Kulturë

“Mbi dashurinë” me kujtimet e fëmijërisë rikthen natyralitetin e jetës

Descriptive Text

Janë 24 punime që ngjajnë si sekuenca kujtimesh, shkëputur prej ndonjë ditari intim. Por, artisti Artan Hajrullahu me serinë “Mbi dashurinë,” ekspozuar në hotelin “Grand”, nuk ndan me publikun vetëm imazhe intime të jetës familjare. Nëpërmjet tyre ai zbërthen e rikthen natyralitetin e jetës njerëzore

Hoteli “Grand” është qendra kryesore e bienales nomade evropiane “Manifesta 14”, ku tashmë arti frymëzon në secilin kat të tij. Në të shtatin është edhe ekspozita e artistit Artan Hajrullahu. Në muret e njërës nga hapësirat aty kanë zënë vend 24 korniza prej druri. Secila nga to paraqet përditshmërinë e dikurshme brenda hapësirës së shtëpisë. Ajo vjen si nostalgji e përmallim për ngrohtësinë në familjen ku anëtarët ndajnë të njëjtën hapësirë për shumë funksione, në të njëjtën mënyrë siç ndodhte dikur. Narrativet nga përditshmëria dhe kujtimet janë pasqyrim në veprat e artistit.

Seria me vizatime i Hajrullahut me titull “Mbi dashurinë” plotëson mozaikun e ekspozitës tematike “Grand Scheme of Things”. Format e vogla si narrativë në miniaturë i rikthen në përjetim për përditshmërinë jo vetëm të tij. Aty e gjen veten secili vrojtues i punimeve dhe e rikthen në kujtimet e momenteve brenda familjes. Për t’i shprehur ato ka përdorur letra ambalazhi. Imazhet janë të lidhura ngushtë me sekuenca të jetës së zakonshme të fëmijërisë. Një nga veprat e tij, e titulluar “Vizatimet”, përshkruan skenat ku marrëdhëniet mes njerëzve dhe gjërave shtëpiake rrëfejnë historinë poetike të së kaluarës.

Në përgjithësi veprat u referohen temave tradicionale, por që përfshijnë edhe lakuriqësinë si temë tabu.

“Paragjykimet ndaj lakuriqësisë dhe tabuve shoqërore, të gjitha këto kanë ardhur si shprehje artistike në lidhje me realitetin shoqëror, proceset intime, brenda mentalitetit në shoqërinë tonë vazhdojnë të ekzistojnë gjykime se këto marrëdhënie nuk duhen folur dhe paraqitur publikisht”, ka thënë Artan Hajrullahu, derisa ka treguar se të gjitha figurat në veprat e tij janë bashkëpërjetim ndaj së kaluarës që pasqyrojnë realitetin ku janë krijuar kujtime të shumta.

“Sendet shtëpiake me të cilat jam rritur si fëmijë, punime dore të nënës sime, gjyshes, soba me dru e pasqyra, të gjitha këto më kujtojnë një histori dhe momente të lojës fëmijërore. Këto histori gjithherë lidhen me historitë e tjera, dashurinë familjare midis prindërve, çifteve, motrave, kushërinjve e të tjera”, ka thënë Hajrullahu.

Për ekspozitën artisti ka punuar ndër vite. Në veprën “Qejzi” prezantohen punimet tradicionale prej dore që përbënin pajën e nuses dikur. Te “Vallja” artisti ka paraqitur katër vajza veshur në të bardha që luajnë me instrumentet tradicionale. Në “Koha për çaj” figurat që ka hedhur në materialin e përdorur përfshijnë sobën me dru, lodrat e dikurshme me të cilat luanin fëmijët e vet, ata që kalojnë kohën me hapësirën e lojës, që e improvizojnë vetë ata derisa një grua u ofron atyre çaj.

Autori i 24 punimeve si tërësi e ekspozitës “On love” ka thënë është përpjekur të përdorë artin për të sjellë natyralitetin e jetës njerëzore, pamjen e saj dhe qasjen më të ngushtë në një intimitet familjar. Thjeshtësia joshëse e shprehjes në veprat e tij fillon pikërisht tek mënyra se si shfaqen veprat. Ato janë të punuara prej paketimeve e kartonëve të ndryshëm që janë hedhur dhe që janë jashtë funksionit.

Artan Hajrullahu i ka gjetur ato në rrugë në formën që kanë qenë dhe vetë ekspozimi i veprave të tij vjen edhe në formë të konceptit të reciklimit. Vetë projektimi i figurave në punime duket si bllok me vizatime në kohën e fëmijërisë.

“Letra ka lloj-lloj trajtash. Ashtu si i gjej mundohem që të krijoj diçka mbi vetë trajtën e letrës së gjetur ashtu siç është. Në këtë kuptim vetë mediumi i veprave të mia është si një vizatim i rastësishëm që një fëmijë do ta kryente në bllokun e vizatimeve të tij”, ka thënë autori i veprave.

Vizitorët e ekspozitës “Mbi dashurinë” të artistit Artan Hajrullahu e vlerësojnë të veçantë për tematikën që e trajton e që reflekton edhe në fëmijërinë e tyre.

“Kjo ekspozitë është me koncept të jetës familjare. Më ka lënë mbresa për fëmijërinë. Me një fjalë, është retrospektivë moderne dhe përveç tjerash edhe vizatimet dhe materiali i përdorur”, ka thënë Blend Selmani.

Për Sara Çeshkon ekspozita është më e veçantë nga të tjerat.

“Artisti ka dashur të paraqesë jetën e përditshme dhe momentet më të veçanta, duke filluar që nga fëmijëria e tij, pikturat, fotografitë e gjësendet tjera. Ka paraqitur edhe prindërit e tij, momentet e dashurisë dhe shumë momente që e plotësojnë jetën e njeriut. Secila nga to është një histori tjetër dhe secila e ka një kuptim e veçanti të veten”, ka thënë ajo. Ndërsa Fitore Begu, që gjithashtu ka vizituar hapësirën e ekspozitës, ka thënë se në këto vepra ka gjetur “traditën shqiptare brenda shtëpisë”.

“Mundohet të tregojë më shumë për rolin e gruas në familje. Ekspozita na kthen në kohë se si ka qenë mënyra e jetesës dhe jeta e traditat në familje”, ka thënë ajo.

Hajrullahu ka marrë pjesë në shumë projekte vendore dhe ndërkombëtare. Atij i ishte dhënë çmimi “Artistët e së nesërmes” në vitin 2013, ndërsa në vitin 2018 ishte nderuar me çmimin “Muslim Mulliqi” nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Ai ligjëron pikturën në Shkollën e Mesme të Arteve Pamore në Gjilan. Veprat e tij qëndrojnë të ekspozuara në “Grand” deri në fund të muajit tetor, kur do të mbyllet bienalja “Manifesta 14”.