Kulturë

Kosova e izoluar në pako e luhatëse midis udhëkryqit të Evropës

Janë pakot e dërgesave postare që formojnë shtylla, por që në esencë nuk e zbërthejnë vetëm brishtësinë e sistemit të shtetit. Në lojë futet edhe solidariteti i diasporës, vihet në pikëpyetje sovraniteti i Kosovës për dërgesat që i ndal Serbia. Aty është edhe luhatësja që u mëshon monotonisë së kosovarëve në pritje për liri lëvizjeje. Vepra e Edona Kryeziut huazon për titull thënien e filozofit Walter Benjaminit: “Ekzistojnë udhëkryqe ku sinjalizuesit e rrugëve janë të padukshëm, por që shndrisin kur u bien dritat e trafikut”

Janë rreth 100 kuti të ndryshme këpucësh, rrobash, gjësendesh shtëpiake e të tjera, të cilat artistja Edona Kryeziu i ka sjellë nga Gjermania për instalacionin e saj, “There are crossroads where ghostly signals flash from the traffic”. Kutitë e vendosura njëra mbi tjetrën formojnë pesë shtylla të cilat “mbajnë” tavanin e njërës prej dhomave të “Hotel Grandit”, një prej stacioneve qendrore të bienales nomade evropiane, “Manifesta14”. Por e çuditshmja e këtyre shtyllave është mënyra e pozicionimit të kutive. Ato nuk janë të vendosura sipas madhësive ku rëndom më e madhja qëndron në fillim dhe pastaj ato më të vogla vendosen njëra mbi tjetrën. Ka një kaos në vendosje, por që e gjejnë statikën si tërësi. Ato që bien në sy janë kutitë e kompanive të mëdha të porosive online si “Amazon” dhe “eBay”. Ato janë kontrasti i shpërndarjes së produkteve të kompanive nga Kosova, që udhëtojnë me muaj për të mbërritur këtu dhe jo rrallë ato përfundojnë nëpër destinacione të gabuara duke e shndërruar kështu në një proces të komplikuar për çdo kosovar.

Një gjë të tillë e kishte kuptuar edhe Edona Kryeziu, e cila jeton midis Gjermanisë dhe Kosovës dhe e cila e ka të qartë dallimin midis një vendi që është brenda BE-së dhe një tjetri pa liberalizim vizash. Një gjë të tillë ajo e dëshmon edhe kur nis të flasë për veprën e saj.

“‘There are crossroads where ghostly signals flash from the traffic’ (Ekzistojnë udhëkryqe ku sinjalizuesit e rrugëve janë të padukshëm, por që shndrisin kur u bien dritat e trafikut) është një citim i Walter Benjaminit, i cili kishte thënë se do të kuptonim shumë më shumë për botën nëse do të shikonim magjinë e asaj që duket. Dërgimi i pakove dhe kutive nga Gjermania në Kosovë përmes autobusëve nuk duket aspak spektakolare, por për mua gjithmonë ka pasur kuptimin e një veprimi solidar mes diasporës dhe kosovarëve dhe, edhe më tepër se kaq, si dëshmi e dinamikës së pabalancuar të pushtetit në të cilën ndodhet Kosova, duke qenë e izoluar nga Evropa teksa gjeografikisht gjendet në Evropë”, ka thënë Kryeziu.

Një vepër e tillë bashkëkohore nuk është komplekse dhe vështirë e zbërthyeshme vetëm për vizitorin e saj. Vështirësi në zbërthimin e saj ka edhe vetë autorja e cila fillin e këtij instalacioni e gjen tek e kaluara dhe e tashmja e jetës së saj.

“Nuk është e lehtë ta zbërthesh këtë vepër arti në një histori, në një tregim. Është një ndërthurje ngjarjesh historike dhe personale nga e kaluara dhe e tashmja e jetës sime, që duken të palidhura me njëra-tjetrën por që ndodhnin disi në sinkronizim me njëra-tjetrën”, ka thënë Kryeziu për KOHËN,.

Dobësitë politike të cilat përveç tjerash janë fajtore edhe për vështirësitë me të cilat përballen kosovarët, kur duan të porosisin online në markat e famshme, sipas saj, mund të kalohen përmes solidarizimit.

“Për shkak të sovranitetit të saj të vënë në pikëpyetje nga Posta e Serbisë, shërbimet nuk vijnë drejtpërdrejt përmes Serbisë në Kosovë dhe nëse kalojnë kufijtë do të jeni me fat nëse arrijnë në adresën e duhur. Për mua kjo dobësi politike kapërcehet përmes solidaritetit, gjetjes së mënyrave të tjera për të ruajtur normalitetin”, ka thënë Kryeziu, e cila për këtë arsye i kishte sjellë vetë kutitë nga Gjermania.

Këto kuti në të cilat gjenden emrat e markave të njohura gjermane, pothuajse çdo kosovari do t’ia kujtojnë kutitë të cilat atyre ua kanë sjellë familjarët e vet nga diaspora e të cilat kanë qenë të mbushura me rroba apo gjësende të tjera ndihmëse që ai nuk ka mundur t’i gjente askund në Kosovë. Megjithatë, e tërë kjo ndihmë që kosovarëve u vjen nga diaspora, sipas Kryeziut, nuk është e mjaftueshme.

“Shtyllat përpiqen të forcojnë strukturën e sistemit, diaspora përpiqet të forcojë Kosovën, por investimi material dhe shkëmbimi emocional nuk mjaftojnë. Megjithatë, e mban atë në disa pika. Ndërsa shtyllat duket se përpiqen të mbajnë arkitekturën e betonit të hotelit madhështor. Është një vepër në të cilën ndjenja e ndërmjetësisë është e pranishme në çdo gjë. Në ‘kuti shtyllat’ në muzikë dhe në ritëm”, ka shpjeguar Kryeziu.

Por, i tërë ky instalacion nuk përbëhet vetëm nga kuti shtyllat. Në mes të saj qëndron një luhatëse me dy ulëse, e cila për shumë vizitorë është edhe shenja karakterizuese e kësaj vepre dhe një vend i famshëm për fotografi. Kjo luhatëse gjendet e kthyer përballë një dritareje të madhe prej ku shihet një pjesë e qytetit të Prishtinës. Ulja në të, lëviza e njëtrajtshme para mbrapa krijojnë një ndjenjë monotone të pritjes e cila sikur kujton jetën e secilit qytetar të Kosovës, i cili i izoluar nga vizat, lëviz brenda së njëjtës trajektoreje, pa shkuar asnjëherë shumë larg.

Image

“Nuk është e lehtë ta zbërthesh këtë vepër arti në një histori, në një tregim. Është një ndërthurje ngjarjesh historike dhe personale nga e kaluara dhe e tashmja e jetës sime, që duken të palidhura me njëra-tjetrën, por që ndodhnin disi në sinkronizim me njëra-tjetrën”, ka thënë Edona Kryeziu për veprën e saj


“Luhatësja i fton ata të ulen dhe të reflektojnë për të kaluarën e këtij vendi dhe ta vënë vetën në pozitën e kosovarëve që presin. Në pritje për të hyrë në BE, në pritje për të udhëtuar, në pritje të ndryshimit. Luhatjet e saj premtojnë lojëra dhe çlirim, por ajo është e ngulitur në një vend dhe lëviz vetëm para- mbrapa, nuk mund të shkojë më larg”, ka thënë Kryeziu teksa ka folur për rolin dhe simbolikën e kësaj luhatëseje.

Qetësinë e kësaj gjendjeje e prish muzika e Ilir Bajrit, “Voices of Kosova”, e cila dëgjohet në sfond. Lidhjen midis pamjes që servohet në momentin kur uljes dhe muzikës që dëgjohet në dhomë, Kryeziu e ka bërë me qëllim që vizitorët e saj t’i kthejnë sytë nga Prishtina dhe të bëjnë një “udhëtim imagjinar” nëpër historinë e Kosovës.

“Unë zakonisht punoj me film. Në vend që t’u tregoja ndërkombëtarëve dhe vendasve diçka në një ekran, doja të përdorja pamjen e dritares për t’i bërë ata t’i kushtonin vëmendje qytetit të Prishtinës dhe përmes instalimit të zërit doja t’i dërgoja në një udhëtim imagjinar nëpër historinë e Kosovës”, ka thënë Kryeziu teksa ka shtuar se pjesët e instalacionit zanor janë nga Ilir Bajri - Sound Class të vitit 2000, të titulluar “Voices of Kosova” (Tingujt e Kosovës) dhe e cila është krijuar duke mbledhur tingujt e Kosovës së pasluftës.

Viktoria Lenos, e cila studion arkitekturë në Universitetin e Leibnizit në Hanover dhe e cila kishte ardhur në Kosovë me disa studentë dhe profesorë të këtij universiteti për ta vizituar “Manifesta”, ka thënë se kjo vepër i ofron qetësi dhe ia kujton instalacionet me gurë që bëhen rreth detit.

“Është shumë interesante, disi më kujton kohën kur je në plazh ndokund me pushime dhe gjen ca gurë dhe t’i thjesht i vendos njërin mbi të tjetrin dhe pastaj je në një moment qetësie dhe paqeje”, ka thënë Lenos.

Tutje Lenos te ky instalacion sheh një dinamikë të fuqishme dhe mbi të gjitha në të ajo gjen identitetin dhe veçantinë e vetë autores së tij.

“Mund ta shoh këtë dinamikë të fuqishme të lidhjes në këtë vepër arti, sepse në një anë ndihesh mirë dhe në një anë nuk je vërtet i sigurt që ajo do të qëndrojë. Në kokë të sillet një mendim i thellë ku ti nuk e di nëse ajo do ta mbajë ekuilibrin. Kjo vepër vërtet portretizon diçka të thellë dhe politike për Kosovën dhe Evropën. Sepse, ju e dini kur vini në këtë dhomë, ajo ka një identitet të vetin me këto paketa. Sigurisht ne të gjithë e dimë çka janë pakot dhe të gjithë blejmë gjëra në internet por megjithatë ajo është kaq interesante”, ka thënë ajo teksa mundohej ta zbërthente e përshkruante nga disa pikëvështrime.

Ndërkaq miku i saj Bashit Al-Abed Al-Hadi, student në po të njëjtin universitet, ka thënë se lidhja midis objekteve që gjenden në këtë vepër është e vështirë për t’u shpjeguar ndonëse përkundër kësaj ajo paraqet një vepër shumë intriguese.

“Interesante kur shikon se si paketat mbajnë ndërtesën. Mendoj se lidhja midis kësaj luhatëseje dhe paketave nuk është e lehtë për t’u kuptuar, por është një ide e mirë. Koncepti është shumë intrigues”, ka thënë shkurt Al-Abed Al-Hadi.

Edona Kryeziu u lind në Saarlouis të Gjermanisë. Ka përfunduar studimet evropiane në Universitetin e Mastrihtit në Holandë dhe shkenca politike në Universitetin Yeditepe në Stamboll. Në Buenos Aires ka punuar si pedagoge teatrore, ndërsa ka punuar edhe disa projekte si regjisore dhe dramaturge. Ka përfunduar studimet master në fushën e antropologjisë vizuale për migracionin dhe diasporën në Universitetin SOAS të Londrës.

Veprat e saj u ekspozuan në Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri, në Festivalin e Filmit të Shkurtër të Zürichut dhe “Autostrada Biennale” në Prizren. Prej vitit 2020, Kryeziu është asistente e dramaturgjisë në teatrin “Maxim Gorki” në Berlin.