Protestat në Francën e këtij shekulli janë kryefjalë e dy dokumentareve të regjisorit francez Sylvian George “Joli Mai” dhe “L’implossible - Pages Arrachees (2009)”. Por s’bëhet fjalë për dokumentar të zakonshëm. Në njëqind e dhjetë minuta sa zgjasin, publikut në “Kino Armata” i testohet goxha durimi. Ky është edhe njëri prej synimeve të regjisorit dhe këtë e ka zbërthyer në bisedë. Lista e demonstratave që ai kap është e gjatë.
Në periudhën midis viteve 2007-2009 në Francë edhe studentët kishin hyrë në grevë kundër ligjit të LRU (Liberté et Responsabilité des Universités), i cili synon rinovimin rrënjësor të universiteteve franceze. Të gjitha këto regjisori George i dokumenton në mënyrën e tij me dokumentarin eksperimental të metrazhit të gjatë, “L'implossible - Pages Arrachees (2009)”. Për demonstratat dhe lëvizjet shoqërore të 1 majit të vitit 2016 në Francë, Gerorge kishte realizuar filmin e metrazhit të shkurtër “Joli Mai”, i cili ishte punuar i tëri në bardhezi.
“L’implossible - Pages Arrachees (2009)” përbëhet nga imazhe origjinale të prodhuara nga Sylvain George dhe imazhe të marra nga filmat e Lionel Soukaz dhe Guy Hocquenghem e të ripunuara nga vetë ai. Vjen në tetë pjesë, krejt me tituj poetikë. Filmi fillimisht ishte nisur si metrazh i shkurtër. Por se si kishte vendosur që këtë film ta kthente në metrazh të gjatë, e ka shpjeguar vetë regjisori, i cili ka ardhur për herë të parë në Kosovë.
Por ajo që e prek habinë e publikut janë dyzet minutat e parë të filmit ku nuk dëgjohej as edhe një zë. Kjo lojë të cilën George e kishte bërë me qëllim, nuk e ka arritur efektin te krejt. Jo pak veta e lëshuan sallën. Po ashtu filmi pati një hapje të pazakonshme. Përveç mungesës së plotë të zërit, pamjet e para paraqesin pjesë të natyrës të mbuluara me borë dhe kur kamera fokusohet te një lis a një pishë, ajo merr disa sekonda që të ecë tutje dhe madje shpesh pamja përsëritej disa herë. Ai publik i paktë që pati durimin t’i kapërcente këta minuta qetësie më pas u trondit nga zëri i lartë i protestuesve dhe dritat e forta të së bardhës në kontrast me të zezën, si dy ngjyra dominuese. Megjithatë, regjisori George ka thënë se vendimin për ta bërë këtë lojë, këtë teknikë, e mori kur vendosi që të bënte një film të gjatë.
“Më pas vendosa që ta bëja një film më të gjatë. Fillimin e tij e bëra bardhezi dhe me vetëm pak ngjyrë të kuqe pa zë, ndërsa më pas filmi vjen me më shumë ngjyra teksa zëri vinte dalëngadalë, hap pas hapi duke u bërë më i dendur. Në fillim zëri dhe pamjet nuk janë në sinkronizim, ndërsa më pas ato vijnë duke u sinkronizuar”, ka shpjeguar ai.
Për ta bërë këtë film regjisorit George i ishin dashur tre vjet, sepse, sipas tij, koha është çelësi për të krijuar marrëdhënie të mira me njerëzit.
“Për mua koha është çelësi. Në fillim filmi ishte paraparë që të ishte i shkurtër. Por, kur shkova në vendin ku do t’i bëja xhirimet pashë diçka të cilën nuk e kisha parë më herët në film, sepse ekzistonin shumë filma dokumentarë rreth kësaj çështjeje. E ndjeva nevojën që të kaloja më shumë kohë aty. Kështu që, thashë se do të rri aty, nuk e di se sa, por aq sa do të jetë e nevojshme”, ka thënë George.
Me “L’implossible - Pages Arrachees (2009)” George mundohet që të shfaqë mënyrën e tij të të kuptuarit të protestave duke dashur që të vërë në pah, ndër të tjera, edhe rolin e mediave. Në pjesën e dytë të filmit, atëherë kur fillojnë të dëgjohen zërat, protestuesit thërrasin vazhdimisht mediat dhe tentojnë të vënë në syrin e tyre realitetin me të cilin po përballeshin, përfshirë këtu edhe dhunën e policëve.
“Natyrisht se është një mënyrë se si unë mundohem të komunikoj me realitetin varësisht nga mendimi, nga pozita se si të tjerët e shohin demonstratën apo situatën e imigrimin. Këto janë çështjet apo situatat të cilat ju mund t’i shihni nëpër media, por të shfaqura me shumë kujdes, me lexime të lajmeve në mënyrë shumë konservative apo mënyrë të ngjashme. Nuk është se ke gjithmonë pamje të reja, por është gjithmonë pamja e njëjtë”, ka thënë ai.
Studiuesi Sezgin Boynik, i cili gjithashtu është edhe kurator i ekspozitës së George, pjesë e programit “Four Ways from Sundown” në “Kino Armata” e ka cilësuar “L'implossible - Pages Arrachees (2009)”, si film poetik që kërkon shumë përqendrim dhe durim për ta kuptuar domethënien e tij.
“Ishte krijuar në mënyrë shumë poetike. Është një film ku ju jeni duke lëvizur nga abstraktja tek konkretja. Në fillim filmin e nisni me heshtje, ndërsa pastaj e vazhdoni me zë. Aty shohim shumë njerëz që janë duke vdekur urie dhe shumë njerëz që janë duke kaluar në tranzicion”, ka thënë Boynik.
Sylvain George u lind më 1968 në Lyon të Francës. Ka diplomuar në filozofi, shkenca politikë, juridik dhe kinema (EHESS Sorbonne). Që nga viti 2006 realizon filma dokumentarë mbi temat e emigracionit dhe lëvizjet sociale.
Shfaqjet e filmave të Sylvain George janë pjesë e programit “Four Ways from Sundown” të “Kino Armata”, kuruar nga Sezgin Boynik, Alush Gashi dhe Vigan Nimani për “Manifesta 14”. Filmi “L'implossible - Pages Arrachees (2009)” u shpërblye me Çmimin për filmin më të mirë në Festivalin Filmmaker Film Festival më 2010 dhe Bafici 2011; Çmimin e jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Valdivia; Çmimin FIPRESCI, e të tjerë.