zoica Haxho. Ajo periudhë për balerinët nga Kosova nuk ishte thjesht përgatitje e një shfaqjeje, por edhe shkollë më vete.

Balerina Sabrije Spahiu ka treguar se Vendresha ushtronte vajzat e sidomos rolin e Hajrisë.

“Ka qenë jashtëzakonisht profesioniste. Një pedagoge e jashtëzakonshme. Aq shumë ka punuar me ne pasi nuk ishim në gjendje shumë të mirë teknike. Ka punuar me Hajrinë dhe me grupin e vajzave”, ka kujtuar ajo për KOHËN. E ka përshkruar si një pedagoge me ëmbëlsi të madhe në qasje.

“Kemi punuar pandërprerë. Kur thoshim ‘A s’jeni lodhë?’, ajo na drejtohej me ‘Ç’është ore kjo lodhja?’”, ka kujtuar Spahiu. Atë periudhë e ka përshkruar si një prej më të mirave sa i përket avancimit profesional. “Na kanë ndihmuar shumë edhe në formim. Na kanë çuar në një tjetër nivel. Ky grup që erdhi nga Tirana na e dha një vulë që të vazhdojmë”, ka thënë Spahiu. Shfaqja “Halili dhe Hajria” ishte dhënë më pas në Tiranë.

Image
Ajo qe një nga emrat që ka bërë historinë e baletit shqiptar duke lënë pas një shkollë, por edhe kujtimin e bukur të artistes

Kolegu i Vendreshës, koreografi Pullumb Agalliu, i cili ende e ushtron profesionin në Baku të Azerbajxhanit, e ka kujtuar të ndjerën si një profesioniste të madhe.

“Ka punuar shumë me solistët. Ka dhënë shumë kontribut. Vetë ka luajtur shkëlqyeshëm. Artiste dhe njeri shumë pozitiv. Ka qenë e para në Teatër e pastaj e hapën edhe Shkollën e Baletit”, ka thënë Agalliu për KOHËN. E ka përshkruar Vendreshën si një njeri plot pozitivitet që ka një kontribut kuptimplotë në baletin shqiptar.

Emër i historisë së baletit

Me rastin e vdekjen së Vendreshës, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka shkruar në Facebook se ajo ishte një nga emrat që ka bërë historinë e baletit shqiptar duke lënë pas një shkollë, por edhe kujtimin e bukur të artistes dhe elegancës së pashoqe.

“Lamtumirë Ganimet Vendresha, soliste e parë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit!”, ka shkruar Margariti.

Kurse kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka thënë se ndarja nga jeta e Ganimet Vendreshës, themeluese e Teatrit të Operës dhe Baletit në Shqipëri dhe Shkollës së Baletit në Tiranë, është një humbje e madhe për artin shqiptar.

“Ajo i dha aq shumë Shqipërisë së saj dhe kujtdo që pati fatin ta kishte në jetën e vet”, ka shkruar ai në Facebook. Siç është njoftuar, të premten prej orës 10:00 deri në 12:00, arkivoli me trupin e Vendreshës do të qëndrojë në hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Kurse varrimi i saj do të bëhet në orën 13:00, në varrezat e Tufinës në Tiranë.