Kulturë

Vinçenc Gjini dhe gjenerata e tij

Në tërë veprimtarinë e tij pedagogjike, Vinçenc Gjini njihej si arsimtar serioz, tepër i saktë, profesionalisht i përgatitur, por mjaft i ashpër në vlerësim (sipas mendimit të studentëve). Por kjo kishte kuptim, për shkak se Akademisë si një institucion i ri dhe i papërvojë, institucion që bënte hapat e parë, i nevojitej një stabilitet organizativ dhe një funksionim i rregullt, e në këtë drejtim Gjini ishte një prej kontribuuesve më të mëdhenj

Vinçenc Gjini në ambientin tonë kulturor njihet si kompozitor dhe si profesor shumëvjeçar i Akademisë së Muzikës (Fakultetit të Muzikës). Është autor i një morie veprash të disa gjinive të ndryshme (vepra korale, vepra solistike, vepra orkestrale dhe vokalo-instrumentale). Ndër krijimtarinë e gjerë korale do të duhet veçuar veprat “Blegron delja”, “Hijet”, kantatat “Vatra e urtësisë”, “Ramiz o vëlla”, “Të duam liri”, solo-kënga “Letrat”, simfonjeta, disa simfoni e të tjera. Është i njohur edhe me krijimtarinë e tij në fushën e muzikës popullore dhe asaj zbavitëse (muzikës festivaleske), me të cilën merrej në fazën më të hershme të veprimtarisë krijuese.

Mbaroi studimet në Akademinë e Beogradit, Drejtimi i Pedagogjisë së Përgjithshme Muzikore (apo drejtimi teorik, siç shpesh e quajnë). Afro dy decenie më vonë ai mbaron edhe studimet e kompozicionit në Akademinë e Shkupit dhe në vitet ‘70 (tashmë si dyzetvjeçar) fillon më seriozisht t’i kushtohet kompozimit.

Pa dyshim, veprimtaria pedagogjike është aspekti dominues i veprimtarisë së tij, për shkak se ai, duke i takuar gjeneratës së parë të muzikantëve tanë që studiuan në Akademinë e Muzikës, në fund të viteve ‘50, në kohën kur te ne bëheshin hapat e parë të krijimit të institucioneve arsimore të të gjitha niveleve në fushën e muzikës, V. Gjini dha një kontribut shumë të çmuar. E tërë kjo gjeneratë e muzikantëve tanë si Engjëll Berisha, Seniha Spahiu, Sevime Gjinali, Mark Kaçinari dhe natyrisht Vinçenc Gjni, që studioi në Akademinë e Beogradit, është meritore për forcimin e funksionimit të Degës së Muzikës pranë Shkollës së Lartë Muzikore, e cila, siç dihet u formua në vitin 1962. Pikërisht integriteti i tyre pedagogjik si profesorë të kësaj shkolle dhe rezultatet që treguan ata, ishin argumentet kryesore që i bindën organet arsimore që qysh në vitin 1975 të formohej Dega e Muzikës pranë Akademisë së Arteve (që kishte filluar punën dy vjet më parë). Pra, e gjithë kjo gjeneratë e arsimtarëve ishte meritore për transformimin e Shkollës së Lartë të Muzikës në Akademi të Muzikës.

Në disa shkrime të tjera lidhur me zhvillimin e arsimimit të lartë, unë që më parë kam shkruar se “Akademia e Arteve formohet në kuadër të valës së papërmbajtur të zgjerimit të Universitetit të Prishtinës dhe në vazhdën e një ‘zgjimi të përgjithshëm kombëtar’, që ndihej në tërë shoqërinë kosovare të atyre viteve. Është e vërtetë se formimi i institucioneve kulturore në këtë kohë bëhej (ndoshta) në mënyrë stihike, por shumë shpejt do të kuptohet se ka qenë e rëndësishme që të shfrytëzohej ky moment i volitshëm historik. Rrjedha e rrebesheve politike në vitet vijuese këtë e tregojnë”...“në vitet e para të punës së Akademisë (pjesë e së cilës isha edhe unë, si arsimtar fare i ri) ndihej një entuziazëm i jashtëzakonshëm në funksionimin e saj. Atë që mbaj në mend si karakteristikë pozitive e asaj kohe, ka qenë funksionimi i procesit mësimor me një përpikëri ekzemplare. Organizimi i procesit mësimor ishte i saktë dhe punohej me respektim të përpiktë të punës. Mësimi zhvillohej me orar preciz dhe me respektimin e saktë të kohëzgjatjes së orëve... Kjo ishte e kuptueshme, për shkak se veprohej në kuadër të një sistemi ku detyrat dhe obligimet ishin qartë të paracaktuara. Në anën tjetër, këtë e impononte gjenerata e pedagogëve më të vjetër, që kishin punuar gjatë në shkolla të mesme, si dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike”.

V. Gjini, në tërë veprimtarinë e tij pedagogjike njihej si arsimtar serioz, tepër i saktë, profesionalisht i përgatitur, por mjaft i ashpër në vlerësim (sipas mendimit të studentëve). Por kjo kishte kuptim, për shkak se Akademisë si një institucion i ri dhe i papërvojë, institucion që bënte hapat e parë, i nevojitej një stabilitet organizativ dhe një funksionim i rregullt, e në këtë drejtim Gjini ishte një prej kontribuuesve më të mëdhenj në këtë drejtim. Ai gjatë tërë veprimtarisë pedagogjike ligjëroi lëndën e Harmonisë, njëra prej lëndëve kryesore teorike bazë që i nënshtrohen studentët e të gjitha drejtimeve të Akademisë. Është edhe autor i librit të Harmonisë, të parin të këtij lloje tek ne.

Në fund të viteve ‘80, pas disa vjetësh të një qetësie provizore, kur Akademia sapo i kishte mbushur dy decenie të jetës së saj, ndërhyrjet politike në punën e saj bëhen më të shpeshta. Procesi mësimor si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve fillon të cenohet rëndë. Si rrjedhojë e kësaj, ishte dëbimi nga ndërtesa dhe nga puna e rregullt e të gjithë arsimtarëve shqiptarë, në vjeshtën e hershme të vitit 1991. Që nga ajo kohë V. Gjini e braktis Kosovën dhe shpërngulet në Kroaci (në Buje, një qytezë në Istër), ku do të kalojë tri deceniet e ardhshme të jetës së tij.

Prishtinë 23.09.2022

(www.rafetrudi.com)