Punimi i figurës që paraqet një grua me grumbull të gjarpërinjve që formësojnë flokët e saj është vendosur përmbys, me kokën poshtë. Reflektimi i ujit do ta prezantonte ashtu si do të ishte për së mbari. Në mitologjinë greke Meduza është figura më e famshme. E te ish-Fabrika e tullave është punuar si simbolikë për shpëtimin e hapësirës nga degradimi i mëtutjeshëm
Nga një vend që ngjante në deponi të mbeturinave, gjatë verës ish-Fabrika e tjegullave në Prishtinë është kthyer në një nga hapësirat kulturore të qytetit. Këtë pamje do ta ketë të paktën edhe për rreth një muaj e gjysmë, kur bienalja nomade “Manifesta 14” do të mbyllet. Ndër aktivitetet e tjera të zhvilluara si diskutime e punëtori, një e tillë është zhvilluar edhe për katër ditë rresht, e rrugëtimin e ka përmbyllur të hënën. Murali prej argjile i “Medusës”, figurës nga mitologjia greke, ka bërë bashkë të pranishmit. Ka qenë fondacioni “GAIA” që përveç pastrimit që i ishte bërë dhe rregullimit të mjedisit aty, së fundi ka sjellë edhe artin në njërën nga hapësirat. Simbolika e Meduzës është mbrojtja e kësaj hapësirë, gjarpërinjtë – shërim për të.
E hëna është ditë pushimi në të gjitha lokacionet e “Manifesta 14”, përveç në Fabrikën e tullave, ku tashmë njëri nga muret aty është veshur me art. Shumë pranë mini-pishinës me ngjyrë të kuqe që ishte punuar në kuadër të ndërhyrjes në ish-Fabrikën e tullave, si një nga hapësirat e “Manifesta 14“ po vendoset murali i “Medusës”. Jo rastësisht është zgjedhur ky mur për ta veshur në art. Punimi i figurës që paraqet një grua me grumbull të gjarpërinjve që formësojnë flokët e saj është vendosur përmbys, me kokën poshtë. Reflektimi i ujit do ta prezantonte ashtu si do të ishte, për së mbari.
Në mitologjinë greke Meduza është figura më e famshme nga ato që njihen si “Gorgona”. Ajo kishte qenë e vetmja e tillë që konsiderohej e vdekshme, prandaj thuhet se vrasësi i saj, Perseus, ia kishte prerë kokën. Nga gjaku që kishte buruar nga qafa e saj konsiderohej të kishin dalë dy djemtë e saj. Punimi i figurës që paraqet një grua me grumbull të gjarpërinjve që formësojnë flokët e saj është vendosur përmbysur, me kokën poshtë. Reflektimi i ujit do ta prezantonte ashtu si do të ishte, për së mbari.
Koka e prerë e saj konsiderohej se kishte fuqinë të kthente në gur të gjithë ata që e shikonin. Në mitologjinë greke thuhet se ajo përdorej kundër armikut i cili ikte nga stuhia që krijohej prej saj.
Mina Oner është arkitekte dhe eko-ndërtuese nga Turqia. Si pjesë e fondacionit “GAIA” kishte ardhur në qershor për të parë hapësirën e për të planifikuar punëtorinë. Ajo është e vetmja nga Turqia, ndërkohë që pjesëmarrës në punëtori ka pasur nga Shqipëria, Gjermania e Belgjika. Ajo është një nga të certifikuarit e Fondacionit për të mbajtur punëtori.
“Njerëzit harrojnë si t’i përdorin materialet natyrale, mendojnë se nuk funksionojnë më, por ‘GAIA’ ua dëshmon se kjo nuk është e vërtetë dhe gjithashtu ua ndërron të rinjve dhe të moshuarve këtë perspektivë”, është shprehur ajo derisa ka përmendur qëllimin e këtij institucioni për t’i bërë bashkë dhe për të krijuar kontakte mes njerëzve nga Ballkani.
E hëna është ditë pushimi në të gjitha lokacionet e “Manifesta 14”, përveç në Fabrikën e tullave ku tashmë njëri nga muret aty është veshur me art
Fondacioni “GAIA” angazhohet në rigjallërimin dhe mbrojtjen e diversitetit kulturor dhe biologjik. Në prezantimin e tij thuhet, ndër të tjera, se angazhohet në “rritjen e njohurive dhe praktikave tradicionale për sovranitetin e tokës, farës, ushqimit dhe ujit, duke u mundësuar kështu komuniteteve të përcaktojnë rrugët e tyre të përshtatshme në nivel lokal dhe kulturor, të rrënjosura në parimet dhe praktikat rigjeneruese”.
Mina Oner, e cila është mbikëqyrëse e punëtorisë, ka treguar se punëtori të tilla ka mbajtur gati në gjitha shtetet e Ballkanit. Ajo është fascilituese e muralit, në të cilin së pari është dashur të dizajnoheshin vizatimet, të bëheshin skicat, të testohej argjila e më pas të aplikohej. Për të gjarpinjtë simbolizojnë njohuritë e artit modern, por që gjatë historisë janë konsideruar si përbindësha.
“Murali është për Meduzën, është i përmbysur, nën të ka ujë dhe ajo qëndron e kthyer mbrapsht, dhe kjo të mrekullon. Shumë herë njerëzit e përdorin atë për të mbrojtur hapësirën e tyre, luftëtarët e kanë mbajtur atë në helmetat e tyre derisa kanë luftuar dhe kjo është ajo pse e përdorim Meduzën. Ajo është gjithashtu viktimë e patriarkatit dhe unë gjithmonë mundohem të angazhohem në fuqizimin e grave”, ka treguar Oner.
Për të krijuar një mural prej argjile, së pari i paraprijnë disa procedura. “Së pari duhet të testohet argjila, duhet të gjendet rërë e mirë, duhet të bësh disa teste për të parë nëse ka argjilë apo jo. Pastaj vendosim rërën pak nga pak dhe pastaj shohim nëse ajo çahet apo jo, nëse jo e përdorim atë në proporcion dhe pastaj hedhim pigmente në të dhe shohim ngjyrat që na duhen”, ka shpjeguar Oner për KOHËN.
Numër i madh i artistëve ndërkombëtarë kanë vizituar aktivitetet e Bienales. Toon Lambrechts nga Belgjika ka ardhur veçanërisht për punëtorinë e muralit prej argjile. Siç ka thënë ai, i ka interesuar të punojë me materiale natyrale.
“Po punoj me argjilën që e kemi marrë nga Fabrika e tullave, kemi përgatitur sipërfaqen, kemi përzier ngjyrat. Është koka e Meduzës e vendosur poshtë. Argjilën e kemi pastruar, i kemi hequr gurët, e kemi përzier me rërë për ta bërë më të fortë, gjithashtu edhe me ujë, kemi hedhur pigmentet”, ka shpjeguar ai. Artisti belg ka qenë disa herë në Prishtinë, derisa gjatë vizitës së fundit ka parë një kryeqytet që po rritet çdoherë e më shumë e ku po zhvillohet me të madhe jeta kulturore. “Është befasuese, vend interesant, është një lloj i vendit kulturor. Nuk e kam parë ende tërë ‘Manifestën’, por do të gjej kohë ta shoh. Prishtina është rritur shumë, kam qenë këtu para disa vjetëve, kam qenë disa herë. Qyteti ka ndryshuar shumë, është rritur, ka gjëra të reja dhe kultura është më e zhvilluar”, ka thënë Lambrechts më tej.
Lulëzimi i “Medusës” në ish-Fabrikën e tullave në Prishtinë ka qenë edhe mësim për të rinjtë, në veçanti për studentët në fushën e artit. Ardita Krasniqi, studente e pikturës në Fakultetin e Arteve, ka thënë se ka qenë mjaft e dobishme përvoja në punëtorinë ku kanë praktikuar punën me ngjyra prej dheut e me baltë. “Kemi punuar murale të tjera, por kjo është hera e parë që kam marrë pjesë në një mural që punohet me këtë lloj teknike. Kam pasur mundësinë të mësoj sesi bëhet kombinimi i baltës me produktet e tjera, si kur e kemi përzier baltën me rërë, mandej edhe me ngjyra, si i kemi përfituar nuancat, si shkon procesi i tharjes, sa merr kohë. Ka qenë eksperiencë shumë e mirë”, ka treguar ajo.
Dy ditë ishin bërë përgatitje para fillimit të punëtorisë, ku ishin paraqitur 11 të rinj për të mësuar muralin prej balte. Ata kanë mësuar edhe si të bashkohet ajo me rërën e si të vendosen pigmentet. Ishte dashur që së pari të gjendeshin materialet e nevojshme. Për katër ditë kanë mësuar si të përgatisin argjilën me materiale natyrale të marra prej hapësirës në ish-Tjegulloren.
Objekti i saj është një strukturë e njihet menjëherë prej fasadës së saj në ngjyrë të kuqe të ndezur dhe prej dritareve të mëdha e katrore. Konsiderohet si hapësira më e rëndësishme post-industriale e Prishtinës. E ndërtuar në vitin 1974, Fabrika e tullave ishte pjesë themelore e organizimit të infrastrukturës në Kosovë, e cila kishte prodhuar materiale të pastra nga të cilat më pas u ndërtuan një seri ndërtesash në Prishtinë. Pas ndërprerjes së saj si fabrikë, objekti i është lënë në menaxhim Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Në një veprim të paprecedent, Komuna e Prishtinës e bleu objektin me qëllim që t’ia kthejë publikut si një hapësirë të re për qytetin. Së fundmi, në kuadër të “Manifesta 14” është shndërruar në një nga hapësirat kulturore në kryeqytet.