Kulturë

Mitrovica e shekullit të kaluar me shtatë kinema, sot asnjë

Historia e kinemave në Mitrovicë nis qysh prej viteve ’30 të shekullit të kaluar, kur salla shfaqjesh të filmave zinin vend nëpër hotele. Bashkë me Prizrenin ky qe ndër qytetet e para në Kosovë ku njerëzit bëheshin tok për të parë filma në ekran të madh. Deri në vitet ’90 vetëm qendra e Mitrovicës kishte shtatë kinema. Sot – asnjë. “Në kujtim të kinemave të Mitrovicës” është videoja që e dokumenton këtë kapitull historie dhe vjen si thirrje

“Ata fëmijë janë përgatitur me ble biletë, janë bërë rresht, kanë hy në sallë, kanë mbajtur qetësi, janë fascinuar nga ekrani i madh, disa kanë qeshë e disa kanë qarë”, thotë Nora Prekazi-Hoti në mes të rrëfimit. Krejt këtë proces e përshkruan si entuziazëm të fëmijëve mitrovicas dikur për të parë film në kinematë e qytetit.

“Ne e kemi pasur pyetjen e parë për të gjithë se kur ka qenë hera e parë që kanë shkuar në kinema. Shumica kanë shkuar me të shkollës, kemi një shkëputje me këto institucione kulturore pas luftës”, thotë ajo duke e vazhduar rrëfimin.

Nuk janë dashur më shumë se tre minuta e 24 sekonda që ta dokumentojnë nëpërmjet videos një kapitull të qytetit të Mitrovicës dikur me shtatë kinema. Me “Në kujtim të kinemave të Mitrovicës” videoja, konceptuar prej saj e Lulzim Hotit, dëshmon mjeshtërisht ekzistencën e këtyre kinemave prej viteve ’30 deri në vitet ’90. Sot nuk funksionon asnjë. Nuk janë më as shumica e objekteve të dikurshme të kinemave. Me projektin e tyre ato rikthehen nëpërmjet imazheve. Fotot e vjetra montohen bukur në pamjet e sotme. Pyetja e herës së parë në kinema qe pikënisje.

“Qysh me përqafu kulturën si diçka që s’është luks, e lartë, por e mirëqenies sonë”, thotë ajo si një prej arsyeve që e shtynë drejt dokumentimit të kinemave të Mitrovicës.

Për gjithë rrugëtimin e hulumtimit thotë se ka ndier mërzi. Kjo, për shkak të gjetjet për njëfarë neglizhence ndaj një pjese të historisë së vendit, të cilën edhe vet thotë se e ka shijuar veç një herë.

“Është një punë që e jep edhe nostalgjinë, njohurinë, por edhe një punë avokuese për me pa se a ka mundësi me u rimëkëmbë kjo veprimtari”, thotë ajo, teksa dokumenton se si Mitrovica nga një qytet me shtatë kinema funksionale ndër vite tash ka mbetur me asnjë prej tyre.

“Pjesën kryesore pse ka qenë memoria e prindërve të mi reflektimi i fëmijërisë së tyre, vijueshmëria e rregullt në kinema ka qenë një prej ideve që është ndjellë tek unë kahmos. I kanë pasur daljet romantike me shku në kinema, kur rritesh me këto storie e lënë një përshtypje të madhe”, thotë për motivet e përvjeljes së mëngëve për këtë temë.

Image
Harta e shtrirjes së shtatë kinemave në qendër të qytetit të Mitrovicës (Foto e shkëputur nga videoja, “Në kujtim të kinemave të Mitrovicës”)

E pikërisht videoja ka dy qëllime në esencë: dokumentimin nëpërmjet rrëfimeve të atyre që përjetuan kinematë e qytetit dhe njohjen e gjeneratave të reja me këtë pjesë, të cilët u privuan nga kjo kënaqësi tash e një kohë. Videoja është përmbledhje e kohëve të ndryshme dhe sjell dromca prej viteve ‘30 deri te të ’90-at. Fillimet ishin me improvizime sallash nëpër hotelet si “Parisi”, “Palace” dhe “Jadrani”. Më vonë kinemaja e fitoi destinimin institucional përmes ngritjes së “Kino Teslla” dhe “Kino Zvezda”. Ndërkaq si salla për shfaqje të filmave përveç hoteleve kanë qenë edhe qendra e kulturës “Kej Lushta” dhe Shtëpia e Armatës. Secila prej tyre kanë qenë aktive nëpër periudha të ndryshme kohore, duke e bërë një zinxhir aktiv të rrjetit të kinemave në këtë qytet.

Për pasqyrim të pasurisë së jetës kulturore të qytetit të “Trepçës”, autorja ka përzgjedhur pikërisht kinematë përreth qendrës duke përjashtuar ato të regjionit. Fati i secilës ka qenë më ndryshe se tjetra. Për disa degradimi i objektit, rrënimet, ndërtimet private, e për disa humbja e destinimeve nga koha e luftës, ku ato patën funksion ushtarak, bënë që Mitrovica sot të mbetet pa asnjë kinema.

“Punëtorët e ‘Teslas’ gradualisht shpërngulen dhe ajo fillon me u degradu, është objekt i viteve ‘50. Pas viteve ’80 nis tendosja ndëretnike. Në vitet ’90 largohet popullsia nga puna, fillon bojkoti nga shqiptarët në këto institucione, fillon rënia e shikueshmërisë, sepse është televizioni”, tregon ajo për pësimet e njërës prej kinemave. “KFOR-i pozicionohet në Qendër të Kulturës, ndërkaq në ‘Tesla’ pozicionohen policia dhe UMNIK-u. Në Shtëpinë e Armatës, KFOR-i pastaj TMK-ja, ‘Kej Lushta’ veç është shfrytëzuar, por jo për çështje kulturore”, thotë ajo.

Ndërkaq përtej videos ajo përmend edhe kinematë jashtë qendrës.

“Nga ata që i kemi intervistuar (kuptojmë se) filmat janë shfaqur fillimisht në qytet e mandej edhe në Zveçan. Ta kemi parasysh që një pjesë të madhe të kësaj veprimtarie e ka zhvilluar ‘Trepça’ si fabrikë, të cilat kanë pasur mundësi si në Stan-Tërg te kinemaja, por edhe në Zveçan, ku ka qenë shtëpia e kulturës”, thotë ajo.

Tutje thotë se kjo video është dedikim për gjeneratat e reja. Në të njëjtën kohë është pasqyrim nostalgjie.

“Video ta jep një gjah shpirtëror, që me tregu se këtu ishin ato objekte dhe sot s’janë më”, tregon ajo.

Mirëpo, ky nuk është segmenti i vetëm i projektit “Kinematë e humbura të Mitrovicës”. Prekazi-Hoti është në përgatitje të librit “Kinematë e humbura të Mitrovicës-kujtime”, i cili pritet të dalë së shpejti me tri shtyllat e tij: frymëzimin, historikun dhe intervistat e akterëve.

“Janë të përfshirë aktorë, kinoaparaterë, staf teknik, shkrimtarë, piktorë e vizitorë. Janë njerëz që kanë lindur prej viteve ‘30 deri në vitet ’70, se këta e kanë përjetuar kinemanë, ata të pasviteve ’80 pak ose fare”, thotë ajo.

Në të njëjtën kohë pohon se kjo nismë është e vogël karshi përpjekjes për rikthimin e këtyre institucioneve së paku me një kinema aktive.

“Është një shtojcë që kemi treguar se si janë dukur këto kinema. Është libër që e kujton trajtesën, është një thirrje për ata që duan me u marrë me studimin e kinematografisë së Kosovës e të Mitrovicës”, ka thënë Prekazi -Hoti.

“Na po flasim sot përmes atyre që e kanë përjetuar, janë njerëz që e kanë përjetuar një Mitrovicë krejt tjetër prej asaj që unë jam rritë”, thotë ajo dhe e përfundon rrëfimin e saj me shumë dashuri për vendin ku është lindur e rritur.

Historikisht kronologjia e kinemave në Mitrovicë fillon prej viteve ’30. Pra, Mitrovica e Prizreni janë ndër qytetet e para që kanë pasur shfaqje të filmit. Në Mitrovicë kjo është zhvilluar në kuadër të hoteleve.