Mbetjet e një skulpture që paraqet Herkulin dhe daton qysh nga koha antike e Romës u zbuluan gjatë një gërmimi në një hapësirë arkeologjike në Greqi.
Skulptura më e madhe ku është paraqitur Herkuli daton prej shekullit të dytë dhe u zbulua në një vend të njohur më parë si qyteti antik i Filipit në rajonin verior të shtetit nga studiuesit në universitetin “Aristoteli” të Selanikut. Ekipi drejtohet nga Natalia Poulos, profesoreshë universitare, në bashkëpunim me kolegët e saj Anastasios Tantsis dhe Aristotle Menzos. Në gërmime morën pjesë gjithashtu 24 studiues të rinj, midis tyre 18 studentë, 3 pasuniversitarë dhe 3 kandidatë për doktoratë.
Studiuesit që punojnë në gërmim besojnë se artefakti dikur ishte përdorur për të zbukuruar një ndërtesë të periudhës së vonë bizantine në shekullin e 8-të ose të 9-të. Studiuesit besojnë se figura origjinale derisa ishte ende e paprekur, ishte projektuar duke mbajtur objekte të ndryshme. Të gjitha këto janë shënjues tradicionalë të lidhur me heroin greko-romak.
Në një deklaratë nga Ministria e Kulturës dhe Sporteve, e cila mbikëqyr projektet në lidhje me trashëgiminë kulturore, shkruhet se gërmimet do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm.
Herkuli, i njohur në mitologjinë greke si Herakli ose Herakles, është një nga heronjtë më të njohur të mitologjisë antike. Jeta e tij nuk ishte e lehtë. Ai duroi shumë sprova dhe përfundoi shumë detyra të frikshme. Por, shpërblimi për vuajtjet e tij ishte një premtim se ai do të jetonte përgjithmonë mes perëndive në malin Olimp.
Në antikitet Herkuli nuk ishte zot. Sipas legjendës, babai i tij ishte Zeusi, sundimtari i të gjithë perëndive greke në malin Olimp dhe të gjithë të vdekshmëve në tokë.
Herkuli si një prej figurave më të njohura të mitologjisë antike greke është paraqitur në shumë vepra të artit. Portretizohet si hero mitologjik dhe legjendat për të janë të shumta. Po ashtu është figurë e shumë dramave që paraqesin antikitetin.
Marrë nga “Art News”